Shpërthen anija-cisternë, 3 të vdekur

Jan 16, 2012 | 13:29

Anija-cisternë "Edirne", e pushtuar nga zjarri

DURRES/ Shpëtojnë 12 anëtarë të ekuipazhit. Ngjarja, 3 milje larg Porto-Romanos. Kërkohet i treti

Zjarri nga një shkëndijë gjatë pastrimit të anijes së karburantit
Pastrimi i një depozite, prej së cilës ishin zbrazur 3.5 mijë tonë benzol 3 ditë më parë, u bë shkak për tragjedinë e djeshme në Adriatik. Tre anëtarë të ekuipazhit të anijes-cisternë “Edirne” deklarohen të vdekur, (trupi i njërit ende i pagjetur) pas shpërthimit të flakëve në të mesditën e djeshme. Nëpërmjet varkave të shpëtimit dhe ndërhyrjes urgjente nga Durrësi e Tirana u arrit të shpëtohej jeta e 12 të tjerëve. Ngjarja e rëndë, përmasat e së cilës do të ishin katastrofale nëse anija do të kishte ende karburant brenda saj, u regjistrua rreth orës 13:40 të ditës së djeshme.
Anija “Edirne”, me një ekuipazh prej 15 vetash, me kombësi të huaja, ka qenë në një distancë prej rreth 3 milje nga porti i Porto-Romanos në Durrës në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Ajo kishte ardhur tri ditë më parë në këtë port dhe ka shkarkuar benzol për llogari të subjekteve tregtare. Ekuipazhi i saj përbëhej nga 6 shtetas nga Gjeorgjia, 4 nga Azerbajxhani, 3 nga Turqia dhe 2 nga Ukraina. Anija me flamur të Sierra Leones dhe port-regjistrimi Freetoën është ndarë në mes nga shpërthimi dhe më pas është mbytur. Për pasojë, tre persona të ekuipazhit nuk kanë mundur të shpëtohen. 12 të tjerët janë dërguar në spitalin e Durrësit, ku dhe kanë marrë mjekimin e parë. Gjendja e tyre është jashtë rrezikut për jetën, me përjashtim të anës psikologjike nga kjo ngjarje. Alarmin e kanë dhënë të parët punonjësit e Porto-Romanos. Menjëherë pas marrjes së sinjalit për shpërthimin e anijes është ngritur një grup pune për të shpëtuar ekuipazhin. Drejt vendit të ngjarjes u nisën për të dhënë ndihmën e parë 5 motovedetat e Policisë Kufitare, të cilat bënë edhe transportimin deri në breg të 12 marinarëve të mbijetuar. Ndërkohë që nisën punën për gjetjen e 3 marinarëve, të cilët nuk ndodheshin me pjesën tjetër. Pas disa orë kërkimesh u bë e mundur gjetja e dy prej tyre, ndërsa deri në mbrëmje është kërkuar dhe për të tretin, që dyshohet të jetë pikërisht kapiteni i anijes.
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash. Shkak për shpërthimin e anijes mësohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike, çka ka bërë që brenda pak minutash anija të përfshihet nga flakët dhe vetëm pak çaste më vonë të fundoset. Nga të mbijetuarit mësohet se njëri prej tyre ka qenë duke punuar në një nga depozitat e boshatisura dhe papritur ka shpërthyer zjarri. Një shkëndijë e vogël ka mjaftuar për të provokuar shpërthimin e madh, çarjen më dysh të anijes dhe fundosjen e saj brenda pak minutash. Të mbijetuarit kanë treguar se janë dashur më pak se 15 minuta që anija të fundoset e gjitha, ndërsa shpërthimi është dëgjuar deri në Romano Port. Menjëherë sapo kanë parë që anija është përfshirë nga flakët, të gjithë marinarët janë munduar që të dalin sa më parë jashtë saj. Një pjesë e tyre kanë hipur në një barkë shpëtimi, ndërsa disa të tjerë nuk janë menduar gjatë dhe janë hedhur në det ende pa shpërthyer anija. Disa prej marinarëve që u hodhën në det u ndihmuan nga kolegët e tyre, ndërsa të tjerëve u erdhi në ndihmë menjëherë Policia Kufitare, e cila i nxori ata deri në breg, ku i priste autoambulanca.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Durrësit ka dalë me një komunikatë ku ka bërë të ditur se nën drejtimin e Shtabit të Emergjencave të Prefekturës Durrës deri në mbrëmje ka vijuar operacioni i kërkim-shpëtimit. Në ndihmë të mjeteve lundruese janë dërguar edhe 2 helikopterë me polumbarë të repartit RENEA. Në gatishmëri të kësaj situate kanë qenë dhe vijojnë të mbeten edhe 4 autoambulanca të Spitalit të Durrësit. Deri tani është bërë e mundur gjetja dhe nxjerrja e trupit të pajetë të 2 shtetasve, ndërkohë që kërkimet për personin ende të pagjetur. Nga deklarimet paraprake të pjesëtarëve të ekuipazhit të anijes rezulton se para incidentit që pasoi edhe mbytjen e anijes, 2 prej tyre po pastronin depozitën nr.3 të anijes. Për të verifikuar gjendjen ka zbritur edhe kapiteni i anijes, ndërkohë që është dëgjuar shpërthimi, i cili është pasuar me mbytjen e anijes. Pikërisht këta persona dyshohet se janë edhe viktimat. Pritet që të mbijetuarit të bëjnë të ditur identitetet e tyre.

Viktimat
1-Malkhaz Lazishvili,

54 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane

2-Beka Urushadze,
23 vjeç, me shtetësi gjeorgjiane

3-Khayyam Mammadov, 54 vjeç, nga Azerbajxhani (kapiteni, i cili nuk është gjendur ende)

Turku: U larguam me barkë
Marinari i mbijetuar: Si shpëtova nga vdekja

DURRES – Një nga të mbijetuarit e anijes cisternë, e cila u përfshi nga flakët dhe më pas përfundoi rreth 26 metra thellë në det, tregon se çfarë ndodhi mesditën e së dielës. Engin Holdez, 41 vjeç, thotë se gjithçka ka ndodhur brenda disa minutave dhe se është një fat i madh që ai dhe shokët e tij janë ende gjallë.
Engin, a mund të na tregoni se si ndodhi ngjarja?
Pasi shkarkuam cisternat në portin e Romano Port, kaluam sërish në radë dhe po prisnim urdhrin për t’u nisur për lundrim. Kemi qëndruar rreth tri ditë në këtë port derisa bëmë të gjithë shkarkimin e karburantit që kishim sjellë, dhe sot po bënim përgatitjet e fundit për t’u nisur. Unë, së bashku me kolegët e mi, ishim duke pastruar depozitën nr.3, siç i quajmë ne dhe papritur pashë një shkëndijë që mori përmasa gjigante. Menjëherë lajmëruam kapitenin për atë që po ndodhte në anijen tonë dhe filluam që të dilnim me shpejtësi. Na mbërtheu paniku. Nuk dinim se ku të shkonim, pasi zjarri sa vinte dhe zaptonte çdo cep të anijes.
Si arritët të dilnit nga anija?
Nuk kishte zgjidhje tjetër, e vetmja zgjidhje ishte që të dilnim sa më parë nga anija, duke mos menduar për asgjë tjetër. Unë kam eksperiencë dhe në të tilla raste nuk mund të bësh asgjë për të ndihmuar shokët. Është vetëm çështje kohe dhe duhet të përfitosh sa më parë. Atë bëra edhe unë. Sapo dola jashtë, pashë shokët që po lëshonin barkën e shpëtimit dhe hipa menjëherë në të. Disa prej tyre ishin në ujë dhe i ndihmuam të hipnin në barkë. Në ndihmë na erdhën dy anije që na morën dhe na sollën në breg.

Spitali
Drejtori i spitalit të Durrësit tha se gjendja shëndetësore e 12 marinarëve të anijes “Edirne” është shumë e mirë. “Janë të gjithë në gjendje shumë të mirë shëndetësore dhe pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në ambientet e urgjencës, ata janë vendosur në një dhomë ku do të qëndrojnë deri të hënën. Asnjëri prej 12 marinarëve nuk ka marrë plagë djegieje nga zjarri, por gjendja e tyre psikologjike nuk është shumë e mirë. Ata janë të tronditur dhe ende nuk e kanë marrë veten, por me kalimin e orëve gjithçka do të përmirësohet. 12 personat e shpëtuar ndodhen në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Kurse 2 trupat e gjetur të pajetë të ekuipazhit të anijes janë dërguar në morg”, deklaroi drejtori i spitalit të Durrësit, Taulant Baku. Pritet që pas identifikimit, viktimat të transportohen drejt vendeve të tyre.

Kapitaneria
Menjëherë pas ngjarjes së rëndë ku tre marinarë gjetën vdekjen dhe 12 të tjerë u plagosën lehtë, kreu i Kapitanerisë së përgjithshme të porteve, Gazmir Tahiri, ka dalë në një konferencë për shtyp, ku bëri një përmbledhje të të gjithë ngjarjes që ndodhi mesditën e së dielës tre milje larg bregut të Bisht-Pallës. Sipas tij, anija në momentin e shpërthimit ishte akoma në radë dhe priste nga momenti në moment që të merrte urdhër-nisjeje nga drejtuesit e tyre. “Me t’u njoftuar për zjarrin, skafet e Policisë Kufitare dhe anijet e marinës kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë mundur të evakuojnë 12 nga 15 anëtarët. Trupi i kapitenit dyshohet të jetë në anijen e fundosur, pasi mësohet se ai ka qenë i vetmi që nuk braktisi anijen dhe nuk hipi në varkat e shpëtimit”, tha Tahiri. Sipas tij, firma që ka në pronësi anijen quhet ‘Gesan Saygi Denizcilik’ me qendër në Turqi.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

© Panorama.al

Te lidhura