
Prokuroria e Tiranës fillon hetimet për padinë e këshilltarëve socialistë në lidhje me devijimin e projektit të punimeve në sheshin “Skënderbej”. Njësia Task-Force ka regjistruar procedim penal në lidhje me padinë e 27 këshilltarëve të PS në Këshillin Bashkiak, të cilët denoncuan Bashkinë e Tiranës. Ata pretenduan se ndryshimi i projektit të sheshit “Skënderbej” është bërë në mënyrë të parregullt, ndërsa në padi theksojnë se ky veprim ka sjellë edhe një dëm ekonomik sa i përket prishjes së punimeve që ishin kryer për projektin “Rama”. Më 31 tetor 2010, 27 këshilltarët e PS në Këshillin Bashkiak në Tiranës dorëzuan padi penale në prokurori duke pretenduar se ndryshimi i destinacionit të sheshit “Skënderbej” kishte shkaktuar një dëm ekonomik prej 5 milionë eurosh. Sipas padisë, kjo ishte vlera e shpenzimeve që ishin kryer me projektin e parë të nisur në kohën e Edi Ramës, i cili zgjati më shumë se një vit, por nuk u finalizua, ndërkohë që Lulzim Basha fitoi zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës. Dy muaj pas padisë së këshilltarëve socialistë, Prokuroria e kryeqytetit ka nisur dy kërkesa zyrtare në kuadër të hetimit. Kërkesa e parë i është drejtuar Bashkisë së Tiranës dhe e dyta këshilltarëve të PS. Bashkisë i kërkohet dokumentacioni i vendimmarrjes mbi bazën e së cilës është vendosur ndërprerja e punës në projektin e lënë përgjysmë nga Rama dhe vazhdimi i punimeve në projektin e ri. Po kështu, prokuroria ka kërkuar edhe një bilanc të shpenzimeve financiare. Nga ana tjetër, Njësia Task-Force u ka kërkuar edhe këshilltarëve të PS, si palë paditëse, prova e shkresa shtesë për mbështetjen e kallëzimit penal të bërë në datën 31 tetor 2010. “Nuk ka asnjë vendimmarrje ligjore për të ndryshuar projektin e mëparshëm, ndërsa kreu aktual nuk është në dijeni të mekanizmit faktik vendimmarrës dhe të mënyrës se si po kryhen dhe financohen punimet për asfaltimin e sheshit ‘Skënderbej'”, pati deklaruar Aldrin Dalipi, përfaqësues i këshilltarëve të PS në momentin e dorëzimit të padisë në prokurori. Nga ana tjetër, Bashkia e Tiranës, më 15 nëntor 2010, hapi për qytetarët sheshin “Skënderbej” në Tiranë pas një bllokimi më shumë se njëvjeçar. Rifillimi i lëvizjes së automjeteve dhe këmbësorëve në sheshin “Skënderbej” i dha frymëmarrje trafikut rrugor në Tiranë që bllokohej prej muajsh pa rrugëzgjidhje. Po kështu, mbyllja e gërmimeve dhe e kantierit të ndërtimit uli ndjeshëm pluhurin, ndotjen dhe zhurmat në qendër të Tiranës.
Bllokimi i sheshit “Skënderbej”
Fillimisht në mënyrë të pjesshme dhe pastaj në mënyrë të plotë, sheshi “Skënderbej” u bllokua nga Bashkia e Tiranës në mars 2010. Prej asaj kohe punimet vazhduan pa mbarim, ndërsa policia u detyrua të ndryshonte drejtimet e lëvizjes dhe të vinte në jetë një skemë të re trafiku në Tiranë, e cila vështirësoi lëvizjen e autobusëve dhe automjeteve. Ndërsa u desh kohë që drejtuesit e mjeteve të mësoheshin me skemën e re të trafikut, bllokimi i sheshit “Skënderbej” ndryshoi dhe stacionet e autobusëve. Kjo situatë krijoi rritjen e dendësisë së trafikut rrugor në Tiranë, ndërsa në qendër niveli i ndotjes u rrit si pasojë e pranisë së inerteve që u lanë mbi sipërfaqen e tokës për muaj me radhë. Bashkia e Tiranës, në momentin kur Rama u largua nga detyra, kishte kryer vetëm pjesën nëntokësore të punimeve për projektin e saj, por mbi tokë gjithçka i ngjante një gërmadhe.
Trazhgim Sokolaj











