VIDEO/ Shpërthimi me tritol në Shkodër, gjendet një mjet i djegur! Dyshohet të jetë i autorëve

Oct 28, 2025 | 12:43

Një makinë është gjetur e djegur në fshatin Dragoç të Shkodrës pas shpërthimit me tritol ku mbeti i plagosur punonjësi i Tatimeve, Enea Busukja.

Policia dyshon se automjeti tip “Wolkswagen” që u gjet anës rrugës mund të jetë e autorëve.

“Rreth orës 12:20, në fshatin Dragoç, në anë të rrugës, është konstatuar i djegur një automjet tip “Wolkswagen”.

Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit dhe zbardhjen e rrethanave të rastit”, informuan blutë.

Sipas burimeve, tritoli ishte vendosur në një motor pranë automjetit të parkuar të punonjësit të Tatimeve, Enea Busukja.

Raportohet se në momentin që 38-vjeçari ka hipur në makinë dhe ndezi mjeti ndodhi shpërthimi që i shkaktoi plagë në dorë.

Ai u dërgua në spital, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën.

Forca policie ndodhen në vendngjarje për zbardhjen dhe identifikimin, gjetjen dhe kapjen e autorit të dyshuar.

Njoftimi i policisë:

Rreth orës 11:35, në lagjen “Ndoc Mazi”, në momentin që shtetasi E. B. ka ndezur automjetin e tij, ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në automjet.

Si pasojë është dëmtuar shtetasi E. B., 38 vjeç, i cili është dërguar në spital dhe aktualisht është jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet për zbardhjen e rrethanave të rastit, identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.

© Panorama.al

Te lidhura