Sherr mes adoleshentësh, vritet babai i 18-vjeçarit

Sep 7, 2011 | 11:24
Vendi ku ndodhi ngjarja në Koplik

Sherri mes adoleshentësh shkakton një person të vrarë, një të plagosur.Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në qytetin e Koplikut, ku në grindje e sipër kanë mbetur të plagosur Xhevdet dhe Erjon Metaj, babë e bir, përkatësisht 45 dhe 18 vjeç. Me gjithë ndihmën e dhënë nga bluzat e bardha, 45-vjeçari Metaj nuk ka mundur dot të mbijetojë nga plagët e marra, si dhe nga humbja e gjakut pasi një prej plumbave i ka dëmtuar arterien kryesore. Ndërkohë që djali i tij 18-vjeçar, i plagosur, vazhdon të jetë nën mbikëqyrjen e bluzave të bardha, ndonëse jashtë rrezikut për jetën. Për këtë ngjarje, sektori i Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës ka ndaluar 45-vjeçarin Rasim Haxhija si të dyshuarin e këtij krimi të dyfishtë. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, që lidhen me një grindje mes nipit të autorit dhe djalit të viktimës.

Ngjarja
Pasdreken e së hënës, rreth orës 17:00, mes djalit të viktimës Erjon Metaj dhe nipit të autorit ka filluar një grindje bashkëmoshatarësh, diku në një zonë në periferi të qytetit të Koplikut. Grindja ka përfunduar me një përleshje fizike mes tyre. Pas kësaj është vënë në dijeni të grindjes Rasim Haxhija i cili, pasi ka marrë një pistoletë me vete, është nisur për të sqaruar punët me Erjonin dhe babanë e tij. Rreth orës 18:30, ai ka takuar Xhevdet dhe Erjon Metajn, babë e bir, në qendër të qytetit të Koplikut dhe ka filluar të debatojë me ta në lidhje me grindjen dhe rrahjen e Erjonit me nipin e tij. Debati fillimisht ka filluar me fjalë dhe më pas është acaruar më shumë e, në gjaknxehtësi e sipër, 45-vjeçari Rasim Haxhija ka nxjerrë armën që e mbante pa leje dhe ka qëlluar disa herë në drejtim të babë e bir. Pas kësaj, ai është larguar me shpejtësi në drejtim të paditur. Dëshmitarët e rastit, të ndodhur fare pranë vendit të ngjarjes, i kanë ndihmuar të plagosurit babë e bir, duke i dërguar në spitalin e Shkodrës. Me gjithë ndërhyrjen e bërë nga bluzat e bardha të Shkodrës, gjendja e babait ishte e rëndë dhe u vendos transportimi i tij me urgjencë për mjekim më të specializuar në Spitalin Ushtarak Tiranë. Rreth orës 01:05 të ditës së djeshme, si pasojë e plagëve të marra, 45-vjeçari Metaj ka gjetur vdekjen.

Arrestimi
Me të marrë informacion, drejt vendit të ngjarjes janë nisur menjëherë forca të shumta policore të sektorit të Krimeve të Rënda, pranë Drejtorisë së Policisë Shkodër, si dhe të Komisariatit të Policisë së Malësisë së Madhe. Fillimisht është mësuar identiteti i autorit që dyshohet se është shtetasi Rasim Haxhija, si dhe janë marrë masat për arrestimin e tij. Vetëm rreth orëve të para të mëngjesit, rreth orës 03:00, policia ka arritur të zbulojë vendin ku ndodhej i dyshuari, i cili më pas është arrestuar së bashku me armën e krimit, një pistoletë “TT”, me një krehër me 3 fishekë. Policia ka bërë ndalimin e 45-vjeçarit Haxhija dhe ndaj tij ka ngritur akuzat për veprat penale të “vrasjes me dashje”, “plagosje e lehtë me dashje”, si dhe “armëmbajtje pa leje”.

KOPLIK/ RITVAN DIBRA

© Panorama.al

Te lidhura