Më shumë se një muaj përpara fillimit të Panairit të 14-të të librit, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve nga data 9 deri më datë 13 nëntor, Shoqëria e Librit Shqip ka dalë ditën e djeshme në një konferencë për shtyp, duke thënë se drejtimi që po merr zhvillimi i panairit nuk është aspak pozitiv. Pretendimi i parë i botuesve të Shoqërisë së Librit, që i drejtohej Petrit Ymerit, kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, i referohej ndarjes në mënyrë jo të drejtë të stendave. Përparësia që kishin në pozicionim disa shtëpi botuese kundrejt të tjerave, apo vendosja në qendër të sallës e librit shkollor, çmimi në euro i stendave etj. “Botuesit në gjendje më të mirë financiare e pranuan në heshtje rritjen e çmimit dhe nënshkruan të parët kontratat, sepse alternativë tjetër aktualisht nuk ka. Edhe pjesa më e madhe e botuesve pjesëtarë të ShLSh pranuan kohët e fundit të marrin pjesë në këtë panair, pasi me gjithë deformimet që ai po pëson, nuk mund ta bojkotonim atë në grup dhe të prishnin një traditë kaq të mirë, duke i munguar lexuesit. Duke bërë hakmarrjen e tij të vogël, organizatori Petrit Ymeri ka përjashtuar nga pjesëmarrja në sallën kryesore “Dudaj”-n, një nga botuesit më të rëndësishëm të librit artistik, pasi Arlinda Dudaj është sekretare e ShLSh, kurse botuesit tjetër dhe kryetarit të ShLSh, Ardian Klosi, nuk i ka dërguar as ftesë për pjesëmarrje”, u tha dje në komunikimin me shtypin. Si i akuzuari kryesor nga SHLSH, kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, thotë fjalën e vet rreth kësaj çështjeje. “Jam kujdesur vetë, në mënyrë të veçantë, që të lajmëroheshin të parët 6 botuesit e Shoqërisë së Librit dhe kjo punë ka nisur që në korrik. Asnjë preferencë nuk ka qoftë nga ana ime, qoftë e kolegëve të tjerë. Për mua janë të gjithë të barabartë. Është problem tjetër që botues që përmenden në deklaratë, si Ardian Klosi apo Arlinda Dudaj, nuk i përgjigjen ftesës. I kemi pritur, madje deri në javën e parë të shtatorit, duke u ruajtur hapësirat. Nuk erdhën. Ne nuk mund të largonim njërin botues për t’i thënë se po presim një tjetër, edhe im vëlla të ishte. Asgjë personale nuk kam me askënd, madje deri dje Ardiani ka përkthyer librat e mi. Vendin Arlinda e ka gati, në katin e dytë, por deri tani nuk ka ardhur të bëjë kontratën”. Por kjo që sqaron Ymeri, cekte vetëm njërën nga shqetësimet e Shoqërisë së Librit rreth këtij Panairi. Çështja e pagesave ishte gjithaq e rëndësishme. “Parvjet, tarifa e Panairit është paguar në euro, vjet ne kishim shpresa të mëdha për subvencione dhe e lamë pagesën në lekë dhe bëmë gabim. Vetëm në mars të këtij viti kemi mundur të mbyllim shlyerjen e detyrimeve të panairit të 2010-s. Ku ishin atëherë këta burra e gra? Për më tepër që firma që e ndërton, një pjesë e madhe e shërbimeve, materialet që importohen e shumë gjëra, bëhen të gjitha në euro. Këto jua kam treguar, dhe njëri prej botuesve, Fatmir Toçi, i di mirë këto gjëra, prandaj nuk flet. E gjithë kjo është lobing kundër nesh, duan të bëjnë pis Panairin, duke harruar që nuk është i botuesve, por i takon vetëm lexuesit”. a. jaupaj











