Seanca e tretë e gjykimit të ish-Presidentit egjiptian, Hosni Mubarak, përfundoi nga shpërthimi i përleshjeve në sallën e gjyqit dhe jashtë saj. Një mbështetës i Mubarakut ka ngritur lart një foto të tij, duke zemëruar të afërmit viktimave në protestat e janarit. Edhe avokatët e paditësve u bënë pjesë e përleshjes, duke përfunduar me ndërhyrjen e policisë për t’i ndarë ata dhe duke detyruar gjykatësin të ndërpriste seancën. Ka pasur edhe përleshje jashtë gjykatës ndërmjet demonstruesve dhe policisë. Mubarak, 83 vjeç, i cili është shtruar në spital që në muajin prill, u paraqit sërish me barelë spitali në seancën e tretë të gjykimit kundër tij. Kjo seancë u mbajt pa praninë e kamerave, ndryshe nga dy seancat e para. Mubarak akuzohet për përfshirje në vrasjet e protestuesve dhe “nxitjen” e oficerëve për të përdorur municion real kundër tyre. Rreth 850 njerëz kanë vdekur në protestat, në fillim të këtij viti, duke i dhënë fund regjimit prej tri dekadash të Mubarakut me 11 shkurt.











