FOTO/ Aksident hekurudhor në Mynih, treni del nga shinat bie nga ura, një person plagoset rëndë

Jun 20, 2026 | 9:35

Një person ka mbetur i plagosur rëndë pasi një tren mallrash ka dalë nga shinat dhe ka rënë nga një urë në Mynih, gjatë natës mes së premtes dhe të shtunës, bëri të ditur policia gjermane.

treni mynih (1)

Sipas autoriteteve, ngjarja ndodhi rreth orës 01:40 të mëngjesit në zonën Milbertshofen, në një urë hekurudhore në rrugën Schleißheimer.

“Dy trena mallrash po kryenin manovrime në shina, kur gjatë procesit ndodhi një përplasje. Si pasojë e goditjes, njëri prej trenave u shty në drejtim të rrugës Schleißheimer dhe ra nga ura”, deklaroi policia për gazetën gjermane “BILD”.

Deri tani nuk dihet se çfarë materiali transportonte treni, por policia ka konfirmuar se ngarkesa nuk përmbante lëndë të rrezikshme dhe se nuk ka rrezik për popullatën.

treni mynih (4)

Pamja që u përballën forcat e emergjencës gjatë natës në rrugën Schleißheimer, në lagjen Milbertshofen të Mynihut, ishte njëkohësisht dramatike dhe tronditëse. Një person ka pësuar plagë të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike, konfirmoi një zëdhënës i policisë për agjencinë gjermane të lajmeve “dpa”.

Sipas informacioneve paraprake, për shkaqe ende të paqarta, dy trenat e mallrave u përplasën gjatë manovrimeve në urën hekurudhore. Nuk dihet ende se kur do të mund të hiqen vagonët e dëmtuar.

“Jemi ende shumë larg fazës së largimit të vagonëve”, u shpreh zëdhënësi i policisë.

treni mynih (3)

Autoritetet nuk kanë përcaktuar ende se sa kohë do të zgjasë operacioni për heqjen e vagonëve. Një pjesë e rrjetit rrugor në zonë mund të mbetet e bllokuar edhe gjatë ditës së diel.

Aksidenti ndodhi në një segment hekurudhor që përdoret vetëm nga trenat e mallrave, sipas një përfaqësueseje të kompanisë hekurudhore gjermane Deutsche Bahn. Për këtë arsye, nuk priten probleme për linjat e transportit të pasagjerëve.

treni mynih (2)

© Panorama.al

Te lidhura