ZYRTARE/ I prishi punë Tares dhe e pësoi vetë, Milani prezanton më në fund pasuesin: 600 milionë tifozë…

Jun 26, 2026 | 16:00

Milani ka prezantuar CEO-n e ri dhe bëhet fjalë për Masimo Kalveli. Ky i fundit merr vendin e Xhorxho Furlanit, i cili ishte një nga drejtuesit që i prishi punë Igli Tares te Milani. Më pas erdhi shkarkimi i të gjithëve në fund të sezonit. Pronari Kardinale e prezantoi Kalvelin me entuziazëm.

milan

NJOFTIMI I MILANIT

Milani njoftoi sot emërimin e Masimo Kalvelit në postin e Drejtorit të Përgjithshëm (CEO).

Kalveli sjell një përvojë të gjerë ndërkombëtare në drejtimin e organizatave sportive globale, me ekspertizë të thellë në ndërtimin dhe zhvillimin e organizatave sportive të nivelit më të lartë dhe platformave tregtare. Përveç rolit të tij si CEO i AC Milan, Kalveli do të vazhdojë të ushtrojë edhe detyrën e “CEO International” në RedBird Development Group, si dhe atë të “Operating Partner” në RedBird Capital Partners. Ky emërim pasqyron modelin unik të RedBird, i cili kombinon investimin afatgjatë me ekspertizën operative të integruar, për të përshpejtuar zbatimin e strategjive.

Xherri Kardinale, themelues dhe partner menaxhues i RedBird Capital Partners, deklaroi:

“Që prej bashkimit me RedBird vitin e kaluar, Masimo është dalluar si një drejtues që ka ditur të ndërtojë struktura organizative që bashkojnë njerëzit dhe krijojnë një kulturë bashkëpunimi dhe profesionalizmi. Masimo ka bashkëdrejtuar investimin tonë në AC Milan së bashku me partnerin e RedBird, David Kastelblanko, të dy duke raportuar drejtpërdrejt tek unë.

Modeli ynë në RedBird shpesh kërkon që drejtuesit tanë më të lartë të punojnë nga brenda organizatave ku investojmë, për të garantuar një zbatim të standardeve më të larta, veçanërisht në situata që kërkojnë ndryshim dhe inovacion. Gjatë vitit të fundit, Massimo ka dëshmuar se është jashtëzakonisht efektiv në të gjitha këto aspekte, duke u integruar plotësisht në AC Milan.

Misioni ynë është i qartë: do të luajmë për të fituar, dhe jo thjesht për të mos humbur, në çdo aspekt të aktivitetit të AC Milan, por mbi të gjitha në fushën e lojës. E gjithë organizata e AC Milan do të përfitojë jashtëzakonisht nga angazhimi i tij me kohë të plotë dhe nga vendosmëria e tij për të rikthyer kulturën fituese dhe rezultatet në klub.”

Masimo Kalvelli u shpreh:

“Mundësia për të drejtuar Milanin në këtë moment vendimtar të rrugëtimit të tij futbollistik, si edhe në një periudhë të rëndësishme për futbollin italian në tërësi, është një përgjegjësi që e marr me seriozitet maksimal dhe me një ndjenjë të fortë.

Detyra që më ka besuar Xherri është të rikthejmë te Milani kulturën e fitores dhe të rezultateve, si brenda ashtu edhe jashtë fushës. Një kulturë që i shkon për shtat historisë dhe trashëgimisë së këtij klubi në futbollin europian, si edhe mbi 600 milionë tifozëve tanë në mbarë botën.

Kam kaluar një vit duke bashkëpunuar ngushtë me drejtuesit kryesorë të klubit në të gjitha sektorët dhe kam krijuar një kuptim të drejtpërdrejtë për atë që duhet të përmirësohet. Gjithashtu, jam personalisht shumë i entuziazmuar që do të punoj ngushtë me trajnerin tonë të ri, Ruben Amorim, dhe stafin e tij, të cilët tashmë janë integruar dhe po bashkëpunojnë shumë mirë me drejtuesit aktualë të sektorit të futbollit.”

Përpara se t’i bashkohej RedBird, Kalveli shërbeu si Drejtor i Përgjithshëm (CEO) i ATP-së nga viti 2020 deri në vitin 2025, duke udhëhequr një periudhë transformimi të rëndësishëm global për tenisin profesionist të meshkujve. Më herët në karrierën e tij, ai ka mbajtur pozicione të larta drejtuese në Nike, Ëilson Sporting Goods dhe Amer Sports.

PANORAMASPORT.AL

© Panorama.al

Te lidhura