Një person mbeti i plagosur dje në mbrëmje nga shpërthimi i një bombole gazi në një kazan plehrash, pranë tendës elektorale të Partisë Socialiste, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.Ngjarja ndodhi në kohën kur pranë çadrës elektorale të Partisë Socialiste po mbahej një koncert i organizuar nga FRESSH. Policia e Tiranës njoftoi mbrëmë se personi i plagosur nga shpërthimi është 29-vjeçari Armando Dyrmishi. Sipas burimeve nga policia, por edhe sipas përfaqësuesve të PS, i lënduari nga shpërthimi është kalimtar i rastit. Ai ndodhej pranë vendit ku shpërtheu bombola e gazit dhe më pas, u largua për në spital, pasi doli në Unazë nën urën e madhe të Lanës dhe i gjakosur kërkoi ndihmë nga makinat e rastit. Policia tha se i dëmtuari ka pësuar një plagë në njërën këmbë, pasi është goditur nga një copë metali, pjesë e bombolës që ka shpërthyer.
Shpërthimi
Ngjarja ndodhi mbrëmë rreth orës 21:20, gjatë kohës kur pranë tendës së socialistëve po zhvillohej një koncert me muzikë “rock”, i organizuar nga të rinjtë socialistë. Shpërthimi ka shkaktuar panik tek personat e pranishëm, aq sa të gjithë kanë nxituar të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Drejtuesit e lartë të policisë së Tiranës, por edhe të Drejtorisë së Krimeve të Rënda të Policisë së Shtetit, të sinjalizuar për shpërthimin, janë drejtuar menjëherë në vendin e shpërthimit. Gjithashtu në vendngjarje kanë shkuar edhe oficerë të Antiterrorit, të Krimeve Kundër Jetës dhe Shëndetit, ekspertë të Xhenios dhe Antieksplozivit. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, që ndodhet vetëm 10-15 metra larg tendës së ngritur nga Partia Socialiste, ka rezultuar se nuk bëhej fjalë për shpërthim eksplozivi, por një bombol gazi, e përmasave të vogla që sipas policisë është hedhur në mënyrë të qëllimshme. Nga deklarimet që kanë dhënë në polici dëshmitarët okularë të ngjarjes, dyshohet se autorë të ngjarjes janë dy persona, të cilët pasi kanë hedhur bombolën e gazit në koshin e plehrave e më pas kanë provokuar me shkrepëse shpërthimin e saj, janë larguar në drejtim të Piramidës.
Autorët
Pasi janë larguar nga vendi i ngjarjes, autorët e shpërthimit që dyshohet se janë dy persona, kanë hipur në një taksi dhe janë larguar. Burimet sqaruan se autorët e ngjarjes ende nuk janë identifikuar, por po punohet për kapjen e tyre. Në vendin e ngjarjes ndodheshin pothuajse të gjithë deputetët socialistë, si dhe kandidatë të këtij subjekti politik për bashki dhe komuna të ndryshme. Incidenti ka alarmuar kalimtarët dhe simpatizantët që ndodheshin të pranishëm gjatë koncertit, por fatmirësisht sipas policisë gjithçka është mbyllur me një të plagosur, i cili po ashtu nuk ka dëmtime serioze. Madje, nga deklarimet e dëshmitarëve, i plagosuri Armando Dyrmishi ka mundur të largohet vetë nga vendi i ngjarjes, pavarësisht plagës në këmbë, duke kaluar pranë tendës së PS e më pas ka dalë në bulevard, ku me një makinë të rastit është transportuar në Spitalin Ushtarak.
Kërcënohet gazetari Arian Çani
Gazetari Arian Çani ka marrë kërcënime mbrëmë ndërsa ishte në transmetim direkt në studion e emisionit Shqip në Top Channel. Pak çaste pas shpërthimit të ndodhur në çadrën elektorale të PS, Çani ka qenë duke debatuar me deputetin e PS, Sajmir Tahiri në lidhje me shpërthimin e ndodhur. Në këtë kohë,Çani deklaroi se mori një mesazh nga familja e tij e cila ishte kërcënuar me vendosje bombe. Pasi lexoi publikisht mesazhin, ai u largua nga emisioni.
Ishem, qellohet mjeti i kandidatit te PS
Breshëri armësh makinës së kandidatit socialist në Ishëm të Durrësit. Kjo ngjarje ishte pasojë e një konfrontimi fillimisht mes kandidatësh, atij demokrat Gëzim Ylli dhe socialistit Sulejman Ibrahimi, e më pas kanë reaguar në mënyrë të dhunshme mbështetësit e tyre. Të dy kandidatët kanë qenë të shoqëruar nga të afërm të tyre në momentet e sherrit mbrëmjen e së dielës, çka ka sjellë dhe përfshirjen e tyre në këtë konflikt, duke përdorur armë zjarri. l.m
Sarande
Dëmtohet gjatë natës makina e nënprefektit të Sarandës, Gjergji Mano, njëkohësisht kryetar i LSI-së së këtij rrethi.
Makina e shërbimit, tip “Mercedez Benz”, me targë SR 63 64 B, ka qenë e parkuar në afërsi të banesës së Manos, pranë stadiumit të futbollit të qytetit. Dhunimi i mjetit është parë në mëngjes, rreth orës 06:30, nga vetë nënprefekti. Ai e ka gjetur atë të goditur pothuajse nga të gjitha anët dhe më pas njoftoi policinë. Blutë mbërritën në vend dhe nisën hetimet, ndërsa nënprefekti Gjergji Mano theksoi se dhunimi i makinës së shërbimit ishte kryer për shkak të detyrës. Bazuar nga hetimi paraprak dhe pamja e makinës, dyshohet se mbi të mund të jetë përdorur për të goditur një mjet tjetër i tonazhit të rëndë. sh.d
Stefan Çipa
SARANDE – Kandidati socialist për Bashkinë e Sarandës, Stefan Çipa, i mbështetur nga simpatizantë, ka protestuar para Komisariatit të Policisë mbrëmjen e së dielës. Shkak është bërë deklarata e policisë për ngjarjen e një nate më parë, kur Çipa denoncoi kanosjen me armë zjarri të tij dhe dy djemve. Sipas kandidatit Çipa, policia e Sarandës ka mbrojtur autorin e vërtetë të ngjarjes, duke ndërtuar një version krejt tjetër, të manipuluar dhe të gënjeshtërt. Sipas Çipës, kërcënuesi erdhi pak orë para për mitingun e Berishës, ndërsa policia deklaroi se ka nisur hetimi ndaj një shtetasi nga Saranda. I pyetur për këtë rast, shefi i policisë së Sarandës, Anton Brahimaj, tha se çështja është në dorë të Prokurorisë për hetime të mëtejshme.
Rrihet shefi i shtabit të kandidatit të pavarur
SHKODER – Dy ngjarje të rënda janë shënuar në komunën e Dajçit, fillimisht me një prishje takimi elektoral të kandidatit demokrat e më pas me dhunimin e kreut të shtabit elektoral të kandidatit të pavarur. Sipas burimeve të policisë bëhet e ditur se mesditën e së dielës u shënua një përplasje mes përkrahësve të kandidatit të PD-së për kryetar komune, Arben Gjuraj, me përkrahës të kandidatit të pavarur të Dajçit, Gentian Palaj. Përplasja ka degjeneruar në rrahje masive dhe është dashur ndërhyrja e forcave policore, që të ndalohet precipitimi i mëtejshëm i situatës. Policia shoqëroi dhe nisi hetimin në ndjekje të lirë për 5 persona, sipas saj të afërm të kandidatit të pavarur. Ndërkohë, rreth mesnatës, dy persona dhunuan shefin e shtabit të kandidatit të pavarur për komunën e Dajçit, Broz Pjetrani. Ai denoncoi autorët, duke thënë se ata lëviznin me një makinë të mbuluar nga posteri i kandidatit demokrat. Policia ndaloi dy kushërinjtë Duel dhe Shefki Mehmetaj për këtë ngjarje, duke e cilësuar për motive të dobëta dhe jo politike. r.d
PS dërgon në Kolegj vulat rezervë
Partia Soçialiste ka depozituar dje në Kolegjin Zgjedhor një kërkesë ankimore për vendimin e marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të prodhuar vula rezervë në rast se do të largohen komisionerët më 8 maj. Në kërkesën ankimore të PS-së thuhet se KQZ-ja nuk ka kompetençë të marrë vendim për të dubluar vulat, pasi Kodi Zgjedhor parashikon se numri i vulave është i barabartë me numrin e qendrave të votimit. Në vendimin e KQZ-së thuhet se do të prodhohen po aq vula sa qendra votimi janë dhe ato do të administrohen nga inspektorët rajonalë të KQZ-së, derisa kjo e fundit të vendosë për përdorimin e tyre.
Volfarth: Përgatitjet për zgjedhjet janë të shkëlqyera
Përgatitjet e deritanishme janë të shkëlqyera. Është kjo deklarata e djeshme e ambasadorit të OSBE-së në Tiranë, Eugen Volfarth, pas takimit që pati me drejtorin e Përgjithshëm të Poliçisë së Shtetit, Hysni Burgaj. I pyetur për qëllimin e këtij takimi, ambasadori u përgjigj: “Ky takim u mbajt në pritje të ditës së zgjedhjeve, si një diskutim rreth përgatitjeve që po bën Poliçia për këtë ditë. Përgatitjet e deritanishme janë të shkëlqyera. Poliçia e Shtetit është përgatitur siç duhet dhe është plotësisht e ndërgjegjshme për nevojën për zgjedhje të lira dhe akses të lirë, në mbështetje të qytetarëve. Poliçia e Shtetit është plotësisht e ndërgjegjshme që një nga të drejtat kryesore të qytetarëve është e drejta për të votuar dhe për të pasur akses të lirë, dhe ajo është po ashtu e ndërgjegjshme që të drejtat e njeriut përfshijnë të drejtat e qytetarëve”. Më tej ambasadori garantoi që edhe OSBE-ja do të ndihmojë në disa pjesë të komunikimit me zonat më të thella të vendit, duke siguruar disa telefona satelitorë.
ETLEVA DELIA
© Panorama.al











