Shehi: S’i shkoj mbrapa Topit, po të dojë të vijë te LZHK

Jan 6, 2012 | 12:26

Dashamir Shehi

Kreu i LZHK: Presidenti, çështje e gjithë shqiptarëve.

“Të zgjedhim President konsensual si  Moisiu, kështu tregohemi më europianë”

Kryetari i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi, nuk do të bashkohet me Bamir Topin nëse ai do të krijojë një forcë të re politike, por e fton atë në LZHK. Në një intervistë për gazetën “Panorama” ai flet gjithashtu edhe për mënyrën se si duhet të zgjidhet Presidenti dhe komenton emrat që kanë dalë deri tani, Jozefina Topalli dhe Fatos Nano.
I pyetur nëse do të bëhet pjesë e projektit të ri të Topit pasi ai të përfundojë mandatin e Presidentit, Shehi thotë: “Jo. Ne e kemi Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Kemi vite që jemi në politikë. Megjithatë, të tjerët kanë të drejtë të bëjnë partinë e tyre. Unë, të them të drejtën, njeriut nga mbrapa nuk i shkoj, sepse jam lodhur duke u shkuar të tjerëve nga mbrapa. Kush do të vijë në LZHK, që e ka treguar se çfarë është, mirë se të vijë. Unë u kam thënë të gjithë qytetarëve që të bëjmë një Shqipëri më ndryshe. Tani nuk kam ndër mend të bëj gjëra të tjera. Na mjafton dhe na tepron LZHK-ja jonë. Tani jemi një forcë e konsoliduar”.
Duke u ndalur te gara presidenciale që do të zhvillohet në muajin korrik, kreu i LZHK-së thotë se idealja do të ishte që Partia Demokratike dhe Partia Socialiste të kishin një emër të përbashkët. “Një president me konsensus, jo se do të jetë më i mirë nga të mëparshmit, sepse varet nga individi, por për imazhin e vendit do të ishte pozitive, njësoj siç ndodhi kur u zgjodh Moisiu. Ato momente e projektuan Shqipërinë më shumë europiane dhe më pak ballkanike. Do ta quaja pozitive nëse do të ishte një person që do t’i puqte të gjitha palët. Se sa e mundur është kjo punë, duhet të presim”. Dashamir Shehi hedh poshtë mundësinë e votimit nga Partia Demokratike të kandidaturës së ish-kryeministrit socialist Fatos Nano për postin e Presidentit. Sipas tij, vendit nuk i duhen njerëz që kanë pasur lidhje me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. “Unë nuk dua të gjykoj kush është i miri apo kush është i keqi. Do të thosha që Shqipëria ka nevojë që të kaluarën ta lërë mbrapa. Ne nuk kemi nevojë t’u rikthehemi muhabeteve të tilla, sepse kjo do të thotë që po xhirojmë në vend. Ka ardhur koha për të parë përpara. Përpara shohin njerëzit që nuk kanë pasur lidhje me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Kështu gjykoj unë, pastaj të tjerët të bëjnë si të duan”, shprehet më tej Dashamir Shehi.
Zoti Shehi, Parlamenti do të zgjedhë në muajin korrik Presidentin e ri të vendit. Sipas Kushtetutës, në tri raundet e para kërkohen 84 vota, ndërsa në të katërtin ai mund të zgjidhet me 71. Në vlerësimin tuaj maxhoranca duhet të tentojë konsensusin me opozitën, apo të presë deri në raundin e katërt për ta zgjedhur vetë?
Unë gjykoj që zgjedhja e një Presidenti me konsensus është gjithmonë shumë e mirë, pasi kjo nuk është punë as e maxhorancës, as e opozitës, por e të gjithë shqiptarëve. Një president me konsensus, jo se do jetë më i mirë nga të mëparshmit, sepse varet nga individi, por për imazhin e vendit do të ishte pozitive, njësoj siç ndodhi kur u zgjodh Moisiu. Ato momente e projektuan Shqipërinë më shumë europiane dhe më pak ballkanike. Do ta quaja pozitive nëse do të ishte një person që do t’i puqte të gjitha palët. Se sa e mundur është kjo punë, duhet të presim.
Sipas jush, Bamir Topi duhet të rikandidojë për postin e Presidentit? A ka ende mundësi ai?
Mua më duket e zorshme kjo punë tani, megjithatë jemi në Shqipëri dhe këtu çdo gjë mund të ndodhë. Si në çdo gjë tjetër, edhe këtu njerëzit do të zgjidhen muajin e fundit. Kështu jemi mësuar t’i zgjidhim punët ne. Sa i përket kandidimit të Bamir Topit, mund të them se askush nuk ka të drejtë të kandidojë në Shqipëri. Mund të kandidojnë për qejf apo për emër, mirëpo Kushtetuta që kemi ne kërkon që të kesh deputetë nga mbrapa që të të mbështesin dhe të kandidosh. Të gjithë nuk mund të kandidojnë. Mund të kenë dëshirë, por duhet të kenë mbështetjen e deputetëve. Ligji ynë është i tillë. Nëse do të ishte me votë, do të ndodhte ajo që po ndodh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës sot. Këtu është puna e partive, e mirë apo e keqe qoftë kjo punë.
Së fundi është hedhur ideja e zgjedhjes së Presidentit nga populli. Ju e mbështesni këtë variant?
Nëse do të ndryshohet Kushtetuta, kjo është një çështje tjetër afatgjatë. Nuk është vetëm puna e Presidentit, duhet të ndryshohen edhe gjëra të tjera. Kjo është një çështje kushtetuese. Në Shqipëri kjo tezë njëherë përnjëherë nuk ka për t’u bërë realitet.
Në skenën politike kanë qarkulluar edhe emrat e Jozefina Topallit dhe Fatos Nanos si kandidatë për postin e Presidentit. Cili është vlerësimi juaj për këto dy figura?
Unë nuk dua të gjykoj kush është i miri apo kush është i keqi. Do të thosha që Shqipëria ka nevojë që të kaluarën ta lërë mbrapa. Ne nuk kemi nevojë t’u rikthehemi muhabeteve të tilla, sepse kjo do të thotë që po xhirojmë në vend. Ka ardhur koha për të parë përpara. Përpara shohin njerëzit që nuk kanë pasur lidhje me Enver Hoxhën dhe Ramiz Alinë. Kështu gjykoj unë, pastaj të tjerët të bëjnë si të duan.
Presidenti Bamir Topi është shprehur se do të rikthehet në politikë kur t’i përfundojë mandati. A do të bashkoheni ju me atë kur të krijojë një formacion të tijin politik?
Jo. Ne e kemi Lëvizjen për Zhvillim Kombëtar. Kemi vite që jemi në politikë. Megjithatë, të tjerët kanë të drejtë të bëjnë partinë e tyre. Unë, të them të drejtën, njeriut nga mbrapa nuk i shkoj sepse jam lodhur duke u shkuar të tjerëve nga mbrapa. Kush do të vijë në LZHK, që e ka treguar se çfarë është, mirë se të vijë. Unë u kam thënë të gjithë qytetarëve që të bëjmë një Shqipëri më ndryshe. Tani nuk kam ndër mend të bëj gjëra të tjera. Na mjafton dhe na tepron LZHK-ja jonë. Tani jemi një forcë e konsoliduar.
Sipas jush, krijimi i një partie tjetër politike nga spektri i djathtë do ta vinte në rrezik fitoren e zgjedhjeve nga PD në 2013-n?
Nuk e di. Unë e gjykoj edhe ndryshe, nuk do të thotë se patjetër do të rrezikohet fitorja e PD. E djathta edhe mund të bashkohet. Nuk shoh ndonjë dramë të madhe po të bashkohen. Shqipëria duhet të ndryshojë, ky është realiteti. Nuk mund të rrimë skllevër të një skeme.

Ne facebook, Braçe: President të popullit, jo të partisë

Erjon Braçe

Nënkryetari i Grupit Parlamentar Socialist, Erjon Braçe, u shpreh dje në Facebook se Presidenti i Republikës duhet të zgjidhet sipas frymës së Kushtetutës dhe jo me shumicë të thjeshtë. “Fryma e Kushtetutës është e qartë: Presidenti përfaqëson… unitetin e popullit! Tre raunde votimi, që kërkojnë 3/5 e votave të deputetëve, materializojnë këtë frymë të Kushtetutës! President të Republikës, jo President të partisë! President që përfaqëson unitetin e popullit, jo unitetin e partisë!”, shprehet Braçe në adresën e tij në Facebook. Sipas tij, Kryeministri Berisha po kërkon të zgjedhë President nga partia. “Thjesht po synon të votojë një President, pa një proces që zgjedh një President! Po kërkon të mbajë larg dhe të përjashtojë opozitën nga ‘procesi i zgjedhjes së Presidentit’. Ka një qëllim: një President të partisë, jo të popullit!”, shprehet Braçe.

ADI SHKEMBI

© Panorama.al

Te lidhura