Shkup, marrëveshje për regjistrimin e popullsisë

Sep 7, 2011 | 9:12

SHKUP- Arrihet marrëveshja për regjistrimin e popullsisë në Maqedoni, proces qe nis prej 1 deri më 15 tetor.

Dy partitë e koalicionit VMRO-DPMNE dhe BDI kane rende dakord që të pranojnë propozimin e anëtarëve shqiptarë të Komisionit Shtetëror për Regjistrim (KSHR), qe parashihet që regjistruesit në rajonet e banuara me shqiptarë të jenë kryesisht shqiptarë dhe të pasqyrojnë numrin e etniteteve që jetojnë në ato rajone.

Ky problem deri tani kishte bllokuar procesin e parapërgatitjeve përfundimtare për regjistrimin, pasi që anëtarët maqedonas dhe kryetarja Vesna Janevska kërkonte që në zonat shqiptare ta kryenin regjistrimin ekipe të përziera të etniteteve.

“Është arritur marrëveshja që të respektohet struktura etnike e rajoneve të regjistrimit dhe në bazë të saj do të formohen edhe ekipet e regjistruesve”, deklaroi zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, Musa Xhaferi, duke theksuar se këtë e parasheh edhe ligji për regjistrimin.

KSHR pritet që sot të shpallë konkursin për regjistrues, në të cilën është paraparë respektimi i përfaqësimit të të gjitha komuniteteve. KSHR ka theksuar se do të vlerësohen si valide edhe të gjitha aplikacionet që ishin dorëzuar nga kandidatët e interesuar për regjistrues në afatin e parë të regjistrimit që ishte paraparë për muajin prill të këtij viti, por që u anulua për shkak të zgjedhjeve të parakohshme të qershorit.

Pavarësisht këtij vendimi, PDSH si partia më e madhe opozitare shqiptare ka kërkuar shtyerjen e regjistrimit për muajin korrik të vitit të ardhshëm, me qëllim të mos anashkalimit të diasporës shqiptare, e cila është mbi 200 mijë qytetarë që jetojnë jashtë vendit. (INA)

© Panorama.al

Te lidhura