Shishtaveci, një mrekulli natyre mes tre shtetesh

Dec 12, 2011 | 13:58

Rruga për në Shishtavec, para se të futesh në Grykën e Famshme të Vanave, të detyron të dalësh nga autostrada dhe të hipësh në urën e vjetër të uzinës duke lënë të renë, që është madhështore dhe e vjetra duket si rrënjë katrore e saj. Kilometrat e para të rrugës nacionale Kukës-Shishtavec, 40 km e gjatë, janë shtruar me asfalt dhe tashmë kalimi në dy tunelet në formë shpelle është shmangur. Pesë kilometrat e para janë një shmangie nga rruga e vjetër dhe traseja e së resë është bërë nëpër shtratin e Lumës, një lumë kapriçioz, që i ka çarë si me thikë dhe i ndan në një kanion të paparë malet e Gjallicës dhe Koritnikut. Luginës duket se po i prishet qetësia shekullore dhe lumit mbretërimi me gurgullimat nëpër shkëmbinj e gjire, pasi janë ngritur kantieret për ndërtimin e HC-ve dhe rrugës së re, që shkon gjithkund përbri lumit dhe shkëmbinjve sipër, me qindra metra të lartë që duket se nga moment në moment të bien përsipër. Me ngjitjen në lartësi dalin dhe vështirësitë e shumta në rrugën me akull e dëborë. Megjithëse është rrugë nacionale, askush që nga ura deri në Shishtavec, nuk gjendet duke mirëmbajtur atë. Bashkë me shoferin makina e të cilit nxin akullin me rrëshqitjet e gomave, detyrohemi të shkulim dhe nga faqja e malit për ta hedhur poshtë gomave, por dhe kjo është e pamundur sepse edhe dheu është i ngrirë. Pas shumë ecejakesh e rreziqesh, gjendemi në Shishtavec.
Fshati
Fshati është i mbledhur dhe shtëpitë janë përbri njëra-tjetrës, sikur duan të jenë bashkë për të përballuar natyrën që përveç bukurisë së rrallë u ka sjellë dhe vështirësi në jetën e përditshme të tyre. Është drekë dhe rrezet e diellit shkëlqejnë mbi dëborë. Zëri i hoxhës nga altoparlantet e xhamisë i nxjerr burrat nga lokalet e shumta të fshatit. Në qendrën e tij mblidhen kryesisht burra e fëmijë, pasi gratë më shumë merren me punët e shtëpisë. Nga rrugicat në qendër banorët nuk ecin, por rrëshqasin në akull e dëborë. Të gjithë, pleq, gra, burra e fëmijë janë skiatorë profesionistë, saqë dhe me barrën e kashtës në shpinë ata rrëshqasin. Fshati është i njohur ndër dekada si fshati kampion vendi në ski me ekipin Morava. Halim Draga, një i ri nga fshati ka dalë kampion në Maqedoni dhe gjithë fshati këto ditë jeton me jehonën e pritshme të zhvillimit të kampionatit të skive. “Natyra i ka falur Shishtavecit këtë mrekulli. Ne si fshat nuk duam që kjo traditë të shuhet. Kërkojmë mbështetje nga shteti që të ndërtojmë pistën meqenëse natyra na e ka falur atë. Të ndërtojmë hotele e bujtina. Të presim mysafirë të huaj e vendës”, thotë Meçja, (Mehmet Bala), një burrë vigan me mustaqe të zeza kampion dhe trajner i skive, por dhe një kuzhinier e mikpritës në lokalin e tij në qendër të fshatit. Jo vetëm skitë, por dhe atletika, kalërimi, hedhja e gurit, tërheqja e litarit janë sporte që nuk janë shuar ndër shekuj në lëndinat e pafundme më lule e bar në verë, e me dëborë në dimër. Shpeshherë festat dhe dasmat kthehen në lojëra sportive mes banorëve dhe të ftuarve. Së fundi është zhvilluar një panair lokal me mbështetjen financiare të Agjencisë së Zhvillimit të Zonave Malore dhe FZHSH-së Kukës. Veshjet popullore e tradita e gatimit me të gjitha produktet bio, me pataten e famshme e me çorbën e gorës, mishin dhe ëmbëlsirat, (plot 130 gatimeve tradicionale) janë pjesë e këtij panairi në komunën 5 mijë banorëshe, të shpërndarë në 7 fshatra.
Jetesa
Shishtavecarët janë të njohur si muratorë, kuzhinierë e kamerierë të famshëm, e mbi të gjitha rritës të patates unikale për nga vlerat dhe prodhimi në shkallë rajoni. Banorët duket se punojnë gjysmën e vitit dhe gjysmën tjetër konsumojnë atë çfarë kanë siguruar. Gjatë gjithë verës janë marrë me punët e bujqësisë, blegtorinë dhe me punësime sezonale në Kosovë e Maqedoni. Duket se sivjet patatja nuk po jep të ardhura për ta, kështu që prodhimi për t’i shpëtuar ngricave është shtratifikuar në gropa, në pritje të gjetjes së tregut. Embargoja e mallrave mes Kosovës dhe Serbisë ka bërë që prodhimi nga Kosova të vijë në Shqipëri. Asllan Noka, specialist, por dhe një prodhues i patates nga fshati fqinj, Novosej, thotë se ka shumë familje që kanë prodhuar nga 1-5 tonë patate, por në fshat ka dhe rekordmenë të prodhimit të sivjetshëm, deri në 20 ton. Patatja dhe gatimet me këtë perime zënë edhe ushqimin kryesor të banorëve. Banorët në gjashtë muaj janë të izoluar nga dimri dhe dëbora e madhe. “Fatmirësisht, rruga që na lidh me Kukësin ka nisur të shtrohet. Banorët këtu janë rritur më vështirësitë. Ajo që ne duam është që këto pasuri të rralla të vihen në punë e të sjellin të ardhura. Jemi në një perlë të natyrës shqiptare, në trekëndëshin kufitar Shqipëri-Kosovë–Maqedoni dhe zhvillimi i agro-turizmit është një potencial i madh zhvillimi. Ne po hartojmë projekte për këtë qëllim dhe presim mbështetje nga shteti dhe fondacionet e ndryshme”, thotë kreu i komunës, Dylejman Nela, i zgjedhur nga banorët pesë herë radhazi për të drejtuar komunën.

Gjuha dhe zakonet gorane
Komuna e Shishtavecit është në zonën e Gorës. Banorët e nëntë fshatrave në këtë zonë flasin gjuhen gorane, një sllavishte e pashkruar që anon më shumë nga maqedonishtja. Gjuha e tyre është ruajtur e transmetuar ndër shekuj dhe në shtëpitë e tyre goranët këtë gjuhë flasin. Fëmijët vetëm në kopshte e në klasën e parë marrin kontaktet me shqipen. Jo vetëm gjuha, por dhe mjaft zakone e tradita origjinale e bëjnë unikale këtë trevë. Studiuesi më i njohur i gjuhës dhe kulturës gorane është Nazif Dokle, i cili ka mbledhur folklorin dhe leksikun e Gorës e ka botuar atë.

Komuna kufitare, ilaçet e ushqimet në Kosovë
Shumë djem nga fshati kanë emigruar dhe sjellin të ardhura për familjet e tyre, kryesisht nga Anglia. Shishtavecarët e shpërndarë në të gjithë Shqipërinë, por dhe jashtë nuk e harrojnë kurrë vendin dhe fshatin e tyre. Shishtaveci është fare pranë kufirit me Kosovën. Ende gjurmët e ndryshkura të kufirit me tela me gjemba janë aty-këtu, ndërkohë që piramida e betontë tek ish-posta kufitare po mbulohet nga bari dhe bimët duke e hedhur përmbys. Kresheva dhe fshatrat e Dragashit në Kosovë, janë pjesa tjetër e Gorës e mbetur jashtë kufirit. Banorët kanë rivendosur lidhjet pas shumë dekadash izolim dhe për ta dyqanet, farmacitë e magazinat e Dragashit janë ende shpëtimi në ditët me borë e mot të keq. Fshatrat janë fare afër dhe tashmë ekziston një pikë e kalimit të kufirit, ku banorët janë të lirë që me pasaportë apo kartë identiteti të kalojnë në Kosovë në këmbë ose me kuaj, Ende automjetet nuk lejohen të kalojnë. Përveç kësaj pike, edhe në Borje, një tjetër fshat i komunës ka pikë kalimi. Banorët kërkojnë që pikat të kthehen në doganore dhe të ketë orar me të zgjatur të hyrje-daljeve.

KUKES/ JONUZ HALLAÇI

© Panorama.al

Te lidhura