
Kryetari i kolegjiumit të gjyqtarëve të Elbasanit, Sopot Resmeliu, në një prononcim për mediat ka bërë replikë me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, për akuzat që ky i fundit ka bërë ndaj gjy-qtarëve të Elbasanit, të cilët arbitruan ndeshjen ndërmjet Pogradecit dhe Teutës, në veçanti kryesorin Enea Jorgji. Në këtë deklaratë thuhet se arbitrat janë ofenduar përgjatë gjithë ndeshjes nga tifozët dhe kryebashkiaku i këtij qyteti. Sakaq, kolegjiumi i arbitrave të Elbasanit pohon se është i indinjuar nga deklaratat e Shkëmbit dhe i kërkon këtij të fundit të kërkojë falje publike. “Marr shkas nga një prononcim i tij në gazetën ‘Panorama Sport’, ku ky kryetar Bashkie ka akuzuar gjyqtarët e kolegjiumit tonë, duke e cilësuar madje Enea Jorgjin edhe si hajdut xhepash. Nuk i shkon aspak një kryetari Bashkie të akuzojë dhe fyejë në këtë mënyrë një gjyqtar, aq më tepër që Jorgji është edhe i FIFA-s. I kërkoj atij të kërkojë falje publike për akuzat që ka bërë në këtë gazetë dhe nëse mendon se ka korrupsion t’i dërgojë ato në Prokurori dhe aty të ballafaqohemi. Nëse akuzat e tij vërtetohen, atëherë jemi ne që i kërkojmë falje, por nëse jo, atëherë duhet ta bëjë ai këtë gjë”, shprehet kryetari i kolegjiumit të Elbasanit, Sopot Resmeliu. Resmeliu ndalet më tej edhe te dhuna e ushtruar ndaj gjyqtarëve, duke theksuar se edhe vetë shefi i Policisë u bënte presion arbitrave. “Dhuna e ushtruar ndaj tyre është një rast i paprecedentë që duhet dënuar. Kryetari i Bashkisë gjatë gjithë kohës i ka ofenduar dhe sharë gjyqtarët dhe nuk i shkon një personi publik të sillet si rrugaç. Më vjen vërtet keq që edhe vetë shefi i Policisë u bë palë në këtë mes, ku në vend të mbronte gjyqtarët u bënte presion, madje me fjalët më makabre që mund të thuhen si: ‘Do ju var në litar apo do ju shtyp kokën’. Gjej rastin t’i bëj thirrje FSHF-së të ndalet te rastet e dhunës, sepse arbitrat shkojnë në stadium për të gjykuar një lojë futbolli dhe jo të dhunohen”, përfundoi prononcimin e tij, Resmeliu.
Kujtim Isaji: “Agresori në pranga, s’kam kërcënuar askënd”
Ka qenë i menjëhershëm reagimi i shefit të rendit në Pogradec, z.Kujtim Isaji. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, ai ka treguar në detaje gjithçka që ka ndodhur në stadiumin e këtij qyteti, duke theksuar se ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë ajo që ka ndalur dhunën ndaj zyrtarëve. “Nuk kam kërcënuar asnjeri. Kam një jetë në polici dhe e them me bindje se askush që më njeh nuk e beson se unë të kem bërë një gjë të tillë, ca më pak ndaj zyrtarëve. Megjithatë, mendoj se nuk ia vlen dhe nuk dua të merrem me ata që më akuzojnë mua dhe Policinë e Pogradecit. Di t’ju them se ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë ajo që ka neutralizuar dhunën në fushën e lojës dhe nuk ka lejuar që tifozët e irrituar të zbrisnin në fushë dhe të ndodhte ajo që kemi parë në stadiume të tjera. Menjëherë sapo kemi parë gjendjen, unë së bashku me policët kemi shkuar në mesin e fushës në mbrojtje të gjyqtarëve dhe zyrtarëve të ndeshjes. Më pas i kemi shoqëruar në dhomat e zhveshjes dhe aty në tunel një person, që në dijeninë time me gjasa ka qenë një nga punëtorët e fushës, pasi asnjë person tjetër, e theksoj, asnjë person tjetër nuk kishte shans që të hynte në rrethimin e fushës dhe në dhomat e zhveshjes, i cili ka gjuajtur me një çadër arbitrin. Aty ndërhymë sërish dhe gjithçka u neutralizua. Sa për dijeni, edhe atë person sot (dje) e kemi shoqëruar në polici dhe do ndiqet penalisht”, ka thënë Isaji.
Duka prezanton De Biazin, por s’harron edhe dhunën
Sot në orën 11:00 presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, do të prezantojë për herë të parë para mediave dhe publikut shqiptar trajnerin e ri të Kombëtares shqiptare, italianin Xhiani de Biazi. Lajmi është bërë publik dje nga zyra e shtypit në FSHF, sipas së cilës presidenti Duka nuk do të anashkalojë sot edhe dhunën e shfaqur jo vetëm në Laç në javën e 11-të, por edhe në Pogradec, ndaj arbitrit Enea Jorgji në javën e 12-të, paçka se në përmasa shumë herë më të vogla. Sipas zyrës për shtyp, ka qenë vetë Duka që ka pohuar se do të flasë për dhunën në veçanti, si një fenomen shqetësues për futbollin shqiptar. Sigurisht, në qendër të vëmendjes do jetë trajneri i ri, i cili nga dita e sotme do të nisë zyrtarisht rrugëtimin e tij në krye të Kombëtares. De Biazi ka firmosur një kontratë 2-vjeçare me të drejtë rinovimin në rast të arritjeve të rezultateve pozitive. Tekniku mbërriti në Tiranë, në orët e vona të mbrëmjes së djeshme.
© Panorama.alKomenti
Trajneri i Shqipërisë, Xhani de Biazi, bëri dje shërbimin e tij të fundit si komentator, duke bërë komentin teknik të finales së Botërorit të Klubeve, Barcelona-Santos, të fituar 4-0 nga Mesi me shokë. De Biazi ishte në atë koment për Mediaset Premium, së bashku me të mirënjohurin Pierluixhi Pardo.











