Shpërthimi i anijes, trupi i zhdukur, i kryemarinarit

Jan 18, 2012 | 12:30

Anija-cisternë "Edirne", që u fundos të dielën pas djegies afër Porto-Romanos

DURRES/ Kapiteni, në morg. Marinarët në hotel deri në fund të hetimeve

Trupi i zhdukur i njërit prej 15 personave të ekuipazhit, të cilët ndodheshin në anijen-cisternë që u mbyt ditën e diel në Porto-Romano, nuk i përket kapitenit të anijes, por kryemarinarit. Pasi kanë bërë analizat e dy kufomave që ndodhen në morgun e spitalit të Durrësit, mjekoligjorët kanë dalë në konkluzionin se njëra prej tyre rezulton të jetë e kapitenit të anijes-cisternë “Edirne” e 53-vjeçarit Khajam Mamadov nga Azerbajxhani. Ndërkaq është ndërprerë operacioni kërkim-shpëtim për gjetjen e të zhdukurit, por vijojnë kërkime nga toka. Kërkime janë bërë gjatë gjithë ditës së djeshme si nga policia kufitare dhe ajo e rendit, të cilët kanë krehur të gjithë bregdetin nga Bisht Palla deri në zonën e Currilave. Edhe polumbarët mësohet të jenë zhytur sërish dje brenda anijes për të kërkuar trupin e kryemarinarit, por me gjithë kërkimet intensive nuk është bërë e mundur gjetja e tij.
Kërkimet janë shtrirë në një periferi me rreze deri në 5 km duke ndjekur edhe rrymat detare, të cilat kanë nxjerrë në breg disa pajisje të anijes si salvaxhente dhe kostume shpëtimi të marinarëve. Pasi kanë qëndruar rreth tri ditë në spitalin e Durrësit ku kanë marrë mjekime dhe kujdes mjekësor, 12 pjesëtarët e ekuipazhit të anijes janë akomoduar në një hotel. Marinarët nuk do të lejohen të largohen deri në përfundimin e fazës së parë të hetimeve. Që prej ditës që ndodhi aksidenti e deri më sot, pjesëtarët e ekuipazhit nuk lejohen për të bërë takime. Si në derën e spitalit ku qëndruan për dy ditë, ashtu edhe në atë të hotelit ku janë sistemuar, të 12 të mbijetuarit ruhen nga policia, e cila me urdhër të Prokurorisë nuk lejon që ata të kenë kontakte me persona të tjerë, veç ekuipazhit. Hetimet do të bëhen nga ana e autoriteteve tona. Prokuroria po vijon hetimet mbi ngjarjen, ndërsa flitet hapur se shkak për shpërthimin e më pas mbytjen e anijes të jetë bërë një shkëndijë e krijuar nga pakujdesia, gjatë kohës kur pjesëtarë të ekuipazhit ishin duke pastruar depozitat e shkarkuara. Mësohet se dhe Kapitaneria e përgjithshme e Porteve po heton kushtet teknike të anijes- cisternë “Edirne”. Këto të dhëna do t’i kalojnë organit të akuzës për të plotësuar dosjen e hetimit.

Anija, e siguruar në Rusi
Përfaqësues të agjencisë së sigurimeve, në të cilën ishte siguruar anija, pronari i saj turk dhe përfaqësues nga Ministria e Transporteve kanë zhvilluar një takim. Tema e tij kishte të bënte me hetimet dhe dëmin që është shkaktuar nga shpërthimi dhe mbytja e anijes. Pronari i anijes-cisternë “Edirne” do të përfitojë 3 milionë dollarë dëmshpërblim nga kompania e sigurimeve në Rusi, vend në të cilin ishte e siguruar.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura