TIRANE – Prokuroria mbylli hetimet për një ish-oficer policie i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni. Dosja penale, ku i pandehur është Arjan Hoxha, u regjistrua dy ditë më parë në kryesekretarinë e Gjykatës së Tiranës. Sipas Prokurorisë, Hoxha akuzohet për “shfrytëzim të prostitucioni në rrethana rënduese”. Arjan Hoxha u arrestua nga kolegët e tij në korrik të këtij viti në kushtet e flagrancës. Dyshohet se në momentin e arrestimi ai po bënte një debat mbi çmimin e dy prostitutave me pronarin e një hoteli në plazhin e Durrësit, ku ato do të takonin dy klientë kosovarë. Më herët, Hoxha ishte mbajtur në vëzhgim me anë të metodave speciale nga strukturat e hetimit, me autorizim të gjykatës. Mbikëqyrja e lëvizjeve të tij dhe thirrjeve të tij telefonike u kërkua pas një kallëzimi në Prokurori nga strukturat e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm. Atëkohë, SHKB-ja kishte siguruar informacion se Arjan Hoxha dyshohej të ishte përfshirë në një veprimtari kriminale në lidhje me shfrytëzimin e prostitucionit. Në vendimin e gjykatës për caktimin e masës së sigurisë ndaj Hoxhës, pas arrestimit të tij në korrik 2011, zbardhet gjithë hetimi me anë të vëzhgimit dhe përgjimit ambiental ndaj tij. Në vijim, rrëfehen detaje të përgjimit ndaj Hoxhajt, referuar vendimit gjyqësor në fjalë: Më datë 16.07.2011, i arrestuari Arjan Hoxha është telefonuar nga shtetasi S.M., i cili i kërkon që të gjente 4 shtetase për prostitucion. I arrestuari Arjan Hoxha merr përsipër gjetjen e tyre dhe merrte kontakt me shtetasen Xh.H. dhe shtetasen E.B. Më pas, shtetasja E.B. zbret nga automjeti i shtetasit Arjan Hoxha dhe largohet. Pas kësaj, i arrestuari merr në telefon shtetasin A.D., me të cilin takohet tek Ura e Tabakeve. Pas disa minutash, shtetasi A.D. vjen me shtetasen M.T. dhe hipën në automjetin e drejtuar nga shtetasi Arjan Hoxha. Nga mbajtja nën vëzhgim e të arrestuarit ai takohet me shtetasin S.M. dhe me dy automjetet nisen në drejtim të Golemit për te hoteli i quajtur “On…”. Në këtë moment u bë kapja në flagrancë e tij dhe e shtetasve Xh.H. dhe M.T., si dhe dy shtetasve, Alban Q. dhe Ali S. (kosovarë), si dhe u shoqëruan pronari i hotelit A.L., kamerieri i hotelit, L.K. dhe shtetasi A.D., të cilët dhanë deklarimet rreth këtij fakti.











