Shkeljet në tendera, SPAK i kërkon Belinda Ballukut të paraqitet sot për t’u njohur me akuzat

Oct 31, 2025 | 7:32

SPAK përmes një fletëthirrjeje të dytë i ka kërkuar zv.kryeministres Belinda Ballku që mesditën e sotme të paraqitet në ambientet e Prokurorisë së Posaçme e shoqëruar nga avokati.

balluku

Nuk dihet nëse do të shkojë apo jo, por ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë nuk u paraqit të hënën në ambientet e SPAK-ut, ku ishte thirrur për t’u njohur me akuzën zyrtare ndaj saj. Ajo u justifikua me nje vizite zyrtare në Bukuresht.

Por prokurori Dritan Prençi dërgoi një fletëthirrje të re në adresën e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Në këtë thirrje të dytë, Balluku njoftohet të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme ditën e premte, e shoqëruar nga avokati i saj mbrojtës.

Prokurori i kujton se, në rast se ajo nuk paraqitet vullnetarisht, do të merren masa për shoqërimin e saj të detyruar pranë SPAKut.

Belinda Balluku është nën hetim për akuzën e “Shkeljes së barazisë në tenderat publikë”. Ky zhvillim vjen në kuadër të hetimeve të nisura nga SPAK mbi procedurat e tenderimeve në institucionet që ajo ka drejtuar, pas arrestimit të disa ish-vartësve të saj në ministri dhe në Entin Kombëtar të Rrugëve.

Kreu i opozitës, Sali Berisha, denoncoi dje kërcënimin, që sipas tij, Kryeministri Rama i ka bërë prokurorit të SPAKut, Dritan Premçi, që heton zëvendëskryeministren Belinda Balluku.

© Panorama.al

Te lidhura