Shirat rritin prurjet në Drin, ja sa u shtua niveli i HEC-eve

Dec 7, 2011 | 13:43

Shirat që kanë përfshirë këto ditë gjithë vendin kanë ndikuar direkt në prurjet e ujit në liqenet e hidrocentraleve në vend dhe efekti i tyre ka filluar të ndjehet. Në kohën kur KESH kishte vënë alarmin për thatësirën e tejzgjatur, që po çonte hidrocentralet në nivele kritike dhe po detyronte që gjithmonë e më shumë të prodhohej me pak në vend dhe të importohej më shumë nga jashtë, shiu duket se ka stabilizuar sadopak situatën. Fierza, që është edhe hidrocentrali kryesor në vend dhe në kaskadën e Drinit, ka kapur sërish nivelin 259.5 metra, nga afërsia me pikën kritike që kishte pak ditë më parë. Prurjet në të kanë qenë 240 m3/sek nga 35 që ishin rreth një javë më parë. Ndërkohë që prurjet kanë qenë në një nivel të mirë, rreth 700 m3/sek edhe në hidrocentralin e Komanit, ku niveli ishte dje 273.58 metra. Ndërsa në hidrocentralin e tretë të kaskadës së Drinit, Vaun e Dejës, prurjet kanë qenë 150 m3/sek dhe niveli 78.81 metra. Përmirësimi i situatës hidrike në hidrocentrale pritet të ndikojë direkt edhe në rritjen e prodhimit në vend, në një kohë kur KESH kishte menduar që nëse thatësira do të vijonte, do të fillonte me prodhimin e energjisë në Termocentralin e Vlorës. Konsumi i energjisë në vend ka qenë mbi 22 milionë kilovatë, në një mesatare të përgjithshme, dhe një pjesë e mirë e kësaj energjie është siguruar nga importi, ndërkohë që nga hidrocentralet pritej prodhimi në orët e pikut. KESH ka siguruar kontratën e importit për dhjetorin dhe për periudhën në vazhdim.

259.5 metra
ishte dje niveli i Fierzës, ndërkohë që niveli maksimal i lejuar për periudhën e dimrit është 296 metra. Prurjet ditën e djeshme në këtë hidrocentral ishin 240 m3/sek.

Niveli i hidrocentraleve
. Hidrocentrali i Fierzës
Sasia e prurjeve     240 m3/sek
Niveli i liqenit    259.5 metra

. Hidrocentrali i Komanit
Sasia e prurjeve     700 m3/sek
Niveli i liqenit    273.58 metra

. Hidrocentrali i Vau i Dejës
Sasia e prurjeve     150 m3/sek
Niveli i liqenit    78.81 metra

Deklarata: Ndryshimi i klimës probleme për energjinë
Ndotja, ndryshimet klimaterike dhe pasojat që ato sjellin në mjedis. Këto ishin çështjet kryesore që u diskutuan dje gjatë tryezës së rrumbullakët me ekspertë, organizuar nga fondacioni “Konrad Adenauer” në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit. Mungesa e reshjeve këtë vit është cilësuar fatale nga specialistët e fushës. Sipas tyre, sektori më i prekur është ai energjetik. Përballë kësaj situate, ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, theksoi se po synohet të shtohen veprat hidroenergjetike. “Janë mbi 150 hidrocentrale të mesme dhe të mëdha, të dhëna me koncesion deri tani, ku ndër më të mëdhatë mund të përmendim hidrocentralin në kaskadën e lumit Devoll dhe atë të Ashtës. Po ashtu, Shqipëria ka mbështetur dhe i sheh me interes projektet në fushën e energjisë së erës, parqet eolike po ndërtohen dhe së shpejti do të nisin edhe nga prodhimi i energjisë së erës”, tha Mediu. Ai shtoi se rritja e eficiencës së energjisë është një prioritet që duhet parë me vëmendje nga Ministria e Mjedisit dhe ministria e linjës. “Ne kemi shumë rezerva në këtë drejtim. Eficiencë në përdorimin e energjisë do të thotë që në çdo moment ajo të përbëjë prioritet në investimet tona, eficiencë do të thotë shfrytëzimi me kritere të sakta e të gjitha burimeve ekzistuese të energjisë”, u shpreh  Mediu. Gjithashtu u diskutua lidhur me masat që duhet të merren për të evituar përmbytjet e mundshme si dhe erozionin. Ndryshimet e klimës po shoqërohen me një përhapje të madhe të erozionit jo vetëm në brigjet e lumenjve, por edhe në tokat bujqësore, ndaj është kërkuar hartimi i një strategjie kombëtare për t’iu përshtatur ndryshimeve të klimës. Nga sa theksoi ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, për t’u bërë ballë përmbytjeve në Ultësirën e Shkodrës, Mediu tha se 10 milionë euro investime kanë nisur të zbatohen për fazën e parë. Sipas tij, në një fazë të dytë duhet të bëhet thellimi i Bunës. “Janë 10 milionë dollarë, të cilat janë futur në investime në Shkodër, si buxheti i qeverisë. Një mbështetje po ashtu është dhënë edhe nga Banka Botërore. Janë tri faza, të cilat po merren: ndërhyrjet e emergjencës, ndërhyrjet afatmesme dhe ndërhyrjet perspektive. Shmangia totale e përmbytjes kërkon investime në vazhdim”, tha Mediu. Sipas ministrit, faza e dytë është thellimi i Bunës në gjysmën e sipërme të Bunës, për t’i sjellë në të njëjtin nivel ujëmbajtës si pjesën e poshtme, ashtu dhe pjesën e sipërme. “Do të merren masa të tjera në perspektivë për të gjithë basenin e ujëmbledhësit të Shkodrës, për të shmangur efektet që tashmë dihen”, nënvizoi ministri.

© Panorama.al

Te lidhura