Shënojnë Edmond Kapllani dhe Besart Berisha

May 9, 2011 | 15:21

Klubi i sulmuesit të Kombëtares shqiptare, Edmond Kapllani, sezonin e ardhshëm do luajë në majën e futbollit gjerman. Fitorja 2-1 e Augsburgut ndaj FSV Frankfurtit një ditë më parë ka siguruar matematikisht ngjitjen një kategori më lart për klubin bavarez, duke iu bashkuar kështu Hertës së Berlinit që e ka siguruar ngjitjen në kategorinë e më të mirave pak javë më parë. Ndërkohë, sulmuesi durrsak ka shënuar gol dje, edhe pse skuadra ku ai luan si i huazuar, Paderborni, është mundur 3-1. Kapllani luajti gjatë gjithë 90 minutave, ndërsa shkurtoi diferencën e golave në minutën e 52-të, kur rezultati i ndeshjes ishte 2-0 në favor të Duizburgut. Në rast se Kapllani do qëndrojë tek Augsburg (i përfundon kontrata në fund të këtij sezoni), ne do të kemi mundësi ta shohim të luajë sërish në Bundesligë. Ka shënuar gol edhe sulmuesi tjetër shqiptar, Besart Berisha. Goli i parë i kosovarit ndihmoi skuadrën e Bielefeldit të mundte 2-1 Karsruhen. Ky ka qenë një sezon për t’u harruar i Berishës në radhët e Arminias, ndaj nuk përjashtohet mundësia që gjatë merkatos së verës ai të largohet nga kjo skuadër. Ndërkaq, Erjon Bogdani është futur vetëm në minutën e fundit të ndeshjes, që Çezena e tij fitoi 2-0 në transfertë përballë Kaljarit. Bomberi shqiptar ka kaluar një periudhë të vështirë pas një dëmtimi në kofshë, që erdhi si pasojë e lodhjes dhe e mbingarkesës. Shtatlarti gëzon një formë të shkëlqyer dhe ky është një lajm i mirë për Kombëtaren shqiptare, në prag të ndeshjes kundër Bosnjës, më 6 qershor.

© Panorama.al

Te lidhura