VLORE – Një lundrim turistik nga Himara drejt Orikumit për pak sa nuk u ka kushtuar humbjen e jetës shtatë udhëtarëve. Skafi ku ata hipën mbrëmjen e së dielës, u fundos plotësisht vetëm pak minuta pasi mjetet e kufirit evakuuan turistët. Mësohet se rreth orës 22:00 të së dielës, 7 personat, të gjithë shqiptarë, të moshës 20-40 vjeç, vendosën të kryejnë lundrimin deri në afërsi të Vlorës. Ata janë ngjitur në një skaf me gjatësi 6 metra, i pajisur me dy motorë të fuqishëm, por nuk kishin kaluar as gjysmën e udhëtimit në Jon, kur kanë dhënë sinjalin SOS. Rreth 2 milje larg kepit të Gjuzës, deti është keqësuar dhe skafi ka hasur në vështirësi për lundrim. Për këtë shkak janë vonuar në det mes dallgëve duke harxhuar karburantin, të cilin e kishin parashikuar se ishte i mjaftueshëm për të mbërritur deri në Portin e Orikumit. Mbasi janë fikur të dy motorët e skafit, drejtuesi ka konstatuar se i kishte mbaruar karburanti dhe ndodheshin në rrezik për jetën. Ai ka njoftuar Policinë dhe Kapitanerinë për t’u ardhur në ndihmë. Menjëherë në drejtim të zonës ku dha koordinatat drejtuesi i mjetit lundrues, janë nisur mjete të Policisë Kufitare dhe të Guardia di Finanza-s. Rreth 1 orë pas sinjalit dhe mes dallgësh të mëdha është arritur të gjendet në det të hapur mjeti me 7 djemtë në të. Me anë të dy mjeteve u bë transportimi i tyre drejt Portit të Vlorës. Sipas Policisë, skafi ka qenë me dokumente të rregullta. Ideja e personave, të gjithë të njohur mes tyre, ka qenë shëtitja me skaf nga Himara për në Portin e Orikumit, ku do të kalonin një natë për t’u kthyer të nesërmen. Ky udhëtim do të ishte shndërruar në tragjedi, nëse ndihma nga rojet kufitare do vonohej dhe pak. q.b











