TIRANE – Katër të rinj u përfshinë në një konflikt të ashpër me thika, pak para mesnatës të së hënës në Tiranë. Dy prej protagonistëve të ngjarjes mbetën të plagosur rëndë. Ngjarja ndodhi në Kinostudio të Tiranës, në momentin kur palët në konflikt po shkëmbeheshin në rrugë me dy makina. Ata kanë ndaluar automjetet në mes të rrugës kryesore të kinostudios “Aleksandër Moisiu”, vetëm pak metra larg Komisariatit të Policisë Rrugore dhe kanë nisur debatin. Konflikti ka filluar me fyerje dhe kërcënime verbale e më pas ka kaluar në përleshje fizike. Një kalimtar i rastit, i cili është bërë edhe dëshmitar i ngjarjes, ka lajmëruar në sallën operative, duke treguar se ka ndodhur një konflikt me thika dhe protagonistët kanë braktisur makinat duke bllokuar rrugën. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit Nr.4 dhe gjatë rrugës patrulla e policisë ka parë dy të rinj të gjakosur që lëviznin në këmbë. Burime nga Policia thanë se dy të plagosurit janë 21-vjeçarët Klajdi Murataj dhe Edlir Ruçi, të cilët janë transportuar me urgjencë në Spitalin Ushtarak dhe mësohet se e kanë kaluar rrezikun për jetën. Dy personat e tjerë u shpallën në kërkim.











