Duket se Ermela është kthyer në “mollë sherri” në këtë rast mes Ervinit dhe Torosit. Një treshe simpatike që u krijua pas përfundimit të “Big Brother 4” dhe shpalljes së Ermela Mezuraj fituese, duket se është përçarë. Pas sherrit mes Ervinit dhe Ermelës në Vlorë dhe largimit të tij në Londër, Ermela dhe Toros u panë gjithnjë e më shumë bashkë. Një miqësi që ngjalli dyshime, nëse me tyre ka diçka më shumë. Toros tregon gjithçka për ndarjen e çiftit, çfarë fshihet pas miqësisë së tij me Ermelën, si e komenton ai rikthimin e saj me Ervinin dhe pse e prishi miqësinë me të. Për Toros, loja e “Big Brother 4” vazhdon edhe në realitet.
Toros, ishit tre miq të mirë, bashkë me Ermelën dhe Ervinin dhe papritur konfliktoheni… Çfarë ndodhi mes jush?
Për t’u treguar i sinqertë, Ervini nuk e ka pëlqyer asnjëherë miqësinë mes ne të treve, por thjesht e ka pranuar me zor, edhe pse unë kam miqësi të sinqertë me Ermelën. Ai ndihet xheloz, pasi do ta ketë vetëm për vete Ermelën, pa pranuar shoqëri tjetër të saj. Do të theksoja se nuk kam asgjë me Ervinin, përveçse më ka ngelur hatri me disa komente të tij në gazeta, duke më nënvlerësuar. Si e harroi ai Torosin që deri dje e kishte mbështetjen më të mirë?! Dhe, për këtë e kam gjetur shpjegimin, Ervini është shumë xheloz për mua si Toros dhe kaq.
Pra, ishte xhelozia e Ervinit për ty arsyeja e sherrit mes tyre në Vlorë? Çfarë ndodhi atë natë?
Po, ishte xhelozia e Ervinit arsyja e sherrit. Në një moment që Ermela po kërcente me mua, Çimin dhe Ergysin, ai u ndie i xhelozuar dhe tentoi të hynte në mes pa takt. Gjithashtu pati edhe një zënkë që nisi me motrën e Ermelës, ndërsa i kujtoi rastin kur e kishte marrë në makinën e tij gjyshen e Ermelës për ta sjellë në spektakël. U acarua situata aq shumë, saqë atë natë e la Ermelën në Vlorë dhe u largua. Pra, nuk janë konfliktuar për punë parash, sepse Ermela është person që kudo ku shkon paguhet.
Pas kësaj Ermela u afrua shumë me ty dhe madje bashkë udhëtuat në Dibër të Madhe… Ç’vend zë ti në jetë e Ermelës?

Në udhëtimin që bëmë në Dibër të Madhe, ia kaluam bukur bashkë si dy miq shumë të mirë. Për Ermelën jam një shok shumë i mirë, pasi dhe unë e konsideroj shok atë, për tipin e saj të shkathët si «çun harram». Me aq sa mundem, unë kurrë nuk do ta lejoj që ajo të bjerë poshtë. Ajo ia doli me 27 karaktere brenda në “Big Brother” dhe, me miqësitë që kemi secili nga ne, do të arrijmë të realizojmë projekte konkrete që i kemi planifikuar të dy. Do bëjmë edhe pak xheloz Ervinin.
Por ti ke qenë personi më i afërt i tyre pas përfundimit të «Big Brother». Si sillej Ervini me Ermelën para sherrit?
Për mendimin tim, Ervini nuk di ta mbajë një femër si Ermela dhe kjo gjë e bën të ndihet xheloz. Ai e mban gjithë ditën në shtëpi të shohë televizor, ndërsa vetë shkonte të luante kalçeto e Ermela duhet të rrinte ta priste e mbyllur në shtëpi, derisa ai të kthehej. Ermela nuk është ai tip femre, ajo është shpirt i lirë dhe nuk erdhi Ervini me kilometra të tërë nga larg, ta mësojë atë se si duhet të jetojë e mbyllur brenda katër mureve.
Ata nuk kanë folur në media për dhuratat që mund të kenë shkëmbyer mes njëri-tjetrit. Ti je në dijeni të ndonjë surprize të tillë që Ervini mund t’i ketë bërë Ermelës gjatë kësaj kohe?
Sigurisht që jam në dijeni dhe, me bindje e them që ai s’i ka bërë ende një dhuratë Ermelës, ndërkohë që e dimë të gjithë se dhurata është gjest dashurie dhe respekti mes një çifti. Madje, dhe historia e unazës së shtrenjtë që ai do i bënte, nuk ka ekzistuar, pasi ka qenë thjesht një shaka imja dhe e Algenit. Ervini e ka ulur në tavolina pa lidhje Ermelën, vetëm se dikush i dhuron tollona benzine për të kaluar javën. Ja ky është bosi apo superbosi, siç e quan veten Ervin Sinjari.
Pas largimit të tij në Londër, miku më i afërt i Ermelës ishe ti. E vuajti ndarjen Ermela? Çfarë kuptove?
Jo, s’mu duk. Në fakt, Ervini është prononcuar në një gazetë se unë kam sajuar ndarjen e tyre, por kjo s’është aspak e vërtetë. Ai iku vetë në Londër, nuk i tha njeri të ikte. Madje, një ditë para se të largohej, unë i kërkova të uleshim bashkë dhe të flisnin me Ermelën, por ma ktheu me fjalët: “Jo, ju të dy më bëtë dalje, ju keni interesa, ju doni famën”. Aq i poshtër u tregua, sa e ka sharë tek unë Ermelën me fjalë të pista. I nisur nga ç’dëgjova, u çudita kur i pashë bashkë në ditëlindjen e Jonelës të shtunën, sikur të mos kishte ndodhur asgjë më parë mes tyre.
Vërtet nuk ka ndodhur asgjë më shumë mes teje dhe Ermelës, është vërtet një miqësi e pastër midis një femre dhe një mashkulli dhe mendon se do vazhdojë?
Jo asgjë, e ritheksoj, jemi miq të mirë. Por, miqësia jonë varet nga të dy ne. Ermelën do ta respektoj derisa të më respektojë. Shumë veta duan të na përçajnë, shumë persona janë xhelozë për miqësinë që kemi, por e kemi miqësi të sinqertë. Unë e respektoj familjarisht. E provoi dhe Ervini të na përçajë, por s’na përçau dot.
Ndërkohë, po i shpall konkurrencë Ervinit me këto që po thua?
Ervini mund ta mbajë për të dashur në shtrat Ermelën, por unë e kam shoqe aventurash, shoqe udhëtimesh, projektesh, mike, vëlla e motër.
Tashmë ata janë bashkë, ke ndonjë koment për këtë rikthim, ke dyshimet e tua për sinqeritetin e lidhjes?
Nuk e di pse janë prapë bashkë, por mendoj se Ermela ka nevojë për një person inteligjent në krah dhe jo për një person që s’di të ofrojë asgjë siç është Ervini. Do të thosha që ka shumë persona që dalin për figurë dhe ky mund të jetë rasti. Ervini kishte shkruar diku që do të më nxjerrë blof duke u bashkuar prapë me Ermelën. E kujt i intereson nëse janë bashkë me Ermelën ose kujt i intereson se çfarë bën ai për Ermelën. Do i thosha që është një person që jo në gjendje për ta mbajtur atë si të dashur. Ai do të duket. Madje dhe një vetëtimë të shkrepë, atij i duket se po e fotografojnë paparacët. Për më tepër, me të është vështirë komunikimi, nuk ka oratori, nuk ka asgjë ai djalë.
E thekson që Ervini është xheloz, mund të jetë normale kjo xhelozi nëse ai e dashuron Ermelën?
Jo, vetëm atë gjë nuk e besoj tek ai. Nuk besoj kurrë te dashuria e Ervinit me Ermelën.
Po te dashuria e Ermelës për Ervinin beson?
Jo, mendoj që e mban në krah për figurë. Ermela është vajzë që të jep zemër, është person nobël, e ka ndihmuar shumë Ervinin, e ka mësuar, e ka afruar shumë që ta bëjë njeri, se ai është «hesap Ervini», siç ajo vetë e cilësoi kur ishte në lojë. Edhe në “Big Brother” e kemi parë që ajo nuk ka pasur mbështetje nga Ervini. Madje dhe kur ajo e mësonte të bënte diçka si duhet, ai vepronte ndryshe. Në «Big Brother 4» ka ndenjur në orbitën time dhe krevatin afër meje e mbante.
Kanë diskutuar ata për ty, çfarë të ka treguar Ermela?
Ermela i thotë Ervinit të jesh sa gjysma e Torosit në oratori, në dialog, shtrëngim duarsh, në gjithçka.
Sa jetëgjatë e parashikon këtë lidhje, mendon se është lojë mes tyre?
Shpresoj të mos jetë lojë, por çuditem që ndërsa Ermela del dhe thotë në ekran s’jemi më bashkë, më pas i shohim prapë bashkë. Le të shohim çfarë do ndodhë më tej, por të them të drejtën me një person si Ervini “bukëshkalë” është vështirë të vazhdohet. Nuk është se ua uroj ndarjen, por i uroj Ermelës të gjejë një person më të mirë, se ajo meriton më shumë. Ermela ka nevojë për një mashkull të fortë, ajo ka nevojë për një miqësi të sinqertë dhe ka nevojë një mashkull të vërtetë si Torosi dhe jo si Ervini.
Për çfarë e këshillon ti Ermelën me eksperiencën që ke?
Për atë eksperiencë që unë kam kaluar në Itali, i them ta menaxhojë veten ashtu si duhet, pasi një menaxhim i mirë do ta lartësojë si figurë ndërsa një menaxhim i keq mund ta rrënojë. Aktualisht kemi përgatitur projekte televizive të dy dhe shpresojmë shumë të realizohen. Këshillohemi bashkë dhe shpresoj të vazhdojmë kështu.
REDONA SADIKU
© Panorama.al











