Kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, ka reaguar për vendimin që mori Gjykata Kushtetuese ditën e sotme, në votimin 5 me 3 për të pezulluar përkohësisht masën pezullim nga detyra për zv/kryeministren Belinda Balluku, deri sa të shpallet vendimi më 22 janar.
Ligjvënësi e sheh këtë vendim vetëm si pak më shumë kohë të fituar nga kryeministri Edi Rama dhe asgjë më shumë. Nëpërmjet një video-postimi në rrjetin social Facebook, Shehaj nënvizon se:
“Gjykata Kushtetuese zgjodhi të mbrojë Ramën dhe Ballukun, duke i dhënë Edi Ramës vetëm pak kohë më shumë, asgjë më tepër”.
Më tej ai akuzon institucionin e drejtësisë së mbajti anën e të korruptuarve me këtë vendim, pasi duhet ta kishte lënë në fuqi edhe masën e pezullimit për Ballukun.
“Gjykata Kushtetuese vendosi ta kthejë në detyrë të pandehurën Belinda Balluku. Në përplasje mes drejtësisë dhe Edi Ramës dhe qeverisë së korruptuar, Gjykata Kushtetuese mbajti anën e të korruptuarve”, vijon ai.
Në fund e mbyll duke sqaruar se ky vendim nuk e shpëton zv/kryeministren.
“Në fakt ky nuk është një vendim që e shpëton Ballukun. Por ky vendim synon të shpëtojë Ramën, sepse kryeministri tani mendon se është i paprekshëm dhe mund të vazhdojë ta sulmojë drejtësinë dhe drejtësia nuk e pezullon dot, nuk e arreston dot. Kjo nuk është e vërtetë, me këtë vendim Rama thjesht fitoi pak më shumë kohë. Rama nuk shpëton dot, fati i tij është vendosur në Perëndim”, përmbyll Shehaj postimin e tij.
Balluku është marrë e pandehur nga SPAK dhe me masë pezullim nga detyra, bllokim pasaporte dhe ndalim për dalje jashtë vendit, për veprën e shkeljes së barazisë në tenderë, masa e vendosur nga GJKKO, për tunelin e Llogarasë dhe Lotin 4 të Unazës së Madhe.
© Panorama.al












