Ligji i ri përcakton masën e kontributeve që do paguajnë qytetarët. Ajo do të jetë 3,4% e bazës së vlerësueshme. Për të punësuarit, kontributet paguhen në masën 50% nga punëdhënësi dhe në masën 50% nga i punësuari. Baza për llogaritjen e kontributit është paga bruto e personit të siguruar deri në maksimumin e pesëfishit të pagës minimale, për efekt të llogaritjes së kontributeve në shkallë vendi. Nga sa përcaktohet në nenin 7 të ligjit, kontributi i shtetit për personat ekonomikisht joaktivë bazohet në konsumin për frymë të shërbimit shëndetësor, indeksuar me koeficientin e inflacionit. Baza për llogaritjen e kontributit për punonjësit e vetëpunësuar është mesatarja mes pagës minimale dhe maksimale për efekt të llogaritjes së kontributeve. E njëjta gjë vlen edhe për sigurimet shëndetësore vullnetare. Pra, me një llogaritje të thjeshtë, duke iu referuar pagës minimale mujore, e cila është 16.820 lekë dhe asaj maksimale mujore, e cila është 84.100. Paga mesatare për efekt kontributesh shëndetësore llogaritet të jetë 50460 lekë. Sigurimet shëndetësore që do të paguajnë qytetarët janë sa 3.4 për qind e pagës mesatare, çka do të thotë se çdo person i vetëpunësuar do të paguajë në muaj 1715 lekë për sigurime shëndetësore. Me ligjin e ri, kjo kategori do të paguajë 538 lekë më shumë. Në këtë grup bëjnë pjesë të gjithë shtetasit që kanë një aktivitet privat tek i cili janë të punësuar, por edhe personat që jetojnë në fshat, të cilët sipas ligjit konsiderohen të vetëpunësuar në bujqësi.











