Shkodër, banorët e Bushatit: Duam dëmshpërblim nga HEC i Ashtës

May 17, 2011 | 11:00
Nga punimet e HEC-it

SHKODER – Dyzet e pesë familje në komunën e Bushatit në Shkodër kërkojnë shpronësimin nga Hidrocentrali i Ashtës. “Na është thënë se do të kompensohemi për tokën që del jashtë përdorimit për shkak të ndërtimit të hidrocentralit brenda pak muajsh, por ka kaluar një vit e gjysmë dhe as që është kujtuar kush për këtë problem”, thonë ata. Banorët ankohen se me ardhjen e pranverës ata kanë mbetur pa punuar tokën, pasi ajo ka dalë jashtë përdorimit. “Ne kërkojmë që bashkë me dëmshpërblimin e tokës të llogaritet edhe dëmi që na është shkaktuar këtë periudhë”, protestojnë fermerët. Nga ana e tyre, përfaqësuesit e firmës austriake “Verbung” e pranojnë se ekziston një problem i tillë dhe se janë të shqetësuar deri në zgjidhjen e tij. Ata e largojnë përgjegjësinë prej vetes, duke ua kaluar institucioneve shtetërore. Sipas drejtuesve të kompanisë së huaj, procesi i shpronësimeve ka mbetur pezull sepse nuk janë plotësuar procedurat e shpronësimeve dhe nuk janë ende të qarta shumat e lekëve që do të marrin familjet e prekura nga ndërtimi i Hidrocentralit të Ashtës. Hidrocentrali i Ashtës është me i riu dhe i fundit që po ndërtohet në kaskadën e Drinit. Punimet e tij nisën në mars të vitit 2010 dhe pritet të përfundojnë në fund të vitit 2012. Hidrocentrali i Ashtës është projektuar të jetë më i madhi që përdor teknologjinë e turbinave HydroMatrix në të gjithë botën. Digat e këtij hidrocentrali do të përmirësojnë ndjeshëm mbrojtjen ndaj përmbytjeve të fshatit Kosmaç, i cili ndodhet në afërsi të këtij hidrocentrali.              r.d

© Panorama.al

Te lidhura