Avokati Kastriot Berberi, i cili jeton prej rreth tre dekadash në Londër, theksoi se politika në Shqipëri e sheh diasporën si një kërcënim.
Në intervistën për News24, ai u shpreh se qeveritë nuk kanë dhënë asnjë kontribut për të, ndërsa shtoi se nëse do të njihej potenciali dhe dijet që kanë njerëzit që jetojnë në diasporë, vendi do të ishte më i zhvilluar.
Ai përmendi një rast që sipas tij kishte qenë Dhoma e Lordëve që e kishte ftuar për të pritur kryeministrin shqiptar dhe jo autoritetet shqiptare. Po ashtu, sipas tij, në një tjetër rast, ministri i Jashtëm nuk e kishte njohur.
“Kam qenë atje 30 vjet dhe nuk jam ftuar asnjëherë në samite. Kur vjen qeveria socialiste apo ish qeveria demokratike nuk ftohesha asnjëherë nga autoritetet shqiptare, nga ambasadori apo ministri i jashtëm. Kur erdhi kryeministri herën e fundit, më ftoi pala britanike që të pres kryeministrin, mora ftesë nga Dhoma e Lordëve.
Prapë në parlament isha në një tavolinë me përfaqësues të Britanisë dhe Shqipërisë, ministri i Jashtëm më përshëndet si i huaj. Ai nuk më njihte. Jam politikani i parë shqiptar i zgjedhur me vota në Britani. Pavarësisht se u shpreh me shumë dashamirësi, dhe më dha vlerësim, nuk ishte i informuar. “, tha ai.
Sipas tij, klasa politike në Shqipëri nuk do ta njohë potencialin e diasporës.
“Nuk duan ta njohin potencialin e diasporës. E shohin kulturën e dijen e diasporës si kërcënim për pushtetin e tyre. Ne ndihmojmë me kritika e kërkesë llogarie. Ne më tepër ndihmojmë me anën intelektuale. Sa njerëz inteligjent ka në diasporë. Nëse kryeministri mund të kishin marrë inteligjencën shqiptare në diasporë, Shqipëria do të ishte më e zhvilluar. “, shtoi avokati.
Duke u ndalur te platforma e PS “Deputeti që Duam”, ai theksoi se nuk aplikoi sepse refuzon që të marrë pjesë në një proces që caktohet nga kryetari.
“Nuk aplikova te “Deputeti që duam”. Nuk aplikoj dot në një proces në një proces që caktohet nga kryetari. Dua të votohem në sistemin një anëtar në votë. Dua demokratizimin e partive.”, shtoi më tej avokati.
© Panorama.al












