Shkup, për 200 mijë shqiptarë, vetëm një shkollë në gjuhën shqipe

Sep 28, 2011 | 17:05

E përditshmja shqiptare në Maqedoni, Koha, ka ngritur sot shqetësimin e mungesës së shkollave shqipe në kryeqytetin maqedonas, Shkup.

Gazeta raporton se “sipas përqindjes së shqiptarëve në qytetin e Shkupit, por edhe të numrit të nxënësve në shkolla të veçanta, shqiptarët duhet të udhëheqin të paktën edhe katër shkolla të mesme. Mirëpo, shqiptarët e kryeqytetit kanë mbetur ende në kohën e ish-Jugosllavisë, kur kishin vetëm një shkollë të mesme. Nga 26 shkolla të mesme, shqiptarëve u është lënë menaxhimi i tërësishëm vetëm i “Zef Lush Markut”, gjimnazit më të stërngarkuar në Shkup.

Përveç diskriminimit në vazhdimësi që i është bërë arsimit shqip në pjesën jug-lindore dhe qendrore të Maqedonisë, aty ku shqiptarët janë pakicë, shkruan më tej Koha, është edhe një diskriminim tjetër që u bëhet rreth 200 mijë shqiptarëve të kryeqytetit.

Konkretisht, prej 26 shkollave të mesme (komunale dhe shtetërore), të cilat funksionojnë në qytetin e Shkupit, vetëm një gjimnaz drejtohet nga shqiptarët.

Lidhur me këtë sipas gazetës ka reaguar edhe ambasadori shqiptar në Shkup, Arben Çejku.

“Për 200 mijë shqiptarët e Shkupit ka vetëm një shkollë të mesme në gjuhën shqipe, gjimnazi ‘Zef Lush Marku’”, u shpreh Çejku, teksa kërkoi nga zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Safet Neziri, të merren masa për përmirësimin e infrastrukturës së shkollimit në gjuhën shqipe.”

Sot, Çejku pritej të takohej me ministrin e ri të Arsimit, Pançe Kralev, të cilit pritet t’ia përcjellë shqetësimet e Tiranës zyrtare për diskriminimin arsimor që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë, e në këtë kontest, edhe të shqiptarëve të kryeqytetit.

© Panorama.al

Te lidhura