Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, tha dje se zgjidhja e kësaj situate kërkon një bashkëpunim të dy kampeve politike për të kryer tri reforma të mëdha që janë emergjente për vendin, ndërsa kërkon që protestat e opozitës të mos kthehen në qëllim në vetvete. “Protesta janë një e drejtë demokratike, por nëse protesta kthehet në qëllim në vetvete, i bie vlera dhe mendoj se do të tensionojë aq shumë situatën, saqë zgjidhjet do të jenë radikale. Unë gjykoj se kemi nevojë për një periudhë refleksioni, duke rënë dakord palët që të punojnë bashkërisht për tri reforma të mëdha: reformën kushtetuese, reformën zgjedhore dhe reformën e administratës lokale. Këto reforma mund të bëhen vetëm tani, sepse pas një viti afrojnë zgjedhjet e tjera dhe nuk bëhen më. Madje, këto reforma mund të jenë një rrugë paqësimi dhe pajtimi mes palëve për të kaluar këtë situatë, e cila nuk nxjerr asnjë fitimtar, por vetëm të humbur”, u shpreh Shehi për “Panorama”.
Duke folur për tensionin e krijuar në KQZ ku opozita kërkon nxjerrjen e rezultatit të Tiranës, kreu i LZHK-së shprehet se veprimet e fundit i kanë humbur shkëlqimin standardeve që këto zgjedhje arritën. “Zgjedhjeve, me këto veprime që po bën KQZ, i humbi shkëlqimi. Ishim duke thënë se kësaj radhe zgjedhjet ishin më të mirat që kemi bërë, por veprimet e fundit të KQZ, interpretimi i të cilave është teknik dhe unë nuk jam teknicien në këtë fushë, na treguan në sy të të gjithë shqiptarëve dhe të gjithë botës, se nuk arrijmë të bëjmë dot zgjedhje me standarde, ta nisim procesin dhe ta përfundojmë siç duhet. Votat duhen lexuar, por në këto zgjedhje palët hynë me kodin e vjetër dhe me mentalitet të vjetër. Ka ardhur dita që të gjithë të reflektojnë për këtë situatë”, u shpreh kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi.











