Shi golash në Kupë, por s’thyhet rekordi

Sep 29, 2011 | 10:17
Foto ilustruese

Flamurtari, Tirana, Laçi, Shkumbini, përveçse u kualifikuan për në turin tjetër, sigluan dje goleada në përballjet e kthimit të Kupës së Shqipërisë. Nga elitaret “mbeti në klasë” vetëm Tomori, i eliminuar nga Luftëtari. Ndeshjet e kthimit të Kupës ishin më shumë se takime stërvitore, që zakonisht skuadrat e Superiores bëjnë brenda grupit gjatë javës. Madje, nuk bën vaki as në stërvitje (normal ka inat edhe aty), që një ndeshje të përfundojë 11-0, sikundër ajo e djeshmja në Vlorë. Vendësit nuk u kursyen për asnjë moment, edhe pse përballë kishin një ekip adoleshentësh, që kishte udhëtuar për kilometra të tërë, pikë së pari për të respektuar këtë kompeticion, pasi rezultati 4-1 i arritur që në ndeshjen e parë në Bilisht, as që u lejonte këtyre të fundit që ta çonin ndërmend kualifikimin. Të njëjtën gjë por me më pak gola bënë edhe Laçi ndaj Skraparit, Tirana ndaj Himarës dhe Shkumbini ndaj Burrelit, duke sigluar goleada, që më shumë se për kalimin e turit vlejnë vetëm për statistika. Faktikisht, ndeshjet e kupës kanë dhuruar gjithnjë rezultate me shumë gola, kjo edhe për faktin se ekipet inferiore, ato që vijnë kryesisht nga Kategoria e Parë jo vetëm që nuk pretendojnë kualifikimin, por hedhin në fushë edhe shumë lojtarë të rinj, duke u dhënë kështu mundësi skuadra elitare që “të shkrydhin” këmbët në kuptimin e plotë të fjalës. Por, gjithsesi, rekordin e golave në një ndeshje të Kupës së Shqipërisë e mban Apolonia e Fierit në edicionin 1996/97. Në 1/8 e finaleve të atij edicioni fierakët mundën 13-0 Tepelenën, duke sigluar kështu rezultatin më të thellë të arritur nga një skuadër në kompeticionin e Kupës. Para fierakëve rekordin e mbante Teuta e Durrësit, e cila në sezonin 91-92 pat mundur 12-0 Egantian e Rrogozhinës. Po me këtë rezultat, po atë vit Apolonia pat mundur Përmetin. Goleadat vazhdojnë më pas me fitoren e djeshme të vlonjatëve 11-0 ndaj Bilishtit, të Egnatias në 2003-2004, po 11-0 ndaj Domosdovës dhe Partizanit në 1958 ndaj lezhjanëve (11-0). Ndërkaq, fitore 10-0 kanë arritur Partizani ndaj Puna Shkodër më 1950, dhe Puna Berat më 1953; Dinamo ndaj Korabit më 1960 dhe Tirana ndaj Luftëtarit më 1961-in. Sakaq, për t’i rikthyer realitetit, vlen të theksohet se e vetmja skuadër nga Kategoria Superiore që nuk u kualifikua për në ndeshjet në grupe të Kupës së Shqipërisë (formati i ri ndan ekipet në grupe, njëlloj sikundër është Champions League ose Liga e Europës), ishte Tomori. Beratasit barazuan pa gola me Luftëtarin dhe, nisur nga rezultati 1-0 i ndeshjes së parë për gjirokastritët, i dhanë lamtumirën këtij kompeticioni pa pretenduar për asgjë më shumë.

Grupi A
Skënderbeu-Tërbuni s’u luajt (2-1)
Vllaznia-Butrinti        2-0 (3-2)
Shënues: Hajdari 5′, Sukaj 78′
Tirana-Himara        7-1 (3-0)
Shënues: Morina 12, 24′, 28′, 77′, Ferraj 50′, 69′, Duro 58’/ Çuçllani 78′
Kastrioti-Gramshi        2-1 (2-1)
Shënues: Tepshi 13′ Caca 80’/ Myftaraj 24′
Shkumbini-Burreli        7-0 (1-2)
Shënues: Çutra 12′, Lluca 15′, 58′, 75′, Xhyra 35′, A.Magani 54′, Balliu 56′
Pogradeci-ADA        2-0 (2-1)
Shënues: Eminhazeri 32′, Çela 61′
Kamza-Lushnja        1-0 (1-2)
Shënues: Oladotun 9′
Besa-Besëlidhja        2-0 (2-0)
Shënues: Dushku 2′, Çelhaka 67′

Grupi B
Flamurtari-Bilishti        11-0 (4-1)
Shënues: Idirzaj 7′, 40′, 50′, Begaj 10′, 70′, Shtubina 30′, Bërkiç 56′, Shehaj 65′, 80′, Qejvani 75′, Xhani 90′
Laçi-Skrapari        8-2 (3-0)
Shënues: Hithi 27′, Ferra 65′, Marashi 70′, Selimi 75′, Emurllai 77′, 85′, 89′, 90+2’/ Killo 87′, Sinani 90′ (p)
Bylis-Iliria            1-1 (6-1)
Shënues: Gega 57’/ Mitraj 72′
Teuta-Kukësi        3-1 (1-1)
Shënues: Lila 56′ (autg), Pepa 62′, Çota 89′ (p)/ Spahiu 90+1′
Dinamo-Vlora        3-0 (3-0)
Shënues: Daja 36′, Lala 66′, Berberi 81′
Tomori-Luftëtari        0-0 (0-1)
Apolonia-Gramozi        3-1 (5-1)
Shënues: Cimili 23′, Agastra 26′, Pepaj 49’/ Nelaj 80′
Elbasani-Mamurrasi    3-1 (0-1)
Shënues: Galica 56′, 75′, Gava, 80’/ Dashi 71′

LEONARD KARAJ

© Panorama.al

Te lidhura