
Prokuroria e Korçës ka dhënë pretencën e saj për babanë tutor dhe katër klientët e vajzave të tij të mitura. Po shkon drejt fundit gjyqi i çështjes tronditëse, ku një 51-vjeçar akuzohet se ka shfrytëzuar të bijat fare të vogla. Pretenca e djeshme y dha pas rreth 8 muajsh gjykimi ku para togave të zeza janë sjellë provat, mbështetur kryesisht nga persona, të cilët direkt apo indirekt kanë pasur lidhje me çështjen, gjithashtu janë marrë në pyetje dëshmitarë të ndryshëm, mes të cilëve edhe vetë vajzat e prostituuara dhe nëna e tyre. Pasi ka paraqitur të gjitha provat dhe dëshmitë e nevojshme, organi i akuzës ka kërkuar 15 vjet burg për Pëllumb Mullajn, babai i 2 vajzave të shfrytëzuara, nga 15 vjet secilit për klientët Andrea Nameti, 69 vjeç dhe Skënder Korollari, 35 vjeç. Duke u cilësuar si të përfshirë në këtë çështje, pasi sipas akuzës kanë kryer marrëdhënie me dy të miturat, nuk i kanë shpëtuar akuzës as dy të moshuarit Nevruz Kollani, 82 vjeç dhe Ndoci Koçi, 86 vjeç, ku për secilin prej tyre është kërkuar nga 10 vjet burg. Rasti i përket vitit 2004 ku sipas të dhënave, dy vajzat, në atë kohë 8 dhe 10 vjeçe, prostituoheshin nga babai i tyre i cili u siguronte klientë të moshave të ndryshme dhe ato detyroheshin të kryenin marrëdhënie seksuale kundrejt pagesës prej 20 mijë lekësh të vjetra. Për rreth dy vjet babai i vajzave Pëllumb Mullaj ka qenë në rolin e tutorit për dy vajzat e tij, ndërsa denoncimi i rastit dhe publikimi i tij u bë në prill të këtij viti kur vajzat të mbështetura nga një qendër sociale bënë denoncimin ndaj babait të tyre. Pas ndihmës së marrë nga kjo qendër vajzat i janë drejtuar policisë në 18 prill të këtij viti për të kërkuar ndihmë që t’i shpëtonin tmerrit të tutorit, i cili rezultoi më tej të ishte edhe babai i tyre. Gjatë këtij denoncimi vajzat, tashmë 17 dhe 15-vjeçare kanë identifikuar edhe personat me të cilët kanë kryer marrëdhënie seksuale të detyruara nga vetë babai i tyre. Gjykimi për 51-vjeçarin Pëllumb Mullaj ka nisur mbi bazën e akuzës së ngritur nga prokuroria për shfrytëzim prostitucioni të dy të miturave, ndërsa rrezikon të marrë dënimin maksimal për veprën penale që rëndon ndaj tij me 15 vite burg. Nëna e dy të miturave nuk e ka pranuar asnjëherë se i ati i ka shfrytëzuar, duke përmendur vetëm një prej të moshuarve, si personi që u blinte ëmbëlsira kundrejt përkëdheljeve.
Pretenca
Pëllumb Mullaj, 15 vjet
Andrea Nameti, 15 vjet
Skënder Korollari, 15 vjet
Nevruz Kollani, 10 vjet
Ndoci Koçi, 10 vjet
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











