Sherri në Facebook, 2 gjimnazistë plagosin me thika njëri-tjetrin

Sep 18, 2012 | 13:54

Shkolla “Qemal Stafa”

Tiranë, ngjarja para gjimnazit “Qemal Stafa”, pas mësimit.

TIRANE – Dy gjimnazistë, nxënës të vitit të dytë në shkollën e mesme “Qemal Stafa” në kryeqytet, janë plagosur dje pas një përleshjeje të ashpër me njëri-tjetrin, duke përdorur edhe thika. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një debati që kanë pasur në rrjetin social “Facebook”. Plagosja e adoleshentëve ndodhi dje rreth orës 14:00, kur adoleshentët kanë përfunduar mësimin dhe kanë dalë nga shkolla. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se të plagosurit janë 17-vjeçarët Elton Zeqollari dhe Gerald Dumani, ndaj të cilëve ka nisur edhe procedim penal në gjendje të lirë, pasi të dy janë edhe të dëmtuar, edhe autorë. Të njëjtat burime thanë se sherri mes gjimnazisteve nuk ka ndodhur në ambientet e shkollës, por në trotuarin jashtë rrethimit të saj, ku ndodhet një stacion autobusi, te Rruga e Durrësit. Pasi i kanë rikujtuar njëri-tjetrit debatin që kanë bërë në rrjetin social një ditë më parë, fillimisht janë goditur me gurë dhe sende të tjera të forta që kanë gjetur në tokë. Më pas kanë nxjerrë nga xhepat biçakët, duke i shkaktuar plagë në trup njëri-tjetrit. Dëshmitarët, miq të dy djemve, kanë thënë për Policinë, se dy djemtë ishin përgatitur për sherrin, pasi kishin rreth një vit që nuk flisnin, po për një debat në Facebook, ndërsa një ditë më parë ishin zënë me ofendime të ndërsjella nëpërmjet mesazheve në këtë rrjet social. Menjëherë sapo janë sinjalizuar për plagosjen, forcat e Komisariatit Nr.3, që ndodhet vetëm pak metra larg gjimnazit, kanë shkuar në vendngjarje. Ndërsa dy të dëmtuarit, njëkohësisht edhe autorë, janë dërguar në Spitalin Ushtarak, por sipas mjekëve, plagët kanë qenë sipërfaqësore dhe pas mjekimit janë larguar drejt shtëpive të tyre.  Dy adoleshentët e plagosur janë marrë në pyetje nga hetuesit në urgjencën e Spitalit Ushtarak, pasi kanë marrë mjekimin e nevojshëm dhe kanë shpjeguar rrethanat e ngjarjes. Ata kanë treguar se konflikti mes tyre ka nisur rreth një vit më parë, për një video që ishte publikuar në rrjetin social “Facebook”, që ishte xhiruar në ambientet e brendshme të shkollës, ku shfaqeshin edhe ata të dy. Sipas Policisë, të plagosurit Elton Zeqollari dhe Gerald Dumani fajësonin njëri-tjetrin për publikimin e saj, por asnjëri nuk pranonte se e kishte hedhur në rrjetin social. Për këtë arsye, ata nuk flisnin me njëri-tjetrin, deri dy ditë më parë, kur kanë rikujtuar sherrin e vjetër dhe kanë nisur të debatojnë dhe të ofendohen nëpërmjet mesazheve në Facebook. Pas ofendimeve, kanë vijuar edhe kërcënimet e për këtë arsye të dy dje kanë shkuar në shkollë “të armatosur” me dy biçakë, të cilët i kanë përdorur pas mësimit duke plagosur njëri-tjetrin. Policia ka marrë në pyetje edhe disa nxënës të tjerë që janë bërë dëshmitarë të ngjarjes, si dhe rojën e shkollës, i cili ka pohuar se nuk kishte parë se çfarë kishte ndodhur, pasi konflikti ka ndodhur jashtë rrethimit të shkollës dhe ka qenë shumë rrëmujë. Ndërsa nxënësit që janë pyetur nga Policia kanë konfirmuar konfliktin e hershëm mes dy nxënësve, që edhe ata ishin në dijeni se kishte nisur një vit më parë në Facebook. Pas deklarimeve të dy autorëve, ka nisur procedim penal ndaj tyre, me akuzën “plagosje e lehtë me dashje”.

© Panorama.al

Te lidhura