Shpërblimet e pensionistëve, Rama: OK me propozimin e Harasanit

Dec 11, 2011 | 11:45

Kreu i PS: Jam dakord me Andisin për fondin e Piramidës

Kreu socialist, Edi Rama, ka mbështetur propozimin e deputetit socialist Andis Harasani, se si mund të gjenden fondet për t’u dhënë shpërblime pensionistëve për Vitin e Ri. Në rrjetin social “Facebook”, Harasani kërkon anulimin e projektit për prishjen e Piramidës dhe me këto para t’u jepen pensionistëve nga 5 mijë lekë shpërblim për festën e Vitit të Ri. “Po dëgjoja ministrin Bode, i cili theksoi se nuk ka fonde buxheti i shtetit për shpërblim për pensionistët për Vit të Ri. Ja t’i japim një ide të gjithë bashkë. Të heqë fondin prej 5 milionë dollarësh për të prishur Piramidën dhe me këtë fond të paguajë nga 5000 lekë 100 000 pensionistë”, shprehet Harasani në Facebook.
Edhe pse në takime me zgjedhës dhe socialistë jashtë Tiranës, në qarkun e Gjirokastrës, kryesocialisti ka qenë i vëmendshëm ndaj këtij propozimi dhe e ka përkrahur menjëherë. Në një tjetër rrjet social, në “Twitter”, aty ku ai hedh çdo ditë komente dhe opinionet e tij për tema të ndryshme politike, Rama e mbështeti këtë propozim të Harasanit. “Jam dakord me Andisin: Me 5 milionë dollarë u japim 100 mijë pensionistëve 5 mijë lekë për Vitin e Ri dhe nuk shkatërrojmë Piramidën!”, u shpreh Rama në Twitter. Kjo është hera e parë prej shumë kohësh që kryesocialisti mbështet propozimet dhe deklaratat e Andis Harasanit, veçanërisht tani që ai nuk është as anëtar Kryesie dhe as sekretar i Kryesisë socialiste. Dakordësia mes propozimit të Harasanit dhe qëndrimeve të Ramës vjen në të njëjtën ditë kur deputeti socialist, përmes një interviste në një të përjavshme, ka adresuar kritika ndaj kongresit, cilësisë së Kryesisë dhe Sekretariatit të ri të Partisë Socialiste. “Nëse Rama beson vërtet se Kryesia e re do të funksionojë vetëm duke larguar prej saj kritikët e tij, atëherë kjo do të ishte një shenjë e keqe sepse do të tregonte që në PS ka rivalitet shifrash, dhe jo rivalitet idesh. Të largosh ata të cilët kanë staturën për t’i thënë gjërat me emrin e tyre dhe të afrosh ata që impostohen vetëm se të mbushin me ledhe, është si të zëvendësosh pasqyrën me letrën e aluminit, me argumentin se kjo e fundit është më fleksibël”, thuhet në intervistën e Harasanit në revistën “Klan”.
Bode
Ministri i Financave, Ridvan Bode, tha dy ditë më parë se në kushtet e vështira që ndodhet buxheti i shtetit, këtë vit nuk mund t’i shpërblejë pensionistët për festa. Sipas tij, shpërblim do të marrin vetëm punonjësit e administratës shtetërore.  “Ne kemi deklaruar se nuk kemi mundësi për shpërblimin e pensionistëve, pasi ky është një vit i veçantë. Ne kemi rritur pagat dhe pensionet. Në vende të tjera janë ulur rrogat dhe pensionet, dhe nuk bëhet fjalë për shpërblime”, u shpreh dy ditë më parë ministri Bode.

5 milionë
dollarë është shuma e parashikuar në buxhet për të prishur Piramidën, shumë të cilën deputeti socialist, Harasani, e propozon që të ndahet me pensionistët në formën e shpërblimit.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura