
Shpenzimet e ndryshme që kryhen nga zyrtarët dhe që përgjatë një viti për secilën kategori janë mbi 500 mijë lekë, do të duhet që të deklarohen. Në Komisionin e Ekonomisë u diskutuan dhe dy projektligje të ILDKP-së, ku u sqarua edhe mënyra se si do të kontrollohen këto shpenzime që kryhen, por edhe se si do të trajtohet deklarimi i dhuratave që marrin zyrtarët. Helena Papa, inspektore në departamentin e brendshëm administrativ antikorrupsion pranë ILDKP-së, sqaroi dje se synimi i dy projektligjeve, atij për konfliktin e interesave dhe për deklarimin e kontrollin e pasurive për nëpunësit publikë, është forcimi i hetimit administrativ. Gjatë diskutimit të këtyre dy projektligjeve nga ana e opozitës u kërkuan më shumë detaje lidhur me gjobat që vendosen për zyrtarët, në rast të vonesave në deklarim. Deputetja e PS-së, Mimi Kodheli, kërkoi të dinte nëse ky nivel gjobash i është propozuar qeverisë apo është vendosur nga kjo e fundit. Duke iu referuar ligjeve të tjera në vende të BE-së, Kodheli u shpreh se ekzistojnë sanksione më të ashpra, sesa parashikon legjislacioni shqiptar. Pika rreth së cilës u debatua më gjatë, ishte ajo e deklarimit të shpenzimeve të ndryshme. Projektligji i ri i ILDKP-së thekon se tashmë zyrtarët do të duhet të deklarojnë shpenzimet për arsim, shëndetësi, arredim apo shpenzime të tjera të kësaj natyre, kur këto e kalojnë masën 500 mijë lekë për secilën kategori. “Ajo që dua të theksoj është që shpenzimet janë të specifikuara vetëm për një lloj të vetëm. Kemi të bëjmë për shpenzime të një lloji. Pra, në rast se një zyrtar gjatë vitit kryen shpenzime të ndryshme në lidhje me arsimin dhe këto në periudha të ndryshme të vitit, e në fund ato kapin vlerën totale 500 mijë lekë, atëherë ato janë shpenzime të deklarueshme”, sqaroi përfaqësuesja e ILDKP-së para deputetëve. Deputetët e Komisionit të Ekonomisë kërkuan gjithashtu sqarime lidhur me mënyrën se si do të bëhet deklarimi i dhuratave. “Në rastet që kemi pasur dhurata në shuma të caktuara, që quhen shuma të mëdha, gjithmonë është kërkuar dokumentacioni justifikues, për aq kohë sa mund të kërkohet, ndërsa për personin që e ka bërë këtë dhuratë ai kalon person i lidhur me zyrtarin dhe ILDKP i kërkon të bëjë deklarim me kërkesë. Pra, ai kalon subjekt i inspektorit të lartë”, sqaroi përfaqësuesja e ILDKP-së. Ndryshimet u cilësuan pozitive si nga ana e opozitës, ashtu dhe nga ana e maxhorancës, duke vlerësuar faktin se një pjesë e tyre duhet të ishin bërë më herët. Këto ndryshime, sikurse edhe u shpjegua, nuk kanë asnjë efekt në buxhet, ndërkohë që në fund Komisioni i Ekonomisë miratoi me votë të përbashkët projektligjet e propozuara nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë.











