Konfliktet, egoizmat dhe pakënaqësitë në fushën e blertë duket se kanë dalë në modë tek rekordmenët gjermanë të Bajernit të Mynihut dhe për çudi vazhdon të mos korrigjohet. Si gjithnjë, protagonist i egoizmave në fushë ka qenë edhe këtë radhë bashkëkombësi i Luis van Galit, Arjen Roben, i cili njihet për lojën dhe stilin e tij vetjak. Ndryshe nga herët e tjera, ku fantazisti holandez kapi për fyti talentet e Bajernit, Tomas Myler dhe Holger Badshtuber, këtë herë ka qenë mesfushori francez, Frenk Riberi që kritikon atë. Dy fantazistët e ekipit bavarez kaluan disa çaste nervozizmi pas ndeshjes kundër Shalkes të dielën e kaluar, mes të cilëve u fut kapiteni Lahm të qetësonte rrëmujën e ngjarë në pankinë. Arsyeja e këtij konflikte ishte se në minutën e fundit, Arjen Roben kishte mundësi të pasonte tek Riberi, por holandezi, si gjithnjë, preferoi të gjuante vetë duke e humbur shansin për gol, ndërsa nga ana tjetër Riberi priste pasën e tij, por mjaftoi një shikim dyshues dhe kritik për të përfunduar aksionin. “Arjen, pse nuk luan me pasa? Kjo është e rëndësishme për skuadrën. Ti duhet të pasosh, pasi ajo është zgjidhja më e mirë dhe rruga më e shkurtër. Bajerni është një ekip unik, jo vetëm Roben. Po kthehesh ‘tmerri’ i skuadrës”,- i tha francezi, ndërsa 27-vjeçari holandez i përgjigjet shkurt: “‘Ok’, por nuk të pashë”, Riberi i kthehet sërish: “Çfarë ‘ok’, të djallofsha në ‘ok’. T’i kështu thua gjithnjë dhe në fund e djallos përsëri”. Pas këtij konflikti, ata i dhanë dorën njëri-tjetrit, por të shohim nëse Roben do ta mbajë premtimin, apo e ardhmja e tij do të ndryshojë…











