ROMEO HANXHARI
Në një studim mbi mënyrën se si ka evoluar “harta mendore – mental map” e qytetarëve të Tiranës, një metodë kjo studimi e Gjeografisë Urbane, pra mbi mënyrën se si e kanë të organizuar qytetarët në mendjen e tyre qytetin ku jetojnë, me disa kolegë të Universitetit kemi konkluduar se tani për tani ata e shohin qendrën e qytetit si pikë të pashmangshme të prerjes së arterieve kryesore transportuese të tij. Me sa duket, ashtu siç tiranasit e moshuar, ata që e mbajnë ende mend sheshin e vjetër të ndërtuar nga Mbreti, rezulton se nuk e kanë pranuar kurrë si të bukur deformimin e atij sheshi gjatë komunizmit, edhe qytetarët e sotëm nuk e kanë pranuar si të duhur bllokimin total të sheshit për automjetet dhe kthimin e tij në një zonë tërësisht pedonale. “Harta mendore” që ndërtojnë qytetarët e sotëm të Tiranës për lëvizjen me automjete nuk e anashkalon sheshin “Skënderbej”, gjë që dëshmon se faza aktuale e zhvillimit të Tiranës është ende shumë e parakohshme për një opsion të tillë ekstrem. Për rrjedhim, ka shumë mundësi që bllokimi i qendrës, një ndërhyrje ndryshimi “nga lart poshtë”, e cila mund të cilësohet si arrogante, e pakonsultuar me banorët e këtij qyteti dhe e pajustifikuar nga pikëpamja e zhvillimit aktual urban, të ketë qenë një nga kostot e shumta elektorale për administratën e mëparshme të qytetit.
Pyetja shtrohet se cila është perspektiva e këtij sheshi në “hartën mendore” të qytetarëve të saj? Parë në opsionin e zhvillimit strategjik të qytetit, në një të ardhme afatgjatë dhe të ndërtuar me gradualitet të kujdesshëm, sheshi “Skënderbej” edhe mund të destinohet krejtësisht për këmbësorët. Madje, teorikisht dihet se kjo është tendencë aktuale për shumë qytete apo kryeqytete të botës. Por, ka një “por” të fortë dhe të pashmangshme: ato qytete nuk kalojnë krizë të fortë hapësinore dhe funksionale si Tirana. Falë zhvillimit kaotik të këtyre viteve të tranzicionit, Tirana përjeton aktualisht pikërisht një krizë të tillë. Prandaj, transformime ekstreme si ai që u tentua me qendrën, vetëm do ta rëndonin atë krizë edhe më tej. Dhe madje kjo krizë nuk mundet asesi të tejkalohet nëse nuk sigurohemi që çdo devijim funksional të hapësirave të rëndësishme si qendra, ta paraprijmë me krijimin e dimensioneve të reja që zëvendësojnë plotësisht ato që transformohen. Pra, çdo ndryshim ekstrem, siç ishte ai që u tentua me kthimin e tij nga zonë ekskluzivisht kryqëzimesh transporti në një zonë ekskluzivisht shëtitjeje, ka nevojë për një fazë të gjatë tranzitore, të domosdoshme për të gjetur dhe sendërtuar zgjidhje alternative të funksionalitetit të saj. Në rastin e sheshit, bllokimi total për automjetet mund të jetë opsion vetëm në atë të ardhme kur qyteti të ketë plotësuar ndërtimin e Unazës së vet të ashtuquajtur “të madhe”, kur të ketë shtrirë gjymtyrët veri-jug deri në Paskuqan, kur të ketë siguruar zgjerimin e plotë të së ashtuquajturës “Unazë e vogël” rreth qendrës, kur të jenë normalizuar apo zgjeruar një seri e njëpasnjëshme segmentesh të vështira rrugore që ndërlidhin diagonalisht rrezet që dalin nga ajo qendër, si p.sh. bulevardin e madh me rrugën “Myslym Shyri” dhe Rrugën e Kavajës, këtë të fundit me Rrugën e Durrësit, këtë të fundit me bulevardin “Zogu i Parë”, këtë të fundit me Rrugën e Dibrës e me “Hoxha Tahsim” e me radhë, derisa të bëhen një seri miniunazash të sakta dhe jo një seri rrugicash qorre si ato të para një shekulli. Përpara se të plotësohen këto parakushte, është naivitet dhe risk mjedisor të shmangësh lëvizjen e automjeteve nga sheshi. Parimi është: sheshi duhet të jetë në funksion të qytetit, dhe jo qyteti në funksion të sheshit, …qoftë ky edhe sheshi “Skënderbej”.
Rrjedhimisht, kushdo që udhëhiqet thjesht nga emocioni e ta konceptojë të ndarë zhvillimin e qendrës nga zhvillimi tërësor i vetë qytetit, nuk bazohet në vlerësimin objektiv të mundësive reale të ndërhyrjeve, dhe prandaj shkon drejt gabimeve të sigurta, të cilat rëndojnë në jetën e qytetarit dhe në financat e tij. E tillë ishte ndërhyrja që u tentua në 2010-n: ajo përqendroi në qendër një investim që rezultoi i parakohshëm dhe utopik që në koncept, dhe pra devijoi në zbrazëti një financim që mund të përmbushte një nevojë tjetër prioritare të qytetit. Sa për taksat dhe financimin, qytetarët janë të sigurt që ndërhyrja aktuale është më e balancuara nga të gjitha pikëpamjet, pavarësisht se shprehin keqardhjen për shpenzimet që u bënë më parë në punime nëntokësore të panevojshme. Nisur nga sa më lart, a nuk mund të thuhet, pra, se ndërhyrja që do të bllokonte sheshin motivohej vetëm nga dëshira për të krijuar një hapësirë luksoze dhe të qetë poshtë ballkonit të Bashkisë, por që nuk përputhej fare me realitetin e vetë qytetit?! Fatkeqësisht për ne qytetarët dhe për financat tona, përgjigjja, me sa duket, është “po”. Dhe, çfarë sjell të re ndërhyrja aktuale që po ravijëzohet tashmë në sheshin “Skënderbej”? Kësaj pyetjeje tentova t’i përgjigjem ndërsa kundroja sheshin e ri nga platforma e Pallatit të Kulturës. Së pari, ajo jep një zgjidhje urbanistike, duke mos pretenduar të japë një zgjidhje artistike. Dhe me të drejtë. Sepse sheshi i Tiranës nuk është telajo për të vendosur piramida të shtypura, por hapësirë e rëndësishme funksionale e këtij qyteti të shtypur vetë, e këtij qyteti të lodhur e të shtrydhur nga tranzicioni i gjatë urban, e këtij qyteti me halle të mëdha që po tenton t’i zgjidhë. Së dyti dhe rrjedhimisht, ndërhyrja aktuale e zbret këtë shesh nga maja e piramidës që do të ndërtohej me këmbë në tokë, sepse i rikthen atij një funksion që duam s’duam ne ambientalistët, nuk mund t’i hiqet kurrsesi në këtë stad urban: lëvizjen e automjeteve për në të katër anët e qytetit. Nëse studiojmë hartën e lëvizjes në këtë qytet, është e qartë se sheshi është ende i pashmangshëm për lëvizjen me mjete të qytetarëve. Nëse mbyllim një enë komunikimi pa hapur një tjetër për ta zëvendësuar, atëherë krijojmë “gryka shishesh” përreth tij, me pasoja mjedisore për shkak të rritjes eksponenciale të ndotjes së ajrit dhe të zhurmave nga qarkullimi i ngurtësuar. Së treti dhe njëkohësisht, ndërhyrja aktuale i heq hapësirës së sheshit tonë ato njolla të turpshme të “kartodromeve” të pista të makinave me bateri apo lodrave me hekurishte të rrëmujshme, që do të ishin turpi edhe i kryeqytetit më të fundit të botës. Projekti aktual nuk i rishtron më me mermer ato hapësira, por po i kthen në një park të këndshëm vjenez që tenton të krijojë një atmosferë të çlirët e të shpenguar, aq të nevojshme për të çstresuar këtë qytet të lodhur dhe për të pastruar sadopak ajrin në qendër të tij. Në këtë kontekst, këtë park unë do të sugjeroja ta destinonim për art urban duke e “populluar” me buste të njerëzve më të shquar të këtij qyteti, ndoshta me emrin “Parku i Kujtesës”. Së katërti pra, në krahasim me planin e mëparshëm, ku mbizotëronte përgjithësisht mermeri dhe guri, plani aktual i sheshit bëhet pjesë e emergjencës ulëritëse të këtij qyteti për hapësira të gjelbra, menjëherë, kudo dhe me çdo kusht. Tashmë edhe sheshi, njëkohësisht duke mos dëbuar automjetet prej vetes, i jep qytetit më shumë gjelbërim kudo ku ka sadopak hapësirë të mundshme, duke i afruar atij dimensionin mjedisor në kontakt me njerëzit që e banojnë. …Ai ishulli i madh i gjelbër në mes të sheshit, me gjelbërimin total dhe me hijezimin nga pemët e dendura që krijon në anët e tij, mua nuk më duket as si kartodrom, as si hipodrom, por më duket si zgjidhja më mjedisore e mundshme, më e thjeshta dhe më pak e kushtueshmja për të përmirësuar mjedisin në qendër. Për më tepër, parqet e reja me bimësi të lartë, gati si pyje me qindra pemë, si ai përpara Bankës dhe ai përpara Muzeut Kombëtar, e plotësojnë në perfeksion këtë kontribut imediat për përmirësimin e mjedisit fizik, por dhe shpirtëror të qytetit tonë. …Në tërësi mendoj se më në fund sheshi aktual vendos një balancë të koordinuar midis gjithë funksioneve të tij të mëparshme dhe funksioneve të tij të reja, gjithmonë në shërbim të qytetit dhe të qytetarëve të tij. Së fundi, ndërhyrja aktuale i jep fund rendjes pas paranojës së çuditshme për të djegur etapat e evolucionit të sforcuar të një qyteti të vështirë si Tirana. …Qendra e saj, imagjinoj me kënaqësi, do të jetë qendra normale e një qyteti që edhe vetë po tenton normalitetin.
*PhD në Menaxhim i Mjedisit dhe Burimeve të Territorit











