Sherri mes grupeve të Stresit e Noizyt, 11 thika në trup Dollapit

Dec 20, 2011 | 12:27

Zbardhen rrëfimet e dëshmitarëve okularë të ngjarjes ku u masakrua me 11 thika në trup Denis Dollapi pasditen e 28 prillit 2010, pranë gjimnazit “Sami Frashëri” në Tiranë. Grindje të lindura prej rivalitetit të dy grupimeve muzikore hip-hop, “OTR” dhe “Butusi”, rezultuan fatkeqe për 19-vjeçarin Dollapi, i cili pas plagëve të marra përfundoi në një gjendje kome shumëmujore.
Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës i kërkoi gjykatës dënimin me nga 10 vjet burg për Bexhet Krudën dhe Orjal Allën, të akuzuar si autorët e sulmit me thika. Ata akuzohen për veprën penale të “vrasjes me dashje në tentativë”. Në të njëjtin gjykim, prokuroria kërkoi dënimin me 20 muaj burg për Rigers Krudën dhe 24 muaj burg për Xhevdet Gashin, të akuzuar për “moskallëzim krimi”. Sipas pretencës së prokurorisë, gjithçka ka nisur si një sqarim mes të rinjve. Referuar hetimit gjyqësor, Denis Dollapi, përkrahës i grupimit muzikor “Butuesi”, i njohur si mbështetës i rreperit “Stresi”, ishte rrahur nga disa djem të grupimit kundërshtar “OTR”, mbështetës i rreperit “Noizy”. Ditën e ngjarjes ai ka kontaktuar një prej djemve të “OTR”-së, i njohur si “Infiniti”. Sipas prokurorisë, Dollapi i ka thënë Infinitit të thërriste shokët e tij dhe të sqaroheshin. Teksa prisnin në një ngushticë pranë “17 Nëntorit”, një e thirrur me zë të lartë “mos e lëshoni Denis Dollapin” është pasuar me një grumbull të rinjsh të dhunshëm të armatosur me thika, kaçavida dhe shufra hekuri, që e kanë vendosur të dëmtuarin Dollapi në qendër të sulmit. Vetë i dëmtuari Denis Dollapi nuk ka mundur të japë deklarime gjatë hetimit apo dëshmi në gjykim për shkak të gjendjes së tij tepër të rënduar shëndetësore. Në vijim zbardhen disa prej dëshmive më kryesore, referuar pretencës së prokurorisë.
Deklarimi i Erald Mustafës
Shtetasi Erald Mustafa, ndër të tjera, deklaron se është nxënës në vitin e tretë të shkollës së mesme “Eqrem Çabej”. Ditën e ngjarjes ka qenë në shkollë paradite dhe në orën 13:30 ka mbaruar mësimin. Rreth orës 16:00 e ka marrë në telefon shtetasi i dëmtuar Denis Dollapi, që të shkonte për të pirë kafe tek “Zogu i Zi”. Është takuar me Denisin, i cili i ka thënë të shkonin të pinin kafe te gjimnazi “Sami Frashëri”. Kur kanë shkuar në afërsi të gjimnazit, janë takuar me disa shokë të Denisit, të cilët ishin aty duke pirë kafe. Denisi nuk është ulur në kafe, por kanë qëndruar para derës së gjimnazit. Gjatë kohës që kanë ndenjur me Denisin, Eraldi ka mësuar prej tij se para dy muajsh Denisin e kishin rrahur disa persona pjesëtarë të grupit muzikor “OTR” dhe konkretisht vëllezërit që i thërrasin “Çeti”, që quhet Bexhet dhe “Geri” që quhet Rigers, konkretisht dy të pandehurit Bexhet dhe Rigers Kruda. Me sa kam mësuar unë nga Denisi, ishin zënë për arsye se Denisi ishte fans i grupit muzikor “Butuesi”, si dhe shok dhe kushëri me këngëtarët e këtij grupi, grup i cili është rival me atë “OTR”, pjesëtarë të të cilit kanë dy vëllezërit e sipërpërmendur, të pandehurit. Këto grupe muzikore ishin sharë me njëri-tjetrin në kohë të ndryshme me këngët e tyre në Facebook. Në kohën që kanë qenë para shkollës “Sami Frashëri”, Denisi ka takuar një person të cilin Eraldi nuk e njihte. Ishte i gjatë rreth 174 cm, i dobët, ezmer në fytyrë, me flokë të zinj, të ngritur sipër me xhel. Ky person, që nga hetimi rezultoi se quhej Eni Panci, njihej me pseudonimin “Infiniti”. Ai ka dalë nga oborri i shkollës “Sami Frashëri” dhe nga biseda midis Denisit dhe këtij personi, të cilit i dëmtuari i kishte vënë një thikë në shpinë (e sekuestruar gjatë hetimit), Eraldi mësoi se ai ishte shok me Çetin dhe Rigersin. Ky person i mori në telefon të pandehurit Bexhet dhe Rigers Kruda për të ardhur aty, por ata i thanë në telefon se nuk kishin për çfarë të vinin, fakt të cilin ia tha Denisi në atë moment. Pas kësaj, Denisi me shokët e tij kanë shkuar në afërsi të një lokali që quhet “17 Nëntori”, rreth 50 metra larg shkollës. Po prisnin në afërsi të këtij lokali që të vinin Bexheti me vëllain dhe shokët e tij. Në këtë kohë kanë dalë dhe nxënësit e shkollës nga mësimi dhe aty është bërë një rrëmujë e madhe. “Nga mbrapa kam parë që kanë ardhur Çeti së bashku më vëllain e tij, Rigersin, pra të arrestuarit, dhe një person tjetër që ishte pak ezmer, i dobët në fytyrë, me bluzë me kapuç me ngjyrë gri, të cilit unë nuk ia di emrin, por e njoh si fytyrë. Së bashku me këta persona ishin edhe rreth 5-6 persona të tjerë që mbanin kapuça të rrobave në kokë. Në këtë moment Denisi me këtë person që takoi para shkollës, ishin mbas lokalit ‘17 nëntori’, ndërkohë që drejt Denisit kanë ardhur Bexheti dhe Rigersi dhe një person tjetër, që në dorë mbante një tub hekuri rreth 50 cm. Bexheti mbante në dorë një thikë, kurse Rigersi dhe personi tjetër kishin tub hekuri. Të tre këta persona fillimisht e shanë Denisin, thanë ‘mos e lini Denisin të ikë’ dhe më pas iu sulën atij dhe filluan ta godasin me tub, thikë etj. Unë në këtë kohë kam qëndruar larg Denisit rreth 6-7 metra dhe kam parë komplet skenën kur Bexheti me thikë ka goditur Denisin një herë me afër kofshës. Më pas Denisi ka tentuar të ikë, por ata e ndoqën nga pas. E ndaluan dhe përsëri po e godisnin”.
Deklarimi e Elvs Docit
Në deklarimin e tij me cilësinë e personit që tregon rrethana të dobishme për hetimin, pohon se pasdite, rreth orës 17:00, e ka marrë në telefon shoku i tij, i cili quhet Denis Dollapi, dhe i tha në telefon se kishin bërë fjalë, ishin sharë me ca djem, të cilët janë pjesëtarë në një grup muzikor që quhet “OTR”, ku kryesori i tyre është një djalë që del në televizor dhe i thërrasin me emrin televiziv “Noizy”. Ndërkohë, Elvizit, Denisi dhe kushëriri i tij, shtetasi Erald Mustafa, i kanë kërkuar të shkonte se do ziheshin me këta të grupit “OTR” dhe për këtë arsye kanë lënë takim me këta në qendër te Sahati.
Dëshmia:
Në seancën gjyqësore të datës 17.06.2011. Elis Doci, ndër të tjera, pohon se e ka telefonuar Denisi rreth orës 17:00-17:30 ditën e ngjarjes dhe “më tha se kemi pasur disa keqkuptime dhe do ikim t’i sqarojmë me një pjesëtar të grupit muzikor ‘OTR’, me një person tjetër me pseudonimin Infinit. U takuam me Denisin në qendër, te Sahati. Kemi qenë katër persona: Erald Mustafa, Ardit Aliaj, unë dhe i dëmtuari Denis Dollapi. Mbasi jemi bërë 10-15 veta gjatë rrugës jemi nisur për te shkolla ‘Sami Frashëri’. Kur vajtëm te shkolla, mbasi mbaroi ora e gjashtë e mësimit, takuam Infinitin. Sqaroj se Denisi na porositi rrugës që mos ta prekte njeri, thjesht ishte për t’u sqaruar. Ne kemi qëndruar matanë rrugës dhe Denisi bashkë me një shokun e tij dhe të Infinitit e pritën te dera e shkollës. U takuan të tre dhe kanë qëndruar rreth 5 minuta te dera e shkollës. Komunikimi ishte normal në dukje. Nuk kam parë ndonjë veprim që kanë bërë me njëri-tjetrin.  Mbas 3-4 minutash është larguar shoku i Denisit dhe kanë ngelur Infiniti dhe Denisi. Denisi na dha një shenjë, që çështja ishte zgjidhur. Mbas këtij momenti filluam të shpërndaheshim. Kam ngelur vetëm unë, Denisi, Durimi, Eraldi, Arditi dhe rreth 5 persona të tjerë që unë nuk i njihja. Kemi arritur te kinemaja ‘17 Nëntori’ pothuajse të gjithë bashkë si grup. Me ne ka qenë edhe Infiniti deri te vendi ku është goditur Denisi. Në momentin që po ndaheshim me Infinitin, mbaj mend që Denisi e kishte takuar Infinitin. Në këtë moment kanë ardhur gati rreth 15-20 persona në një turmë me nxënësit e shkollës dhe ne nuk e kemi kuptuar se nga ku kanë ardhur. Në atë moment kam dëgjuar Bexhetin, i cili ka thirrur: ‘Mos e lëshoni Denis Dollapin’. Unë kam qenë pak i distancuar dhe bëra dy-tre hapa për t’u afruar. Nuk mbaj mend se kush ka pasur thikë, por di që të gjithë ishin të pajisur me “hekura tresh”, doreza, thikë, të cilën e kishte Bexheti, shumë të madhe. Pranë meje ka qenë një person me emrin Ledio dhe pashë që e goditën me kaçavidë një person. Nga të pandehurit prezentë nuk është ai që e ka goditur. Kam parë të pandehurin Bexhet dhe Rigers, i cili mund të jetë i pandehuri Orjol Alla, nuk jam shumë i sigurt. Por tani që e shoh në sy është i pandehuri Orjol Alla, i cili mbante shkop tresh në dorë dhe e ka goditur Denisin në kokë. Unë doja të afrohesha pranë Denisit, por janë grumbulluar edhe shumë persona të tjerë. Unë kisha edhe shokun e gjakosur, por e kisha të pamundur të afrohesha. Pasi e pashë që nuk mund të afrohesha dot, kam marrë Ledion për krahu dhe kam ikur prapa Piazës. U nisëm për të shkuar për në spital për të parë Denisin”.
Ndërkohë, të pandehurit Bexhet Kruda, dëshmitari i përgjigjet për ngjarjen se gjysmën e fjalisë e ka dëgjuar me shpinë, ndërsa fundin e saj ka qenë përballë me të pandehurin Bexhet dhe e ka parë. “Ka qenë personi më afër Denisit. Sapo ka mbaruar fjalinë, e ka goditur”. Njëkohësisht ai i dëshmon gjykatës se “kam qenë larg tre metra nga Denisi. Kam dëgjuar thirrjen e Bexhetit. Jam kthyer, kam parë Bexhetin që po godiste Denisin. Kam tentuar të afrohesha, por në këtë moment është goditur Ledio dhe isha i detyruar të largohesha. Sqaroj edhe njëherë se ka qenë Bexheti që e ka goditur me thikë Denisin. Pastaj kam parë të pandehurin Orjol, që është afruar me shkop tresh metalik dhe e goditi Denisin. Është afruar dhe i pandehuri Rigers, i cili ishte pak në distancë. E kam parë duke e goditur, por nuk e mbaj mend se me çfarë”.
Dëshmia e Durim Vidricës
Edhe dëshmitari Durim Vidrica në këtë seancë gjyqësore, ndër të tjera, pohon se “më datë 28.04.2010 kam telefonuar një kushëririn tonë me emrin Visar, të cilin më pas e kam takuar te Shkolla Ekonomike, pranë Parlamentit, pasdite, së bashku me një shokun tonë, i cili quhet Fatos. Ai më tha që do të shkonim te shkolla ‘Sami Frashëri’, se do të takonim disa shokë të Fatosit, sepse kishin për të zgjidhur një problem. U nisëm për te ‘Sami Frashëri’ dhe ishim unë, Visari, Fatosi dhe tre persona të tjerë, të cilët nuk i njihja. Gjatë rrugës për te shkolla takuam persona të tjerë, Elvis Docin dhe Denis Dollapin, të cilin ma prezantuan aty, Ardit Aliajn dhe dy persona të tjerë, që nuk i njihja. Në total ishim rreth 10-11 veta. U nisëm për tek shkolla ‘Sami Frashëri’. Gjatë rrugës kuptova që Denisi donte të kapte e të sqarohej me njërin për një muhabet, i cili ndodhej në shkollë. Ky person ishte Infiniti, anëtar i grupit ‘OTR’. Kur arritëm te shkolla, gjysma e shokëve kemi qenë matanë rrugës, ndërsa gjysma tjetër ka qenë te dera e shkollës. Unë kam qenë te grupi pranë derës së shkollës me Visarin, pak më larg, rreth 3-4 metra larg Denisit. Ndërkohë pashë Denisin që takoi një person. I hodhi dorën në qafë dhe po bisedonte me të. Vazhduan të ecnin përpara dhe ne të tjerët, unë me kushëririn, i kam ndjekur nga mbrapa dhe vazhduam për nga tuneli, i cili ishte midis dy pallateve, në drejtim të qendrës. Denisi ka ecur më përpara, ndërsa unë kam ngelur mbrapa. Kam parë Ervin Muçën, që ishte matanë rrugës dhe nxitova ta takoja. Në këtë moment dolën nxënësit e shkollës. Ishin shumë nxënës. Kam dëgjuar ulërima midis nxënësve dhe njerëzve: ‘Mos e lini të ikë Denis Dollapin’. Në këtë moment jam drejtuar për te Denisi. Më pas më ka dalë një person që nuk e njihja me dy kaçavida në duar. Mbaj mend që ishte rom, i gjatë dhe në këtë moment m’u drejtua me kaçavidë. Unë për t’u mbrojtur e godita me shkelma. Kam parë disa persona që kanë rrethuar Denisin dhe kanë filluar ta godisnin me thika. Mbaj mend që kanë qenë dy të arrestuarit, të pandehurit Bexhet Kruda dhe Orjol Alla. Ndërkohë mua më kanë goditur rreth 4 veta me hekura në kokë dhe jam rrëzuar përtokë. Personat që më godisnin janë larguar menjëherë, pasi menduan se unë mbeta pa ndjenja. Kur u ngrita në këmbë kam qenë i gjakosur. Më ka kapur një person nga xhupi dhe më ka goditur me kaçavidë. Kur u ngrita në këmbë nuk e kam parë Denisin. Nuk kishte mbetur asnjë kur u ngrita në këmbë. Mbaj mend veprimet e tij para se të më godisnin mua. Denisi ka qenë me Infinitin duke u sqaruar dhe duke ecur dhe kam dëgjuar thirrjen që përmenda më lart. Kam parë dy të arrestuarit që godisnin Denisin, por nuk kam parë mjetin, se ata ishin mbas një makinë”.
Dëshmia e Eni Pancit
Në seancën e datës 09.09.2011, dëshmitari Eni Panci, ndër të tjera, pohon se “atë ditë kam qenë në shkollën ‘Sami Frashëri’. Kam qenë nxënës i vitit të parë të kësaj shkolle dhe ishte ora 18:30. Mësimin e zhvillonim pasdite. Kam dalë jashtë oborrit të shkollës dhe ka ardhur Denisi me një djalë tjetër, të cilin e thërrisnin Geni i Ishes. Ndërsa unë kam pasur pseudonimin Infinit. Denisi dhe shoku i tij erdhën dhe më kapën nga duart, më thanë ‘hajde këtu me ne’ me një ton urdhërues. Unë nuk kundërshtova, pasi nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër. Jemi drejtuar për nga kompleksi ‘17 Nëntori’. Gjatë rrugës janë grumbulluar shokët e Denisit, të cilët më rrethuan. Njëri prej tyre më ka goditur me dorë në kokë. Nuk e pashë se cili ishte. Njëri nga këta me ka vënë një thikë në kurriz. E ndjeva që më shpoi, por nuk është asnjë nga të pandehurit dhe as emrin nuk ia di. Arsyeja unë mendoj se ishte për të më detyruar që të shkoja me atë. Përpara kësaj më dha Denisi një telefon dhe më tha ‘bjeri këtij numri dhe fol’. Unë fola me një nga shokët e grupit, por nuk e mbaj mend se kush ishte. I thashë se ‘ju presin këtu te shkolla disa çuna’, ndërsa ata më thanë se ‘e dimë që janë aty, por ti ik’. Të gjithë bashkë kemi shkuar tek ‘17 Nëntori’, mbas 15-katëshit dhe po prisnim që të vinin shokët e mi, Çeti, Geri, Xhevati, Ilienti dhe Orjali. Më pas kanë ardhur këta shokët e mi, rreth 10 veta, të cilët ishim me kapuça dhe nuk kam parë të kenë diçka tjetër. Kanë filluar duke u gjuajtur me grushte shokëve të Denisit. Kam parë Denisin që po vraponte. Më pas ka ardhur një shoku im, Ardit Ndou, me motor dhe u larguam të dy bashkë”.
Akt-ekspertimi
Sipas akt-ekspertimit mjekoligjor nr. 1797, datë 21.12.2010, rezulton e provuar se në trupin e shtetasit Denis Dollapi janë konstatuar 11 plagë në pjesë të ndryshme të trupit, në gjoks, shpatull, qesen e testeve dhe në pjesën e kofshës (goditje të bëra nga i pandehuri Bexhet në fillim të ngjarjes), dëmtime këto të shkaktuara me mjet të fortë prerës, siç mund të jetë thika. Këto dëmtime hyjnë në kategorinë e dëmtimeve të rënda trupore, pasi kanë qenë të rrezikshme në momentin e shkaktimit dhe kanë sjellë dëmtim të rëndë dhe të përhershëm të shëndetit të shtetasit Denis Dollapi. Pra, konstatohet qartë se përmbajtja e akt-ekspertimit mjekoligjor të mësipërm për dëmtimet e shkaktuara të dëmtuarit përputhen plotësisht me momentin e fillimit të sulmit nga të pandehurit në drejtimin e tij, plagë në kofshë të provuara dhe me dëshmitë e dëshmitarëve okularë gjatë gjykimit.

Seanca per “Stresin”
Gjykata për Krimet e Rënda shtyu dje seancën gjyqësore në ngarkim të katër personave të akuzuar për “gjobëvënie” ndaj regjisorit Leonard Bombaj, mes të cilëve edhe rreperi Arkimed Lusha, i njohur si Stresi. Dje trupa që po gjykon këtë dosje mori gjeneralitetet e të pandehurit Sebastian Kallabaku, i cili u paraqit për herë të parë në proces.
Në vijim, trupa gjykuese pranoi kërkesën e mbrojtësit të Kallabakut për shtyrjen e seancës për t’i dhënë atij kohën e nevojshme të njihej me aktet e dosjes.

Kërkesa e Prokurorisë:
Bexhet Kruda (21 vjeç)         10 vjet burg

Orjal Alla (20 vjeç)               10 vjet burg

Rigers Kruda (17 vjeç)         20 muaj burg

Xhevat Gashi (21 vjeç)         24 muaj burg

ARMAND BAJRAMI

© Panorama.al

Te lidhura