Shembet galeria, vdes tragjikisht në minierën e kromit të Bulqizës një 40- vjeçar. Viktima Bajram Dalipi, banues në fshatin Sopot të këtij rrethi, është viktima e tretë në harkun e tre muajve të fundit në galeritë e kësaj miniere. Mësohet se Bajram Dalipi, bashkë me banorë të tjerë të Bulqizës punonin për llogari të një subjekti privat të licencuar, në minierat e zonës D. Si çdo ditë tjetër, ai kishte hyrë në galerinë nr.58, në një thellësi rreth 1000 metra për të nxjerrë krom. Sipas dëshmitarëve në vendin e ngjarjes, dje rreth orës 13:00, Dalipi kishte tentuar të kontrollonte me levën e tij sigurinë e frontit të punës. “Provoi njëri pas tjetrit disa gurë në tavanin e galerisë, kur befas nisi shembja e gurëve. Ne ishim afër vendit të ngjarjes dhe arritëm të largoheshim me shpejtësi teksa binin gurët. Pamë se llamba e ndriçimit e kolegut tonë ishte shuar. Thirrëm me sa fuqi kishim, por nuk tentuam t’i afrohemi vendit të ngjarjes, pasi rreziku ishte i madh. Një re e madhe pluhuri pushtoi galerinë dhe u detyruam të dalim nga galeria. Fillimisht i telefonuam pronarit të minierës dhe më pas informuam Policinë për ngjarjen e rëndë”. Kështu mësohet se kanë deklaruar për grupin e hetimit minatorët e galerisë nr.58, të cilët janë ndodhur në vendin e ngjarjes në momentin kur ndodhi shembja masive e gurëve, duke zënë poshtë njërin prej kolegëve të tyre. Rreth dy orë më vonë, minatorë të këtij subjekti minerar dhe specialistë të ACRsë (që nuk e ka në varësi minierën), mbërritën në këtë galeri. Ata kanë nisur punën për nxjerrjen e trupit të viktimës, duke e arritur këtë me mjaft vështirësi. Katër orë më vonë, në vend mbërritën edhe specialistët e RISHM-it nga Tirana, por tashmë viktima e radhës ndodhej në morgun e spitalit të Bulqizës. Burime nga spitali i Bulqizës thanë se Dalipi, baba i katër fëmijëve, kishte pësuar dëmtime të rënda në pjesë të ndryshme të trupit për shkak të uzurpimit nga inertet e shumta. “Nga informacionet e marra ka rezultuar se në galerinë 58, e cila është nën pronësinë e shtetasit Adnan Halili, ka mbetur i plagosur rëndë dhe më pas ka gjetur vdekjen shtetasi Bajram Dalipi, i cili është nxjerrë nga thellësia e galerisë nga grupi i Shpëtimit e Emergjencave dhe më pas është dërguar drejt morgut të spitalit të qytetit Bulqizë”, thuhet në deklaratën e Policisë së Bulqizës. Pas hetimeve të kryera, Policia shoqëroi pasdite katër persona, të cilët janë marrë në pyetje. Sipas burimeve të Policisë, personat e shoqëruar janë shtetasit Rrahim Laçi, pronari tjetër i galerisë, Mustafa Pata, drejtues teknik, punëtori Faik Dedja, si dhe brigadieri Dëfrim Lala.
SEKUESTROHET DOKUMENTACIONI I FIRMËS
Në vendin e ngjarjes është ndodhur shumë shpejt prokurori i Dibrës, Hysni Vata dhe specialistë të Drejtorisë së Policisë të Qarkut Dibër. Pasi janë pyetur dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes, Prokuroria ka sekuestruar dokumentacionin e firmës së licencuar, e cila nuk administrohet nga kompania koncesionare ACR, dhe më pas janë shoqëruar katër persona, mes tyre edhe një nga pronarët e galerisë. Minatori Bajram Dalipi humbi jetën teksa po punonte në rreth 1000 metra në thellësi të minierës.
HASAN PASHA
© Panorama.al











