I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, po udhëton drejt Zvicrës, ku pritet të zhvillohet raundi i parë i bisedimeve me Iranin për çështjen bërthamore. Lajmi është bërë i ditur nga “Axios”, duke cituar një zyrtar amerikan.
Bisedimet ishin planifikuar të nisnin të premten, më 19 qershor, por u shtynë. Sipas Teheranit, përgjegjësia për këtë vonesë i takon Izraelit.
Autoritetet iraniane pretendojnë se në marrëveshjen me 14 pika të nënshkruar me Uashingtonin ishte përfshirë edhe çështja e Libanit, por ndërkohë forcat izraelite kanë vijuar bombardimet në jug të vendit dhe, sipas Teheranit, refuzojnë të tërhiqen.
Ndërkohë, edhe ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi pritet të udhëtojë sot drejt Zvicrës. Sipas “Axios”, planet e tij ende mund të ndryshojnë.
Araghchi u ka bërë të ditur disa partnerëve rajonalë se armëpushimi në Liban është një çështje qendrore dhe vendimtare për Iranin në negociatat me Shtetet e Bashkuara.
© Panorama.al












