FUSHE-KRUJE – Një shpërthim i fuqishëm ndodhi mbrëmë në fabrikën së Çimentos në Fushë-Krujë. Atentati i radhës me lëndë plasëse u regjistrua rreth orës 20.00 duke rikthyer serialin e shpërthimeve. Persona ende të paidentifikuar kanë arritur të afrohen tek muri rrethues në pjesën jugore të fabrikës, në një pjesë e cila nuk ndriçohej. Nga shpërthimi është dëmtuar muri rrethues i fabrikës, si dhe mensa e punëtorëve, e cila ndodhej në një distancë rreth pesë metra nga muri rrethues. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës mësohet se është shkatërruar pothuajse plotësisht mensa e fabrikës, ndërsa nuk ka pasur dëme në njerëz, edhe pse rojet e fabrikës dhe zyrat e administratës së kësaj fabrike ndodhen shumë afër vendit të shpërthimit. Pas ngjarjes, në vendin kanë mbërritur forca të shumta policie duke kryer verifikimet e nevojshme dhe duke mbledhur informacionet. Policia ka rrethuar zonën përreth vendit të ngjarjes e më pas ka kontrolluar se mos kishte ndonjë sasi lënde eksplozive, ende të pashpërthyer. Brenda dy orëve janë shoqëruar në komisariat mbi 15 persona, por policia nuk ka mundur të gjejë autorët e vendosjes së eksplozivit. Kjo është hera e pestë e vendosjes së lëndëve plasëse në fabrikë ose në objektet që kanë lidhje me të. Policia dyshon se shkak është bërë konflikti i vazhdueshëm mes banorëve dhe pronarëve të fabrikës për shkak të një dëmshpërblimi për ndotjen e shkaktuar. Ndërsa pista tjetër është ajo e pronësisë, lindur prej vitesh. Shpërthimet në fabrikën e çimentos janë të zakonshme tashmë, fatmirësisht pa lëndime në njerëz, ndërsa dëmet janë të konsiderueshme. r.n











