SHBA-të lejohen të marrin në pyetje tri të vejat e Bin Ladenit

May 11, 2011 | 9:03
Pasaporta e Amal Ahmed Abdullfatah, gruas më të re të Bin Ladenit

Administrata Obama kishte plane shumë të detajuara për aksionin ushtarak kundër forcave pakistaneze, nëse ata do të përpiqeshin t’i ndalonin “Seals”-at të sulmonin kompleksin e Osama bin Ladenin. Kështu njoftuar për CNN dy zyrtarë të lartë amerikanë të njohur me planin. “Asnjë opsion për ndalimin e përdorimit të armëve nuk ishte në tryezë, ne do të bënim çdo gjë që duhej për të kapur atë njeri”, thanë ata në anonimitet. Hetuesit amerikanë më në fund thuhet se kanë mundësi të marrin në pyetje të vejat e Bin Ladenit. Pakistani do të bëjë të mundur takimin me tri gratë. Bashkëshortet e Bin Ladenit u arrestuan gjatë sulmit në shtëpinë ku gjendej terroristi një javë më parë dhe ndodhen tani në arrest në Pakistan. Sipas CBS-së, Pakistani ka informuar Shtetet e Bashkuara se Shërbimet Sekrete të këtij vendi do të autorizojnë “Aksesin direkt” të agjentëve amerikanë me tre të vejat. Formula e termit të përdorur tregon se agjentët amerikanë do të lejohen të përdorin metodat e tyre të marrjes në pyetje, dhe jo thjesht t’u bëjnë atyre pyetje.
Ndërkohë, në ueb Al Kaeda i është kundërpërgjigjur transmetimit të videove të publikuara nga Pentagoni. Pak ditë më parë, Pentagoni vendosi të publikojë pesë video të Osama bin Ladenit , ku ai shfaqej i plakur, i kërrusur dhe i thinjur duke parë në televizor raportimet për të. Por faqet e xhihadit thanë se videot e shpërndara janë false. “Duhet të keni kujdes! Amerika gënjen, videot janë false”, thuhet në mesazhin e tyre në “Shoumoukh al-Islam”, një faqe uebi që njihet në ambiente antiterroriste si shpërndarësi kryesor i regjistrime të realizuara për Al Kaedën. Videoja false, sipas tyre është një video e marrë për përdorim ‘privat’, ndryshe nga të tjerat ku ai bën propagandë. Në të duket Bin Ladeni duke parë në televizor veten. “Shoumoukh al-Islam” ka publikuar një tjetër video, ku beson se janë të qarta provat e mashtrimit, kur krahason dy imazhet, në veçanti ndryshimet e hundës dhe syve. Shumë besojnë se videot e shpërndara nga amerikanët kishin si synim goditjen e imazhit të Bin Ladenit.

Irani: Ka vdekur më herët

Ministri iranian i Zbulimit, Hajdar Moslehi, deklaroi se Teherani ka dëshmi se lideri i Al-Kaedës, Osama bin Laden, ka vdekur nga një sëmundje shumë më herët nga aksioni i organizuar i Njësiteve Speciale Amerikane, gjatë së cilit pretendohet se u vra ai. “Ne disponojmë me informacione precize se Bin Laden ka vdekur nga një sëmundje më herët”, theksoi Moslehi.

© Panorama.al

Te lidhura