
Pas sherrit në Shirokë, e qëllon dhe e hedh buzë liqenit.
Masakron gruan me thikë në buzë të liqenit të Shkodrës. Një ngjarje e rëndë ndodhi paraditen e djeshme në aksin rrugor Shirokë-Zogaj. Sami Bajraku, 51 vjeç, pasi ka pirë një kafe me bashkëshorten e tij 47-vjeçare, Vjollcën, në një lokal buzë liqenit, në debat e sipër e ka qëlluar atë me thikë. Fatmirësisht gruaja u gjet e gjallë rreth 2 orë pas këtij akti, ndonëse në gjendje të rëndë shëndetësore. Vetë i shoqi, i cili mendoi se e kishte vrarë gruan, është kthyer në qytet dhe është drejtuar për në Drejtorinë e Policisë, ku u ka treguar atyre se ka kryer një krim. “Kam vrarë gruan me thikë. Trupi i saj është në rrugën që të çon në Zogaj”. Këto kanë qenë fjalët e 51-vjeçarit Sami Bajraku, sapo ka mbërritur në Policinë e Shkodrës. Pas kësaj, shërbimet policore të organizuara menjëherë, janë nisur me shpejtësi në drejtim të lagjes turistike të Zogajve. Pasi kanë kërkuar rreth një orë, 1 km larg nga vendi ku u kishte treguar 51-vjeçari, policia ka mundur ta gjejë gruan të plagosur dhe në gjendje të rëndë. Më pas, ajo është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku dhe i është dhënë ndihma e parë. Burime nga spitali i Shkodrës bëjnë të ditur se 47-vjeçarja Vjollca Bajraku ndodhet në gjendje të rëndë dhe ende nuk e ka kaluar rrezikun për jetën, si rezultat i plagëve që i janë shkaktuar nga arma e ftohë me të cilën e ka qëlluar bashkëshorti i saj. Pas kësaj, policia ka arrestuar menjëherë Sami Bajrakun, i cili pasi ka qarë duke u penduar për veprën e kryer, u ka pohuar policëve se arsyeja e këtij veprimi ka qenë xhelozia ndaj bashkëshortes.
Paradreken e ditës së djeshme, çifti Bajraku ka dalë për të pirë kafe në një nga lokalet e shumta buzë liqenit të Shkodrës, në lagjen Shirokë. Pasi janë ulur, kanë porositur kafetë dhe më pas në bisedë e sipër kanë filluar të grinden njëri me tjetrin. Nga pohimet e Samiut para uniformave blu, shkaku i kësaj grindjeje ka qenë xhelozia e bashkëshortit ndaj të shoqes. Debati është acaruar shumë, saqë ka tërhequr edhe vëmendjen e klientëve të tjerë që ndodheshin në lokal. Më pas, të dy bashkëshortët kanë paguar kafetë dhe kanë dalë nga lokali duke vazhduar rrugën me makinën e tyre në drejtin të lagjes Zogaj. Pas kanë ecur nja 10 minuta me makinë, Samiu ka ndaluar makinën buzë rrugës, kanë zbritur të dy burrë e grua dhe kanë filluar sërish të grinden. Në atë moment, Samiu ka nxjerrë thikën në grindje e sipër, duke e qëlluar bashkëshorten e tij në trup. Më pas, ai ka hedhur atë poshtë rrugës dhe është larguar. Pas kësaj, 51-vjeçari Sami Bajraku është drejtuar në drejtorinë e policisë, ku u ka pohuar atyre se ka vrarë gruan e tij me thikë dhe trupin e saj e ka hedhur poshtë rrugës në drejtim të liqenit.
Burime nga Drejtoria e Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se sapo Sami Bajraku është vetëdorëzuar duke pohuar se kishte therur me thikë gruan e tij, u ka treguar gjithashtu edhe vendin se ku e kishte lënë trupin e bashkëshortes. Grupe të uniformave blu janë nisur me shpejtësi në drejtim të Zogajve. Shiu i furishëm dhe moti i errësuar nga retë e dendura e kanë vështirësuar pamjen për gjetjen e trupit të 47-vjeçares. Fatmirësisht, pas 2 orë kërkimesh në breg të liqenit, në afërsi të vendit që u ka treguar 51-vjeçari, është bërë e mundur gjetja e trupit të gruas. Por çudia e të gjithëve ka qenë kur gruaja ishte ende gjallë dhe reagonte. Pas kësaj, gruaja është dërguar me urgjencë në spitalin rajonal të Shkodrës, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje urgjente. “Gruaja kishte marrë një plagë të thellë në bark dhe kishte humbur shumë gjak”, shprehen burime nga spitali, të cilat gjithashtu pohojnë se 47-vjeçarja është në gjendje shumë të rëndë për jetën.
Familja Bajraku, me dy fëmijë të rritur
Për Policinë e Shkodrës nuk ka qenë e vështirë për të përcaktuar se cilat kanë qenë motivet që e kanë çuar 51-vjeçarin të qëllojë bashkëshorten e tij me thikë, pasi pas dorëzimit të tij në polici ai e ka pohuar se ka qenë xheloz për gruan. Madje, ky shkak ka qenë temë e grindjes që kishin filluar që në lokal, derisa më pas ai ka vendosur që në gjaknxehtësi e sipër ta qëllojë atë edhe me thikë në bark. Çifti Bajraku jetonte në lagjen “Daniel Matlija”, në qytetin e Shkodrës. Ata nga 23 vite martesë kishin dy fëmijë, një djalë 21 vjeç dhe një vajzë 18 vjeçe. Banorët e lagjes ku banon familja Bajraku janë shprehur të habitur kur kanë mësuar se çfarë kishte ndodhur mes çiftit, pasi ata e njihnin si një familje të qetë, pa probleme. Madje nuk kishin dëgjuar asnjëherë se mes tyre ka pasur probleme të tilla që të çonin deri në grindje, e aq më shumë që të shkonte puna deri aty sa Samiu të tentonte ta vriste bashkëshorten e tij me thikë.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











