
Qytetarët e Tiranës do të kenë më shumë shërbime nga minibashkitë. Një grup pune ka drejt përfundimit draftin për decentralizimin e kompetencave vendore nga bashkia e madhe drejt njësive vendore. Shërbimet e reja që do të ofrojnë njësitë për qytetarët nisin nga investimet e deri te zgjidhjet e konflikteve që lidhen me pronën private. “Do të kenë shumë më tepër akses te shkollat, çerdhet, qendrat shëndetësore të zonës. Do të jetë dhe përmirësimi i ligjit të urbanistikës, ku njësitë bashkiake të kenë mundësinë dhe të drejtën për t’i ofruar shërbimet bazë që lidhen me riparime shtëpish”, tha Arben Tafaj, kryetar i Njësisë Vendore Nr. 8 dhe një prej anëtarëve të grupit të punës që po harton draftin. Ai shtoi se, aktualisht njësitë vendore ofrojnë për qytetarët shërbimet bazë, kjo edhe si pasojë e buxhetit të cunguar, i trashëguar nga vendorët e mëparshëm. Drafti që po hartohet për decentralizmin e kompetencave të vendorëve në Tiranë, pritet që të diskutohet edhe në Këshillin Bashkiak. Nëse nuk do të ketë ndryshime në ligjin organik të Bashkisë, ky draft miratohet nga Këshilli i Bashkisë, por në rast se ligji do të preket, ai duhet të kalojë për votim me shumicë të cilësuar në Parlament. “Shërbimet bazë, pra funksionet e veta të njësisë bashkiake, pa dyshim që nuk janë prekur, pavarësisht nga buxheti. Këtu flitet për investime. Njësitë bashkiake do të marrin kompetenca të plota në raport me zonat terciare të njësive bashkiake”, tha Tafaj.











