Në Indi po përgatitet një ekspeditë për të rikthyer trupin e alpinistit të njohur si “Green Boots”, i cili prej afro 30 vitesh ndodhet në “zonën e vdekjes” të malit Everest.

Identiteti i tij mbetet ende i paqartë, por besohet se mund të jetë alpinisti indian Tsewang Paljor ose shoku i tij Dorje Morup, të zhdukur gjatë një stuhie vdekjeprurëse në vitin 1996. Trupi, i dallueshëm nga çizmet jeshile neon, është bërë një pikë referimi për alpinistët që ngjiten nga Kreshta Veriore e Everestit.
Vendndodhja e tij, në afro 8.500 metra lartësi, njihet si “Shpella e Green Boots”. Historia e tij ka tërhequr vëmendjen e botës së alpinizmit për shkak të misterit që e rrethon dhe kushteve ekstreme në të cilat ndodhet.
Sipas vlerësimeve, rreth 200 trupa alpinistësh mbeten ende në shpatet e Everestit, pasi operacionet e rikuperimit në ato lartësi janë jashtëzakonisht të rrezikshme.
PANORAMASPORT.AL
© Panorama.al











