
Pa kaluar një muaj pasi u dënua me dy vjet burg për akuzën e “vrasjes”, Kostandin Xhuvani, djali i artistëve Luiza dhe Gjergji Xhuvani, dërgohet në Gjykatë për një tjetër akuzë. Pak ditë më parë, Prokuroria ka depozituar për gjykim një dosje, ku ai akuzohet për “goditje për shkak të detyrës”. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare pranë Gjykatës së Tiranës, sipas të cilave dosja në falë është regjistruar në 9 dhjetor në kryesekretarin e institucionit. Burime të Prokurorisë së Tiranës bënë të ditur se “zanafilla” e kësaj akuze është konfrontimi i tij me një nga punonjësit e policisë gjatë shoqërimeve të tij për në Gjykatë gjatë procesit të parë. Burimet nuk dhanë detaje se kur është shënuar kjo ngjarje. Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtaren Regleta Panajoti për të shqyrtuar këtë dosje. Mësohet se ende nuk është përcaktuar data e seancës së parë të këtij procesi gjyqësor. Ndërkohë që pritet nisja e këtij procesi, Xhuvani është duke vuajtur dënimin e marrë më 14 nëntor 2011 nga Gjykata e Tiranës. Ai u dënua me 2 vjet burg për akuzën e “vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme” në dëm të shtetasit Alfred Musabelliu, si edhe të “prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Procesi
Historia e Kostandin Xhuvanit me drejtësinë fillon më 12 shkurt 2011. Atë ditë në mëngjes, ai akuzohet se ka vrarë shtetasin Alfred Musabelliu, bashkëmoshatar me të cilin kishte pasur disa konflikte në shoqëri dhe në shkollë. Pas vrasjes së Musabelliut, Kostandin Xhuvani iku nga vendi i ngjarjes dhe fshehu armën e krimit për disa muaj. Pas hyrjes në kontakt me Policinë dhe Prokurorinë, djali i deputetes dhe aktores Luiza Xhivani pranoi vetëdorëzimin në polici. Ai u paraqit në Drejtorinë e Tiranës së bashku me pistoletën e përdorur në vrasjen e Alfred Musabelliut. Pas vetëdorëzimit, Xhuvani deklaroi se ishte penduar për ngjarjen, ndërsa pretendoi se Alfred Musabelliu nga ana e tij i ka drejtuar një pistoletë lodër, për të cilën Xhuvani ka menduar se ishte e vërtetë në momentin kur ka ndodhur ngjarja. Nisur nga ky fakt, prokuroria dhe gjykata e cilësuan ngjarjen si vrasje në kushtet e vetëmbrojtjes dhe lehtësuan pozitën penale të Kostandin Xhuvanit. Në këto kushte, ai u dënua me 3 vjet heqje lirie, por përfitoi uljen e një të tretës nga gjykimi i shkurtuar, duke marrë minimumin e dënimit për akuzën e vrasjes në kapërcim të kushteve të mbrojtjes së nevojshme. Prokuroria mësohet se nuk e ka apeluar dënimin e dhënë nga gjykata e Tiranës për dënimin e Xhuvanit me 2 vjet burg. Ndërkohë, apelim ka bërë avokati që kërkon edhe më shumë ulje dënimi për klientin e tij.
7 vjet burg
është maksimumi i dënimit të parashikuar nga Kodi Penal për akuzën e vrasjes në kapërcim të kushteve të vetëmbrojtjes së nevojshme. Sipas Kodit Penal, dënimi për këtë vepër është burg deri në shtatë vjet
Kontrolli i dosjes nga Ministria
Ministria e Drejtësisë ka deklaruar se do të kontrollojë punën e Gjykatës dhe Prokurorisë, në rastin e akuzës dhe dënimit të dhënë ndaj Kostandin Xhuvanit. Ministria e Drejtësisë u vu në lëvizje një javë pas shpalljes së vendimit nga Gjykata e Tiranës, e cila e dënoi Kostandin Xhuvanin me dy vjet burg. Gjykata qëndroi në të njëjtën linjë me Prokurorinë në kualifikimin e akuzës ndaj djalit të deputetes dhe aktores Luiza Xhuvani. Për këtë shkak, dy inspektorë të Ministrisë së Drejtësisë kanë mbërritur në Prokurorinë dhe Gjykatën e Tiranës dhe kanë nisur kontrollin e dosjes në fjalë, për të parë nëse Prokuroria e Gjykata kanë zbatuar siç duhet ligjin në klasifikimin e veprës dhe në përcaktimin e masës së dënimit. Aktualisht inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë po verifikojnë materialet e dosjes.











