Shfaqet kandidati për “Oscar” i Gjon Milit

May 1, 2012 | 10:59
Fotografi Gjon Mili

Për herë të parë festohet Dita Ndërkombëtare e Jazz-it.

Ekspozitë fotografike dhe një film, prodhim i “Warner Bros” nga shqiptaro-amerikani.

Ishin vitet ’40. Ndërsa Europa digjej nën flakët e Luftës së Dytë Botërore, në klubet e natës në Amerikë improvizohej blues dhe jazz.
Nën tymin e cigares, shoqëruar nga tingujt e muzikës luajtur nga mbretërit e jazz-it, Marie Bryant, me një krehje që i shkrin gazit të rinjtë e sotshëm, këndon mrekullisht “On the Sunny Side of the Street”. Pas gati 70 vjetësh, kjo këngë vjen si një himn i muzikës jazz dhe si një homazh për përfaqësuesit më të mëdhenj të saj, përmes filmit “Jammin’ the Blues” të realizuar nga fotografi shqiptaro-amerikan Gjon Mili. Në kuadrin e 30 prillit, Ditës Ndërkombëtare të Jazz-it, shpallur nga Asambleja e Përgjithshme e UNESCO-s, për herë të parë në Shqipëri dhe të 100- vjetorit të shtetit shqiptar dhe krijimit të Forcave të Armatosura, Qendra e Kulturës, Medias dhe Botimeve të Mbrojtjes dhe Këshilli Muzikor shqiptar, organizuan dje një kalendar aktivitetesh. Gjithçka kushtuar muzikës jazz, e cila erdhi përmes kumtesash, një ekspozite fotografike, një filmi me metrazh të shkurtër dhe interpretimit të gjallë nga “Gent Rushi Band”. Muzikologu Vasil Tole, prof. Zana Shuteriqi etj., pa i dhënë nota akademike, folën rreth muzikës jazz dhe ndikimit të saj në muzikën serioze botërore.
Ekspozita

Nga filmi “Jammin’ the Blues”

Veç minikoncertit, pa të cilin nuk mund të kuptohej dita kushtuar muzikës, tepër interesante ishte ekspozita “Gjon Mili & Jazz”, ku u shfaqën një sërë fotografish të realizuara nga fotografi i famshëm Gjon Mili. Janë bardhë e zi, të realizuara në viti ‘40-’44. Mili, i lindur në Korçë dhe i mërguar në SHBA në moshën 19-vjeçare (1923), është i famshëm për shkrepjet që i ka realizuar piktorit të madh Pablo Picasso, apo përdorimin e metodës stroboskopike për të kapur të gjitha sekuencat e një veprimi në një fotografi. Por kësaj here ai na sjell atmosferën muzikore. Në qendër të tyre është kryesisht një nga yjet e muzikës jazz të kësaj kohe, “Duke” Ellington, por edhe emra të tjerë, të cilët janë fiksuar gjatë interpretimit. Mili preferonte kryesisht takimet “jam”, ku mblidheshin më të famshmit dhe gjithçka ishte e përkryer jo vetëm muzikalisht, por edhe nga ana vizuale. Atmosferën e krijuar prej mjeshtërve, Mili arrin ta përcjellë përmes fotografisë. Ndonëse është fiksim i një momenti, ajo nuk është statike, por përcjell gjithë atmosferën dhe lirinë që përçon muzika jazz. Pas hapjes së ceremonisë, ku merrte pjesë edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, pas një prezantimi të shkurtër nga ana e Aleksandër Gjonajt, i cili shpjegoi përmbajtjen e saj, por edhe njohu të pranishmit me artin e Milit, i cili në të vërtetë nuk njihet sa duhet në Shqipëri, ndonëse është një nga shqiptarët më të famshëm në botë, si dhe kumtesave, kjo atmosferë që Mili na solli përmes fotografive u plotësua edhe më, pas shfaqjes së filmit me metrazh të shkurtër “Jammin’ the Blues”.
Filmi, kandidat për “Oscar”

Një nga fotot e ekspozuara në “Gjon Mili & Jazz”

“Jammin’ the Blues” është një film prej 10 minutash i realizuar në vitin 1944, ku disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës jazz janë mbledhur së bashku në një performancë të jashtëzakonshme. Në të shfaqen instrumentistë të rrallë, si Lester Young, Red Callender, Harry Edison, Marlowe Morris, Sid Catlett, Barney Kessel, Jo Jones, John Simmons, Illinois Jacquet, Marie Bryant, Archie Savage dhe Garland Finney. Barney Kessel është i vetmi performues i bardhë në film dhe mësohet se për të “errësuar” lëkurën e tij është ulur në hije, ndërsa për planet e afërta duart e tij janë lyer me lëng vishnjeje.
Filmi, një prodhim i “Warner Bros”, ka qenë kandidat për çmimin “Oscar” për subjektin e shkurtër më të mirë. Mënyra e përdorimit të kamerës në filmimin e muzikantëve u kthye në një pikë referimi. Në vitin 1995, “Jammin’ the Blues” është përzgjedhur për t’u ruajtur në Regjistrin Kombëtar të Filmit të Shteteve të Bashkuara nga Biblioteka e Kongresit si “kulturalisht, historikisht dhe estetikisht domethënës”.

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura