Kryetari i Partisë Mundësia, deputeti Agron Shehaj, foli sot në emisionin “Kjo Javë” për përplasjen që pati në parlament me zv/kryeministren Belinda Balluku, që i kushtoi edhe përjashtimin nga seanca e të mërkurës.
Ai shpjegoi se kishte kërkuar disa interpelanca me Belinda Ballukun dhe u refuzua, teksa theksoi se tashmë ajo është e kapur në abuzime financiare me tenderë, për ato çështje që ishin denoncuar nga ai dhe opozita.
Shehaj nënvizoi se në vend që Balluku të merrej me të në seancën parlamentare, duhet të jepte llogari për abuzimet me tenderat dhe të shpjegonte vjedhjen e milionave, përfshi dhënien e koncesioneve, si Triporti i Vlorës.
“Belinda Balluku duhet të flasë për 70-vjeçarin që ka marrë koncesionin e Triportit të Vlorës, pra një pensionist, për këto duhet të flasë. Duhet të flasë për tunelin e Llogarasë, për Unazën e Madhe, Tigrat dhe të tjerat”, theksoi deputeti për “News 24”.
Shehaj ndan mendimin se kryeministri e mbrojti zëvendësen e tij edhe pse GJKKO dhe SPAK i thanë se ajo ishte e implikuar në tenderë dhe abuzime. Kur Rama rezistoi ata forcuan masën e sigurisë dhe përsëri kreu i qeverisë sipas tij po mendon se si ta shpëtojë.
“Rama ndenji me orë të tëra me Belinda Ballukun dhe Ulsi Manjën në zyrë, për të gjetur se si ta shpëtojnë Ballukun sot, se si ta shpëtojnë nesër”, vijoi ai.
Deputeti u shpreh i bindur se pikërisht tani drejtësia po vepron, sepse po has edhe sulmin e pushtetit, pra ka përplasje mes dy palëve.
“Duhet ta them, ky është momenti që tregon se si do largohen e pastrohen politikanët e Shqipërisë. E kam thënë, ditën që do ketë përplasje mes Drejtësisë dhe Pushtetit, pra qeverisë, Edi Ramës, atëherë do jetë dita që Drejtësia do funksionojë”, tha Shehaj.
Në fund deputeti shprehu edhe mbështetjen pa kufi për Drejtësinë, ndaj edhe protesta para Kryeministrisë ditën e djeshme sipas tij kishte pikërisht këtë qëllim.
© Panorama.al












