Shoqata e transportit kërkon rritjen e çmimit të biletës: 70 lekë për urbanët

Jan 19, 2012 | 11:57

Shoqata e Transportit Qytetës kërkon rritje të çmimit të biletave dhe aboneve në transportin publik në Tiranë. Nëse miratohen propozimet, çmimi i biletës do të shkojë deri në 70 lekë, nga 30 që është aktualisht. Ata që përdorin abonetë do të përballen me një rritje dyfish të çmimit të saj, nga 1300 lekë në 2600 lekë. Një grup pune me përfaqësues edhe nga Bashkia e Tiranës dhe Ministria e Transporteve është ngritur pak ditë më parë dhe ka hartuar një plan veprimi. Ky plan parashikon marrjen e një sërë masash deri në muajin prill, kur do të vendoset nëse biletat e transportit publik do të dyfishohen. Sipas përfaqësuesve të Shoqatës së Transportit Qytetës, vitin e kaluar janë bërë investime të mëdha, të cilat nuk u subvencionuan nga Bashkia e Tiranës. Po kështu, një tjetër arsye është rritja kolosale e çmimit të karburantit që prej vitit 2008, që ka bërë, sipas Shoqatës, të rrisë koston për këtë shërbim  “Në vitin 2008, kur ne propozuam rritjen e parë për biletën, nafta ishte  102 lekë litri, sot është 175 lekë litri. Pra ka një rritje me 68%. Nafta te ne zë 60 për qind të kostos. Që nga viti 2008 nuk është indeksuar rritja e çmimit të naftës me rritjen e çmimit të biletës”, shprehen përfaqësuesit e Shoqatës. Sipas tyre, në rast se propozimi i tyre nuk do të gjejë zbatim, do ta mbyllin fare biznesin, pasi për ta është falimentim. Ndërkohë, vula përfundimtare për këtë propozim i takon Këshillit të Ministrave. “Vitin e kaluar kemi bërë një investim jashtëzakonisht të madh, gati 19.2 milionë euro që kemi blerë autobusë me kilometër zero, autobusë me kushte komoditeti. Të gjitha këto rrisin kosto, ndryshe nga bizneset e tjera ne duhet që të akumulojmë”, thanë përfaqësuesit e Shoqatës. Sipas tyre, vetëm për linjën e Unazës janë blerë 20 autobusë të rinj dhe pritet të vijnë edhe 10 të tjerë. ”Rreth 70% e autobusëve që lëvizin në kryeqytet janë të rinj. Ende pa u zyrtarizuar mirë ky propozim, qytetarët e kundërshtojnë. Një pjesë e tyre shprehen se nëse bileta shkon 70 lekë, ata nuk do ta përdorin më autobusin. Rritja më e fundit e biletës së transportit urban u bë katër vjet më parë në maj të vitit 2008 me 10 lekë, duke e çuar çmimin nga 20 në 30 lekë.

© Panorama.al

Te lidhura