Tritol banesës së shefit të policisë, kamerat filmuan atentatorin

Dec 9, 2011 | 11:40

Pallati ku ndodhi ngjarja

Tiranë, vendosen 300-400 gramë tritol në katin e pestë, në derën e apartamentit të Dorian Muçës.

Krimet e Rënda hetojnë sulmin për shkak të detyrës ndaj Muçës.

Banesa e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës për hetimin e krimeve, Dorian Muça, është sulmuar natën e kaluar me eksploziv në katin e pestë të një pallati në kryeqytet. Ngjarja ndodhi rreth orës 02:40 të mëngjesit të djeshëm, në pallatin ku banon kryekomisari Dorian Muça, tek kryqëzimi i rrugëve “Ndre Mjeda” e “Frosina Plaku”, në zonën e ish-Parkut të Autobusëve, në Tiranë. Hetuesit mendojnë se një sasi e konsiderueshme tritoli, ndoshta 300-400 gramë, e vendosur në derën e apartamentit në katin e pestë, ka shpërthyer duke dëmtuar shtëpinë e zyrtarit të Policisë. Eksplozivi ka shkaktuar dëmtime edhe në banesat fqinje me atë të zv.drejtorit të Policisë së Tiranës. Ngjarja fatmirësisht shkaktoi vetëm dëme materiale, pa pasoja në njerëz. Burime nga Policia thanë se në momentin e ngjarjes, Dorian Muça ndodhej në shtëpi me familjarët, bashkëshorten dhe dy fëmijët e mitur. Pas shpërthimit, në vendin e ngjarjes mbërritën ekspertë xhenierë, antieksplozivë, oficerë të Akteve Terroriste, të Hetimit të Krimeve, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Prokuroria e Krimeve të Rënda dërgoi në vendin e ngjarjes zv.prokurorin e saj, ndërsa krijoi një grup të posaçëm hetimor në lidhje me vendosjen e eksplozivit në banesën e zv.drejtorit të Policisë. Zyrtarisht, në një deklaratë për shtyp të Policisë së kryeqytetit, thuhej se, “strukturat e Policisë së Shtetit kanë qenë dhe do të jenë të vendosura për të luftuar me rigorozitet çdo lloj forme krimi, duke goditur në kohë dhe vendosur përpara drejtësisë elementë kriminalë, duke punuar me angazhim maksimal dhe duke qëndruar të palëkundur në luftën ndaj krimit, gjithnjë me fuqinë që i jep ligji”.
Kamera filmoi autorin
Një kamera vëzhgimi e vendosur përballë hyrjes së pallatit ku banon zv.drejtori i Policisë Dorian Muça, ka filmuar të dyshuarin për vendosjen e eksplozivit. Sipas Policisë, personi është filmuar duke hyrë dhe duke dalë nga pallati. I dyshuari ka një gjatësi rreth 1.78-1.80 metra, duket në moshë të re dhe ka hyrë dhe ka dalë nga pallati brenda gjashtë minutash. I dyshuari ka përdorur ashensorin e pallatit për t’u ngjitur deri në katin e pestë dhe përsëri për të zbritur. Nga pamjet filmike, i dyshuari mban në dorë një kuti me ilaç rrobash të markës “Deka”, ku dyshohet se kishte futur sasinë e tritolit, që sipas Policisë, ka qenë rreth 300-400 gramë. Ai është filmuar sërish në dalje, vetëm pak sekonda para se të ndodhte shpërthimi dhe është parë të heqë nga dora një dorezë dhe në dorën tjetër mbante një objekt në formën e çakmakut, me të cilin ka ndezur fitilin. Menjëherë pasi ai është larguar nga hyrja e pallatit, kur ora shënonte 02:40, ka ndodhur edhe shpërthimi në katin e pestë, në apartamentin ku banon Dorian Muça.
PAS SHPERTHIMIT
Disa orë pas shpërthimit të eksplozivit në banesën e nëndrejtorit të Policisë, Dorian Muça, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, ka zhvilluar një mbledhje urgjente me drejtuesit e lartë të Policisë. Mbledhja në zyrat e Drejtorisë së Policisë së Tiranës ka zgjatur rreth 40 minuta. Mësohet se ministri Nishani është informuar për të ecurinë e hetimeve dhe pistën kryesore, që sipas burimeve, lidhet me detyrën e Dorian Muçës në Polici në luftën kundër krimit.  Ministri i Brendshëm ishte i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Avenir Peka, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm, Agron Kuliçaj, si dhe drejtoi i Krimeve të Rënda, Tonin Vocaj. Në lidhje me mbledhjen e zhvilluar nuk pati deklaratë zyrtare për mediat, por mësohet se ministri Nishani u njoh me detajet e ngjarjes dhe pistën kryesore ku është përqendruar hetimi, që sipas burimeve zyrtare, ngjarja ka ndodhur për shkak të detyrës. Për vetë pozicionin aktual të punës që ka Dorian Muça, si zëvendësdrejtor për Hetimin e Krimeve, apo edhe detyrat e mëparshme, hetimet janë orientuar drejt ngjarjeve të rënda që ai aktualisht ka në hetim, por edhe të disa viteve më parë, kur ishte pjesë e grupit të operacioneve speciale.

Identikiti
Nga pamjet filmike të fiksuara prej kamerës së sigurisë, e cila ka regjistruar të dyshuarin, është ndërtuar edhe një identikit i përafërt i personit që vendosi eksplozivin në derën e apartamentit të Dorian Muçës. I dyshuari mban një kapuç të bardhë në kokë dhe ka veshur një xhup të zi. Nga pamja ai duket një person i ri, rreth moshës 25-27 vjeç dhe është afro 1.78-1.80 metra i gjatë. Megjithatë, kamera nuk ka fokusuar fytyrën e të dyshuarit, pasi ai vazhdimisht i shmangej filmimit, duke mbajtur kokën ulur dhe duke ecur me shpinë, pasi sipas policisë, mund të ketë qenë në dijeni të kamerave të sigurisë në zonë.

Imazhet e filmuara nga kamera s‘janë të qarta
Burimet nga grupi i hetimit për vendosjen e eksplozivit në banesën e zv.drejtorit të Policisë së Tiranës, Dorian Muça, kanë pohuar se po ndeshin në vështirësi gjatë administrimit të imazheve të filmuara nga kamera e sigurisë. Kjo për shkak se pamjet nuk janë aq cilësore sa të identifikojnë plotësisht personin e dyshuar për ngjarjen. Burimet nga hetimi i çështjes thanë se ditën e djeshme janë interesuar edhe për ndonjë kamera tjetër që mund të jenë e instaluar në zonën ku ndodhi ngjarja, e cila mund të ketë filmuar ndonjë sekuencë nga lëvizjet e autorit të vendosjes së eksplozivit. Prokuroria e Krimeve të Rënda mësohet se ka ngarkuar prokurorin Eugen Beçi me hetimin e ngjarjes, ndërsa dje në vendin ku ndodhi krimi ka shkuar edhe zv.prokurori Kostaq Beluri.

Tiranë, operacion për zbulimin e autorit të ngjarjes
Shoqërohen në polici 15 persona të dyshuar nga fotografitë e kamerës

TIRANE – Policia e krye-qytetit ka shoqëruar dje një numër të konsiderueshëm personash të dyshuar për vendosjen e eksplozivit në banesën e zv.drejtorit të Policisë. Nisur nga karakteristikat e autorit të dyshuar të ngjarjes, i filmuar nga kamerat e sigurisë, policia menjëherë pas zbardhjes së pamjeve filmike ka nisur një operacion në terren për shoqërimin e personave që kishin moshë, gjatësi dhe tipare të ngjashme me autorin. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se në ambientet e Komisariatit Nr.2 dhe në Drejtorinë e Policisë së qarkut janë shoqëruar 15 persona me karakteristika të përafërta me të autorit, të cilëve u janë marrë deklarime në lidhje me vendndodhjen e tyre në momentin e ngjarjes. Personat e shoqëruar janë kryesisht banorë të zonës së ish-Parkut të Autobusëve, ku banon zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, që gjithashtu kanë tendenca kriminale dhe precedentë të mëparshëm. Nga të njëjtat burime mësohet se ata janë lënë sërish të lirë, pasi kanë dhënë deklarimet e tyre, pasi paraprakisht nuk rezultojnë të kenë lidhje me ngjarjen. Megjithatë, operacioni për identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar ka vazhduar edhe gjatë orëve të pasdites dhe gjatë gjithë natës.

Nga Komisariati 1 tek arrestimet
Karriera e Dorian Muçës në rradhët e Policisë së Shtetit
TIRANE – Kryekomisar Dorian Muça, i cili prej një viti ushtron detyrën e zëvendësdrejtorit për Hetimin e Krimeve në Policinë e Tiranës, ka ardhur në këtë detyrë pas një karriere intensive në Polici. Muça është emëruar në këtë detyrë në dhjetor të vitit 2010, kur zëvendësoi paraardhësin e tij, Artan Cuku. Më parë, për rreth një vit, Muça ushtronte detyrën e shefit të Komisariatit Nr.1, që është edhe një prej më të rëndësishmëve në Tiranë. Para se të merrte pozicione drejtuese, Dorian Muça është përballur me kontingjent kriminal drejtpërsëdrejti në terren, duke kryer arrestime të personave të shumëkërkuar dhe me rrezikshmëri kriminale. Muça ka qenë një prej oficerëve të Grupit të Operacioneve Speciale, që mori pjesë edhe në arrestimin e të shumëkërkuarit Ilir Paja rreth katër vite më parë, te kryqëzimi i spitalit “Nënë Tereza”, në Rrugën e Dibrës, gjatë një operacioni spektakolar të policisë. Pas ngjarjes së djeshme, grupi hetimor ka marrë në shqyrtim të gjitha dosjet e ngjarjeve të fundit që kanë ndodhur në Tiranë, hetimet e të cilave i drejton Dorian Muça. Gjithashtu, edhe dosje të tjera personash me rrezikshmëri të lartë kriminale që janë arrestuar disa vite më parë, kur Muça ishte pjesë e Grupit të Operacioneve Speciale dhe përballej me krimin në terren.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura