Shpërthen sërish vullkani në Islandë

May 23, 2011 | 12:56

Një ndër vullkanet më aktivë të Islandës, ai Grimsvëtn, ka shpërthyer. Sipas të dhënave nga Rejkjaviku, nga krateri po ngjitet një shtëllungë e bardhë reje, e cila ndërkohë ka arritur lartësinë rreth 20 km. Sipas “Deutsche Welle”, reja vullkanike përbëhet kryesisht nga avull, por përmban edhe hi. Ekspertët islandezë mendojnë se erupsoni nuk do të shkaktojë pengesa të mëdha në qarkullimin ajror në Europë, sepse reja vullkanike ndërkohë po lëviz drejt Veriut. Në një perimetër prej më se 200 km. rreth vullkanit Grimsvëtn, si masë mbrojtëse është vendosur ndalim-fluturimi. Aeroporti i Rejkjavikut është mbyllur. Në prill të vitit të kaluar shpërthimi i vullkanit islandez Eyjafjalla shkaktoi kaos në qarkullimin ajror. Reja vullkanike çoi në bllokime për ditë të tëra të hapësirës ajrore në një pjesë të Europës. Sipas përllogaritjeve, prej këtyre bllokimeve u prekën rreth dhjetë milionë pasagjerë.

© Panorama.al

Te lidhura