
Shtëpitë karakteristike gjirokastrite po rrënohen përditë dhe një prej faktorëve kryesorë janë kushtet atmosferike. Reshjet e shumta të ditëve të fundit, shoqëruar me erë të fortë, kanë shkatërruar banesën e Kokobobove në lagjen “Palorto”, përballë me gjimnazin “Asim Zeneli”. Një pjesë e mirë e ndërtesë është shkatërruar plotësisht, duke nxjerrë në pah konstruktet e themelta dhe muret anësore mbajtëse, të cilat nuk i rezistuan dot rrebeshit të shiut dhe dëborës së 10 ditëve më parë. Rrëzimi i 1/3 së banesës ka pasur për dëshmitar Apostol Urën, një prej banorëve të kësaj lagjeje, i cili kalonte krejt rastësisht nga udha që të çonte në pjesën jugore të lagjes. Banori 77-vjeçar thotë se banesa e Kokobobove u rrëzua në momentin kur ai po kalonte në mesditë drejt shtëpisë së tij. “Pasi dola në pazar për të shpenzuar, u ktheva drejt shtëpisë. Fillimisht ndjeva një tronditje dhe më pas u shemb banesa pranë rrugës së kalldrëmtë”, shprehet për gazetën i moshuari, i cili nuk e fshehu gëzimin që shpëtoi nga vdekja pas turrjes së gurëve, që ranë pak metra larg tij. Banesa e Kokobobove figuron në listën e trashëgimisë kulturore dhe hyn në monumentet e kategorisë së parë. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare ka ndërhyrë disa herë për të shmangur rrezikshmërinë që paraqesin këto objekte banimi, të cilat gjenden në zona të rrahura nga këmbësorët. Ndonëse ky institucion pati lajmëruar herët të gjitha organet kompetente për rrezikshmërinë që paraqesin objekte të tilla, askush nuk ka marrë guximin të ndërhyjë duke e rigjeneruar me fonde. Banesat e tjera që janë të kategorisë së parë dhe të dytë, të cilat kërkojnë ndërhyrje emer-gjente, janë ato të Hadërajve dhe Cuberajve, të cilat ashtu si dhe Kokobobot, ndodhen në zona të banuara dhe me aktivitet intensiv të qytetarëve dhe institucioneve. Për këtë vit, qeveria shqiptare pati premtuar rigjenerim total të banesës së porsarrëzuar të Kokobobove, ku do të investonte 6.3 milionë lekë. Me ngjarjen e djeshme, ky fond duket i pamjaftueshëm, pasi kërkohet një ndërhyrje më e madhe për të konsoliduar bazën murale dhe çatinë në zonën ku dhe u përmbys.
GJIROKASTER/ PIRO NASE











