Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të kandidojnë për organizimin e Kupës së Botës 2038, pas përfundimit të turneut të vitit 2026, të cilin e bashkëorganizuan me Kanadanë dhe Meksikën.
Sipas raportimit të talkSPORT, turneu i vitit 2038 ende nuk ka një vend organizator, ndërsa SHBA-ja shihet si një nga kandidatet më serioze, pasi plotëson të gjitha kriteret infrastrukturore dhe organizative të kërkuara nga FIFA.
Drejtori ekzekutiv i grupit të punës të Shtëpisë së Bardhë për Kupën e Botës, Andrew Giuliani, deklaroi për BBC se asnjë shtet nuk është më i përgatitur se SHBA për të pritur një turne të tillë. Sipas tij, vendi disponon tashmë stadiumet dhe infrastrukturën e nevojshme, çka e ul ndjeshëm koston e organizimit.
“Ne tashmë kemi stadiumet dhe infrastrukturën e nevojshme. Kostoja e organizimit do të ishte vetëm një pjesë e vogël e asaj që shpenzohet në vende të tjera, rreth 2 miliardë dollarë, krahasuar me dhjetëra miliarda që kërkohen gjetkë”, u shpreh Giuliani.
Ndërkohë, Kupa e Botës 2030 do të organizohet nga Spanja, Portugalia dhe Maroku, ndërsa disa ndeshje do të zhvillohen edhe në Uruguai, Argjentinë dhe Paraguai. Edicioni i vitit 2034 i është besuar Arabisë Saudite.
Sipas talkSPORT, marrëdhëniet e mira mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit të FIFA-s, Gianni Infantino, mund të ndikojnë pozitivisht në një kandidaturë të mundshme të SHBA-së për vitin 2038.
Gjithashtu, Giuliani la të kuptohet se SHBA do të ishte në gjendje të organizonte edhe një Kupë Bote të zgjeruar me 64 ekipe kombëtare, nëse FIFA do të vendoste ta zbatonte një format të tillë në të ardhmen.
© Panorama.al












